Pages

Jesusi: "Nëse nuk më besoni Mua, besojuni veprave..." - E Premte 22 Mars 2013


Leximi i parë: Jeremia 20:10-13
Psalm: Psalm 18:2-7
UNGJILLI: Gjoni 10:31-42



Leximi i parë: Jeremia 20:10-13

10. I dëgjoja shpifjet e shumëve, tmerr gjithkund përreth: ‘Paditeni! Le ta padisim!’ Të gjithë dashamirësit e mi vërenin rënien time: ‘Ndoshta do të lejojë të gënjehet! Do të ngadhënjejmë mbi të, atëherë do të hakmerremi!’

11. Por me mua është Zoti si trimi i trimave, prandaj ata që më përndjekin,
do të rrëzohen e s’do të ngadhënjejnë: turpi do t’i mbulojë se s’do t’ia dalin qëllimit, turp e përhershme që kurrë s’do të shlyhet!

12. O Zoti i Ushtrive, ti, o sprovuesi i të drejtit, që ia sheh veshka e zemër,
bëj ta shoh hakmarrjen tënde mbi ta, sepse në dorë tënde e lashë çështjen time!

13. Këndojini Zotit, lëvdojeni Zotin, që e çliroi shpirtin e të varfërit nga dora e keqbërësve.

Psalm: Psalm 18:2-7

2. dhe nga dora e Saulit. Ai tha: Të dua, o Zot, fuqia ime!
3. Ti, o Zot, je Qeta ime, Kështjella ime, Streha ime, Shpëtimtari im! Perëndia im, Ndihmëtari im, në Të shpresoj! Ai është Mbrojtësi im, fuqia e shpëtimit tim, ndorja ime!
4. Në ndihmë do ta thërras Zotin tejet të lavdishëm, dhe do të shpëtoj nga armiqtë e mi.
5. Më rrethuan valët e vdekjes, më tmerruan përrenjtë e Belialit,
6. më lidhën leqet e Nëntokës, po më shtrëngonin prangat e vdekjes:
7. atëherë në ngushtimin tim, ndore i rashë Zotit, kushtrim i lëshova Hyjit tim: nga Tempulli i vet dëgjoi zërin tim, britma ime i mbërriti përpara në veshët e tij!

UNGJILLI: Gjoni 10:31-42

31. Judenjtë rishtas kapën gurë për ta vrarë.

32. Jezusi iu përgjigj: “Ju tregova shumë vepra të mira të Atit tim. Për cilën ndër ato doni të më vritni me gurë?”

33. Judenjtë iu përgjigjën: “Nuk duam të të vrasim me gurë për shkak të ndonjë vepre të mirë, por për shkak të blasfemisë: pse ti, duke qenë njeri, e bën veten Hyj!”

34. Jezusi iu përgjigj: “A nuk shkruan në Ligjin tuaj: ‘Unë thashë: hyjni jeni?’

35. Nëse i quajti hyjni ata, të cilëve u qe drejtur fjala e Hyjit - e Shkrimi i shenjtë nuk mund të zhbëhet

36. si atëherë ju, atij që Ati e shuguroi dhe e dërgoi në botë, mund t’i thoni: ‘Po blasfemon’ pse thashë: Jam Biri i Hyjit?

37. Nëse nuk i bëj veprat e Atit tim, mos më besoni.

38. Por nëse i bëj, po edhe nëse nuk më besoni mua, besojuni veprave, që ta merrni vesh e ta kuptoni se Ati është në mua dhe unë në Atin.”

39. Prapë deshën ta kapin, por u doli prej duarve.

40. Jezusi doli prapë matanë Jordanit, në atë vend ku më parë Gjoni pagëzonte dhe zuri vend atje.

41. Shumë erdhën tek ai dhe thoshin: “Gjoni, njëmend, nuk bëri asnjë mrekulli, por, gjithçka tha për këtë njeri, u vërtetua.”

42. Atje besuan shumë në të.