Pages

Kush nuk është me Mua, është kundër Meje - E Premte 10 Tetor 2014

Leximi i parë: Galatasve 3:7-14
PSALM, PSALMS 111:1-2, 3-4, 5-6
UNGJILLI, LUKA 11:15-26


Leximi i parë: Galatasve 3:7-14

7Dijeni, pra, mirë: ata që besojnë janë bijtë e vërtetë të Abrahamit. 

8 E Shkrimi i Shenjtë, duke paraparë se Hyji do t’i shfajësojë paganët me anë të fesë, që më parë ia dha Abrahamit këtë lajm të gëzueshëm: ‘Në ty do të jenë të bekuar të gjithë popujt!’ 

9 Kështu, pra, ata që besojnë janë të bekuar bashkë me Abrahamin besimtar.

10 E njëmend, ata që mbështeten në veprat e Ligjit, janë nën mallkim, sepse Shkrimi i Shenjtë thotë: “Qoftë mallkuar secili që nuk mban e nuk zbaton gjithçka është shkruar në Librin e Ligjit!” 

11 E se askush s’mund të shfajësohet para Hyjit me anë të Ligjit është e qartë, sepse: “I drejti do të jetojë me anë të fesë.” 

12 Tashti Ligji nuk është prej fesë, por: Kush e mban në të do të gjejë jetën.”

13 Krishti na shpërbleu prej mallkimit të Ligjit duke u bërë Ai vetë Mallkim ‑ sepse është shkruar: “I mallkuar është gjithkush varet në kryq, ” – 

14 që përmbi paganë të arrijë bekimi i Abrahamit në Krishtin Jezus: që Premtimin ‑ Shpirtin Shenjt ‑ ta marrim me anë të fesë.


PSALM, PSALMS 111:1-2, 3-4, 5-6

Lavdi veprave të Hyjit

1 ALELUJA!
Me gjithë shpirt do ta lavdëroj Zotin,
në kuvendin e të drejtëve, në mbledhjen e tyre.

2 Të mëdha janë veprat e Hyjit,
për t’u shqyrtuar prej atyre që i duan.

3 Stoli e shkëlqim është vepra e Tij,
drejtësia e Tij qëndron në shekuj të shekujve.

4 U ngreh përmendore mrekullive të veta,
i mëshirshëm e mëshirëdhënës është Zoti.

5 U jep ushqim atyre që e druajnë,
kurrë s’e harron Besëlidhjen e Vet.

6 Popullit të Vet ia kumtoi fuqinë e veprave të Veta,
duke ua dhuruar pronën e paganëve.


UNGJILLI, Luka 11:15-26

Jezusi dhe Beelzebuli
(Mt 12, 22‑30; Mk 3, 20‑27)

15 Disa prej tyre thanë: “I dëbon djajtë me ndihmën e Beelzebulit, kryetarit të djajve.” 

16 Disa të tjerë, pastaj, për ta vënë në provë, kërkonin prej tij një shenjë prej qiellit. 

17 Por ai, duke i njohur mendimet e tyre, u tha:
“Çdo mbretëri, e përçarë në vetvete, shkretohet; një shtëpi bie mbi tjetrën. 

18 Po qe se djalli është i ndarë në vetvete ‑ pasi ju po thoni se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Beelzebulit ‑ si do të qëndrojë mbretëria e tij? 

19 Tashti, pasi unë i dëbokam djajtë me ndihmën e Beelzebulit, bijtë tuaj, me ndihmën e kujt i dëbojnë? Prandaj, ata do të jenë gjykatësit tuaj. 

20 Por, në qoftë se unë i nxjerr djajtë me pushtetin e Hyjit, atëherë me të vërtetë erdhi ndër ju Mbretëria e Hyjit!

21 Kur trimi i fortë, i armatosur mirë, e ruan pallatin e vet, mbarë pasuria e tij është e sigurt. 

22 Por, kur vjen një më i fortë se ai, e mund atë, ia merr armët në të cilat shpresoi e i ndan plaçkat e tij.

23 Kush nuk është me Mua, është kundër Meje. Kush nuk bashkon me Mua, shpërndan.”

Kthimi i shpirtit të ndytë
(Mt 12, 43‑45)

24 “Kur shpirti i ndytë të ketë dalë prej njeriut, endet nëpër vende të shkretuara duke kërkuar pushim, e, duke mos e gjetur, thotë: ‘Do të kthehem në shtëpinë time nga dola’. 

25 Kur kthehet, e gjen të fshirë e të stolisur.

26 Atëherë shkon e merr me vete edhe shtatë shpirtra të tjerë më të këqij se veten, hyjnë e banojnë aty. Kështu gjendja e fundit e këtij njeriu bëhet më e keqe se e para.”


