Pages

Asnjë Profet nuk mirëpritet në atdheun e vet - E Hene 4 Mars 2013


Leximi i parë: 2 i Mbretërve 5:1-5
Psalm: Psalm 42:2-3; 43:3-4
UNGJILLI: Luka 4:24-30
-------------------------------------------------

Leximi i parë: 2 i Mbretërve 5:1-5

1. Naamani, komandant i ushtrisë së mbretit të Sirisë, ishte një njeri i madh dhe shumë i çmuar në sytë e zotit të tij, sepse nëpërmjet tij Zoti i kishte dhënë fitoren Sirisë; por ky njeri i madh dhe trim ishte lebroz.

2. Disa banda të Sirisë gjatë një sulmi për plaçkitje kishin marrë me vete nga vendi i Izraelit, si robinjë, një vajzë të vogël që kishte përfunduar si shërbëtore e gruas së Naamanit.

3. Ajo i tha zonjës së saj: "Po të mundte të shkonte zoti im te profeti që është në Samari, me siguri ky do ta shëronte nga lebra".

4. Kështu Naamani shkoi tek zoti e tij dhe ia tregoi çështjen, duke thënë: "Vajza nga vendi i Izraelit ka thënë kështu e kështu".

5. Atëherë mbreti i Sirisë tha: "Shko, pra, unë do t`i dërgoj një letër mbretit të Izraelit". Ai, pra, u nis duke marrë me vete dhjetë talente argjendi, gjashtë mijë sikla ari dhe dhjetë palë ndërresash.


Psalm: Psalm 42:2-3; 43:3-4

2. Shpirti im ka një etje të madhe për Perëndinë, për Perëndinë e gjallë. Kur do të vij dhe do të paraqitem para Perëndisë?

3. Lotët e mia janë bërë ushqimi im ditë e natë, ndërsa më thonë vazhdimisht: "Ku është Perëndia yt?".

3. Dërgo dritën tënde dhe të vërtetën tënde; këto le të më udhëheqin dhe të më çojnë në malin tënd të shenjtë dhe në vendin e banesës sate.

4. Atëherë un do të vij tek altari i Perëndisë, te Perëndia, që është gëzimi im dhe kënaqësia ime; do të të kremtoj me qeste, o Perëndi, Perëndia im.


UNGJILLI: Luka 4:24-30

24. Por ai tha: ``Në të vërtetë po ju them se asnjë profet nuk mirëpritet në atdheun e vet.

25. Në të vërtetë po ju them se në kohën e Elias, kur qielli u mbyll për tre vjet e gjashtë muaj dhe u bë një uri e madhe në gjithë vendin, ishin shumë të veja në Izrael;

26. e megjithatë tek asnjëra nga ato nuk u dërgua Elia, përveç se te një grua e ve në Sareptë të Sidonit.

27. Dhe në kohën e profetit Elize kishte shumë lebrozë në Izrael; megjithatë asnjë prej tyre nuk u pastrua, përveç Naamanit Sirian``.

28. Kur i dëgjuan këto fjalë, të gjithë ata që ishin në sinagogë u zemëruan shumë.

29. Dhe u ngritën, e dëbuan nga qyteti dhe e çuan deri në buzë të majës së malit, mbi të cilin ishte ndërtuar qyteti i tyre, për ta hedhur poshtë.

30. Por ai, duke kaluar përmes tyre, u largua.