Pages

I ligu do ndeshkohet & I drejti do shperblehet - E Premte 1 Mars 2013


Leximi i pare: Zanafilla 37:3-4, 12-13, 17-28
Psalm: Psalm 105:16-21
UNGJILLI: Mateu 21:33-43, 45-46
-----------------------------------------------------------

Leximi i pare: Zanafilla 37:3-4, 12-13, 17-28

3. Por Izraeli e donte Jozefin më tepër se tërë bijtë e tij, sepse ishte biri i pleqërisë së tij; dhe i bëri një rrobe të gjatë deri te këmbët.

4. Por vëllezërit e tij, duke parë që i ati i tyre e donte më tepër nga të gjithë vëllezërit e tjerë, filluan ta urrejnë dhe nuk mund t`i flisnin në mënyrë miqësore.

12. Ndërkaq vëllezërit e Jozefit kishin vajtur për të kullotur kopenë e atit të tyre në Sikem.

13. Dhe Izraeli i tha Jozefit: "Vëllezërit e tu a nuk janë ndofta duke kullotur kopenë në Sikem? Eja, do të dërgoj tek ata". Ai u përgjegj: "Ja ku jam".

17. Ai burrë i tha: "Ata kanë ikur së këtejmi, sepse i dëgjova që thonin: "Të shkojmë në Dothan"". Atëherë Jozefi shkoi të kërkojë vëllezërit e tij dhe i gjeti në Dothan.

18. Ata e panë së largu, dhe para se t`u afrohej, komplotuan kundër tij për ta vrarë.

19. Dhe i thanë njëri tjetrit: "Ja ku po vjen ëndërruesi!

20. Ejani, pra, ta vrasim dhe ta hedhim në një pus; do të themi pastaj që një kafshë e egër e hëngri; kështu do të shohim se ç`përfundim do të kenë ëndërrat e tij".

21. Rubeni i dëgjoi këto dhe vendosi ta shpëtojë nga duart e tyre, dhe tha: "Nuk do ta vrasim".

22. Pastaj Rubeni shtoi: "Mos derdhni gjak, por hidheni në këtë pus të shkretëtirës dhe mos e goditni me dorën tuaj". Thoshte kështu për ta shpëtuar nga duart e tyre dhe për t`ia shpënë të atit.

23. Kur Jozefi arriti pranë vëllezërve të tij, këta e zhveshën nga veshja e tij, nga rrobja e gjatë që i arrinte deri te këmbët;

24. pastaj e kapën dhe e hodhën në pus. Por pusi ishte bosh, nuk kishte ujë brenda.

25. Pastaj u ulën për të ngrënë; por, duke ngritur sytë, ata panë një karvan Ismaelitësh që vinte nga Galaadi me devetë e tyre të ngarkuara me erëza, balsame dhe mirrë, dhe udhëtonte për t`i çuar në Egjipt.

26. Atëherë Juda u tha vëllezërve të tij: "Ç`dobi do të kemi po të vrasim vëllanë tonë dhe të fshehim gjakun e tij?

27. Ejani, t`ia shesim Ismaelitëve dhe të mos e godasë dora jonë, sepse është vëllai ynë, mishi ynë". Dhe vëllezërit e tij e dëgjuan.

28. Ndërsa po kalonin ata tregtarë Madianitë, ata e ngritën dhe e nxorën Jozefin jashtë pusit dhe ia shitën Ismaelitëve për njëzet monedha argjendi. Dhe këta e shpunë Jozefin në Egjipt.


Psalm: Psalm 105:16-21

16. Pastaj solli zinë e bukës në vend dhe shkatërroi çdo burim ushqimesh.

17. Dërgoi para tyre një njeri, Jozefin, që u shit si skllav.

18. I shtrënguan këmbët me pranga dhe u rëndua me zinxhirë hekuri.

19. Fjala e Zotit e vuri në provë, deri sa u plotësua ajo që kishte thënë.

20. Atëherë mbreti dërgoi ta zgjidhnin, sunduesi i popujve dërgoi ta çlironin,

21. dhe e bëri zot të shtëpisë së tij dhe qeveritar mbi të gjitha pasuritë e tij,


UNGJILLI: Mateu 21:33-43, 45-46

33. ``Dëgjoni një shëmbëlltyrë tjetër: Ishte një pronar shtëpie, i cili mbolli një vresht, e rrethoi me gardh, gërmoi një vend ku të shtrydhte rrushin, ndërtoi një kullë dhe, mbasi ua besoi disa vreshtarëve, u nis në një vend të huaj.

34. Dhe kur erdhi koha e të vjelave, ai dërgoi shërbëtorët e vet te vreshtarët, për të marrë frutat e tij,

35. por vreshtarët i kapën shërbëtorët e tij, njërin e rrahën, një tjetër e vranë dhe një tjetër e vranë me gurë.

36. Përsëri, ai dërgoi shërbëtorë të tjerë, më shumë se të parët, dhe këta vreshtarët i trajtuan në të njëjtën mënyrë.

37. Më në fund ai i dërgoi atyre birin e vet duke thënë: "Për djalin tim do të kenë respekt!".

38. Por vreshtarët, kur e panë të birin, i thanë njeri tjetrit: "Ky është trashëgimtari; ejani, ta vrasim dhe marrim si pronë trashëgiminë e tij".

39. Dhe e kapën, e nxorën jashtë nga vreshti dhe e vranë.

40. Tani, kur të vijë i zoti i vreshtit, çfarë do t`u bëjë këtyre vreshtarëve?``.

41. Ata i thanë: ``Ai do t`i vrasë keqas ata faqezinj dhe do t`ua besojë vreshtin vreshtarëve të tjerë, të cilët do t`i japin prodhimet në kohën e vet``.

42. Jezusi u tha atyre: ``A nuk keni lexuar kurrë në Shkrimet: "Guri, që ndërtuesit e nxorën të papërdorshëm, u bë guri i qoshes. Kjo është vepër e Zotit, dhe është e mrekullueshme në sytë tonë"?

43. Prandaj unë po ju them se juve do t`ju hiqet mbretëria e Perëndisë dhe do t`i jepet një kombi që do ta bëjë të japë fryt.

45. Dhe krerët e priftërinjve dhe farisenjtë, kur i dëgjuan shëmbëlltyrat e tij, e kuptuan se po fliste për ta.

46. Dhe kërkonin ta kapnin, por kishin frikë nga turmat, sepse ato e konsideronin profet.