Ky është Vullneti i Atit Tim - E Mërkurë 7 Maj 2014

Leximi i parë: Veprat e Apostujve 8:1-8
Psalm: Psalm 66:1-7
UNGJILLI: GJONI 6:35-40


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 8:1-8

1 Edhe Sauli e dha pëlqimin e vet për vrasjen e Shtjefnit.

Sauli salvon Kishën

Po atë ditë u bë salvim i madh kundër Kishës në Jerusalem. Të gjithë, me përjashtim të apostujve, u shpërndanë nëpër krahinat e Judesë e të Samarisë.

2 Disa njerëz të përshpirtshëm e varrosën Shtjefnin dhe bënë gjëmë të madhe për të. 

3 Ndërkaq, Sauli bënte çmosin për ta asgjësuar Kishën: hynte nëpër shtëpi, merrte burra e gra dhe i dorëzonte në burg.

Predikimi i Ungjillit në Samari

4 Ata, pra, të cilët qenë shpërndarë, shkonin prej një vendi në një vend tjetër dhe predikonin Fjalën. 

5 Kështu Filipi zbriti në qytet të Samarisë dhe filloi të predikojë Mesinë. 

6 Turmat ua vinin veshin me kujdes mësimeve të Filipit, sepse i dëgjonin dhe i shikonin shenjat e mrekullueshme që bënte. 

7 E njëmend, prej shumë të djallosurish dilnin shpirtrat e ndytë duke bërtitur me zë të lartë, shëroheshin shumë të paralizuar e të çalë. 

8 Dhe u bë gëzim i madh në atë qytet.


Psalm: Psalm 66:1-7

1 Mjeshtrit të korit. Këngë. Psalm.
Mbarë toka le t’i brohorasë Hyjit,

2 këndoni lavdisë së Emrit të Tij,
lartësojeni lavdinë e Tij të pamasë!

3 Thuajini Hyjit: “Sa të mrekullueshme janë veprat e tua!
Pse je tejet i fuqishëm,
armiqtë e tu të përkëdhelin.

4 Le të të adhurojë mbarë toka e le të të këndojë,
le t’ia thotë këngës për nder të Emrit Tënd”!

5 Ejani e shikoni veprat e Hyjit:
bëri mrekulli shtanguese mes bijve të njerëzve!

6 Ai e shndërroi detin në terik,
këmbë e kaluan lumin
për këtë galdojmë me gëzim.

7 Ai sundon për amshim me pushtetin e vet,
sytë e tij vërejnë përmbi popuj
që të mos çojnë kokë njërzit kryengritës.

UNGJILLI: GJONI 6:35-40

35 Jezusi u përgjigj:
“Unë jam buka e jetës.
Kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri,
kush beson në mua, nuk do të ketë më etje.

36 Por ju thashë: më patë e prapë s’më besoni.

37 Të gjithë ata që m’i jep Ati do të vijnë tek unë
dhe atë që vjen tek unë, s’do ta qes jashtë,

38 sepse zbrita prej qiellit, jo për të bërë vullnetin tim,
por vullnetin e Atij që më dërgoi.

39 E vullneti i Atij që më dërgoi është të mos humbë asnjë
prej atyre që më dha, por t’i ringjall në ditën e fundit.

40 Po, ky është Vullneti i Atit Tim, që, kushdo sheh Birin
dhe beson në Të, ta ketë jetën e pasosur
e unë do ta ringjall në ditën e fundit.”



Le ta shmangin shoqërinë e keqe, sepse prej shoqërimit të tyre ne mund të joshemi drejt një grup vesesh të liga

-- Shën. Agustini


Jezusi ushqen tufen me 5 buke elbi dhe 2 peshq - E Premte 2 Maj 2014

Leximi i parë: Veprat e Apostujve 5:34-42
Psalm: Psalm 27:1, 4, 13-14
UGJILLI: GJONI 6:1-15


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 5:34-42

34 Atëherë u ngrit në Kuvend një farise, me emër Gamaliel, mësues Ligji, të cilin e nderonte mbarë populli. Ky kërkoi të nxirren njerëzit jashtë për një çast. 

35 Atëherë u tha këshilltarëve:
“O burra izraelas, mendoni mirë se çka do të bëni me këta njerëz. 

36 Nuk ka shumë kohë që u ngrit Teuda dhe pohonte se është njeri me rëndësi: rreth tij u bashkuan afro katërqind vetë. Ai qe vrarë e të gjithë ata që e patën ndjekur, u shpërndanë dhe u asgjësuan. 

37 Pas tij, në kohën e numërimit të popullsisë u paraqit Juda Galileas dhe tërhoqi pas vetes një shumicë njerëzish. E vranë edhe atë po edhe të gjithë ndjekësit e tij u shpartalluan. 

38 Tashti në këtë rast unë po ju them: ikni nga këta njerëz e lërini të shkojnë! Sepse, në qoftë ajo nismë ose vepër prej njerëzisht, do të mbarojë; 

39 porse, në qoftë se vërtet vjen prej Hyjit, s’do të mund ta asgjësoni. Vëriani mendjen të mos bini në luftë kundër Hyjit!”
Ata ia pranuan këshillën. 

