Pages

Java e Shenjtë - Maria i lan këmbët Jesusit dhe ia fshin me flokë - E Hënë 25 Mars 2013


Leximi i parë: Isaia 42:1-7
Psalm: Psalm 27:1-3, 13-14
UNGJILLI: Gjoni 12:1-11


Leximi i parë: Isaia 42:1-7

1 Ja, Shërbëtori im që unë e përkrah, i Zgjedhuri im, në të cilin kënaqet shpirti im, mbi të e kam ndikuar Shpirtin tim: ai do t’ua japë të drejtën popujve.
2 Ai s’do të bërtasë, s’do ta ngrejë zërin, zëri s’do t’i dëgjohet në sheshe.
3 Ai s’do ta thyejë as kallamin e copëtuar, s’do ta ndalë as fitilin tymues
dhe pa u trembur ai do ta shpallë të drejtën.
4 S’do të lodhet as nuk do të pushojë derisa ta ketë vendosur të drejtën në tokë. Ishujt e presin me afsh mësimin e tij.
5 Kështu thotë Zoti Hyj që krijon qiejt dhe ata i shtrin, që e bën të fortë tokën e çka prej saj mbin, që u jep frymën popujve që e banojnë, edhe shpirtin atyre që mbi të shkelin:
6 Unë, Zoti, të thirra në drejtësi e për dore të kam marrë; të kam trajtuar e caktuar besëlidhje të popullit edhe dritë për të gjithë popujt:
7 që t’ua hapësh sytë të verbërve, që t’i nxjerrësh të burgosurit nga burgu,
prej shtëpisë së burgut ata që rrinë në terr.

Psalm: Psalm 27:1-3, 13-14

1 I Davidit.
Zoti është drita ime dhe shpëtimi im, kë do të kem frikë?
Zoti është mbrojtësi i jetës sime, para kujt do të dridhem?
2 Kur më sulen keqbërësit për të më ngrënë gjallë,
kundërshtarëve të mi e armiqve të mi, ora u liget dhe rrëzohen.
3 Le të çohet, në dashtë, edhe një ushtri e tërë kundër meje: zemra nuk më trembet, le të shpërthejë, në dashtë, edhe lufta kundër meje;
edhe atëherë jam plot shpresë.
13 Besoj se do t’i shijoj të mirat e Zotit në tokën e të gjallëve.
14 Shpreso në Zotin: bëhu burrë! Ji zemërfortë e prite Zotin!

UNGJILLI: Gjoni 12:1-11

1 Gjashtë ditë para Pashkëve Jezusi erdhi në Betani, ku jetonte Lazri, të cilin Jezusi e ngjalli prej së vdekuri. 
2 Aty ia bënë gati darkën. Marta u shërbente e njëri ndër ata, që ishin në tryezë me Jezusin, ishte Lazri. 
3Atëherë Maria mori një libër parfum nardi të pastër e shumë të shtrenjtë, ia leu këmbët Jezusit dhe ia fshiu me flokët e vet. Shtëpia u mbush me erën e këndshme të parfumit. 
4 Atëherë, Judë Iskarioti ‑ njëri prej nxënësve të tij, ai që kishte në mend ta tradhtonte ‑ tha: 
5 ”Pse nuk u shit ky parfum për treqind denarë e nuk iu nda skamnorëve?” 
6 Foli kështu, jo pse kishte fort kujdes për skamnorë, por pse ishte vjedhës e pasi ai e mbante qesen, vidhte çka vihej brenda.
7 Atëherë Jezusi tha: “Lëre! Le ta bëjë këtë për ditën e varrimit tim! 
8Skamnorët i keni gjithmonë me ju, kurse mua nuk do të më keni gjithmonë.

Komploti kundër Lazrit
9 Një shumicë e madhe judenjsh mori vesh se Jezusi po gjendej atje dhe erdhën, jo vetëm për shkak të Jezusit por edhe për të parë Lazrin, të cilin e ngjalli së vdekuri. 
10 Atëherë kryepriftërinjtë vendosën të vrasin edhe Lazrin,
11 sepse, për shkak të tij, shumë judenj i linin ata dhe besonin në Jezusin.



Krishti tha, ‘Unë jam e Vërteta; Ai nuk tha ‘Unë jam zakoni’.

-- Shën Toribio