40 I thirrën apostujt, i rrahën me frushkull, i urdhëruan që të mos flasin më në Emër të Jezusit dhe i lëshuan. 

41 Apostujt e lanë Këshillin plot gëzim pse qenë çmuar të denjë të durojnë ndonjë fyerje për nder të emrit të Jezusit. 

42 Dhe çdo ditë, si në Tempull ashtu edhe në shtëpi, nuk pushonin së mësuari e shpalluri Lajmin e mirë mbi Jezusin Mesi.

Psalm: Psalm 27:1, 4, 13-14

1 I Davidit.
Zoti është drita ime dhe shpëtimi im,
kë do të kem frikë?
Zoti është mbrojtësi i jetës sime,
para kujt do të dridhem?

4 Për një gjë të vetme i lutem Zotit,
vetëm atë ia kërkoj
që të jetoj në Shtëpinë e Zotit
të gjitha ditët e jetës sime,
që ta shijoj kënaqësinë e Zotit
e ta vërej Shtëpinë e Zotit.

13 Besoj se do t’i shijoj të mirat e Zotit
në tokën e të gjallëve.

14 Shpreso në Zotin: bëhu burrë!
Ji zemërfortë e prite Zotin!

UGJILLI: GJONI 6:1-15

1 Pastaj Jezusi kaloi në anën tjetër të detit të Galilesë, që quhet edhe i Tiberiadit. 

2 E ndiqte një shumicë e madhe, sepse shihnin mrekullitë që bënte në të sëmurë. 

3 Jezusi u ngjit në një kodër, ku u ul të rrijë bashkë me nxënësit e vet. 

4 Ishin afër Pashkët, e kremtja e judenjve.

5 Jezusi çoi sytë dhe pa një shumicë të madhe njerëzish që po vinte tek ai e i tha Filipit:
“Ku do të blejmë bukë që të hanë këta njerëz?”

6 Foli kështu për ta sprovuar, sepse ai vetë e dinte se çka kishte në mend të bënte.

7 “As dyqind denarë bukë ‑ iu përgjigj Filipi ‑ nuk do të dilnin mjaft për t’i dhënë secilit nga një grimë.”

8 I tha njëri nga nxënësit, Andreu, i vëllai i Simon Pjetrit:

9 “Këtu është një djalosh që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq të vegjël. Por, çka janë këto për kaq njerëz?”

10 Jezusi u tha:
“Thuajuni njerëzve të ulen.”
Në atë vend kishte shumë bar.
U ulën, pra, rreth pesë mijë burra. 

11 Jezusi mori bukët, falënderoi dhe ua dha atyre që ishin ulur. Po ashtu edhe prej peshqve ‑ aq sa deshën. 

12 E kur u nginë, u tha nxënësve të vet: “Mblidhni tepricat që të mos tresë asgjë.” 

13 I mblodhën, pra, dhe mbushën dymbëdhjetë shporta me copat që u tepruan atyre që hëngrën prej pesë bukësh elbi.

14 Njerëzit, kur panë mrekullinë që bëri Jezusi, thanë: “Ky është përnjëmend Profeti që duhet të vijë në botë.” 

15 Kur Jezusi hetoi se duan të vijnë e ta kapin për ta bërë mbret, u tërhoq përsëri në mal, krejtësisht vetëm.



Profetit nuk i jepet nderim vetëm në vendlindjen e vet - E Enjte 1 Maj 2014

Leximi i parë: Zanafilla 1:26 - 2:3 ose Kolosianëve 3:14-15, 17, 23-24
Psalm: Psalm 90:2-4, 12-14, 16
UNGJILLI: MATEU 13:54-58


Leximi i parë: Zanafilla 1:26 -- 2:3

26 Hyji tha: “Le ta bëjmë njeriun në shëmbëlltyrën e në përngjasimin tonë që të jetë zotërues i peshqve të detit, i shpendëve të qiellit, i kafshëve, i mbarë tokës, dhe i çdo zvarraniku që zvarritet mbi tokë”!

27 Hyji krijoi njeriun në përngjasimin e vet,
e krijoi në përngjasimin e Hyjit;
i krijoi mashkull e femër.

28 Hyji i bekoi dhe u tha:
“Shtohuni e shumohuni e mbusheni tokën
dhe sundojeni atë!
Bëhuni zotëruesit e peshqve të detit, të shpendëve të qiellit dhe të çdo gjallese që lëviz përmbi tokë”!

29 Hyji tha edhe: “Ja, çdo bimë që qet farë mbi tokë dhe të gjitha pemët që kanë në vetvete frytin e pemës që qet farë: le të jenë ushqimi juaj”! 

30 Të gjitha kafshëve mbi tokë, çdo shpendi të qiellit e çdo gjëje që lëviz mbi tokë, në të cilat është fryma e jetës, i jap për ushqim të gjitha barërat e gjelbëra. Dhe u bë ashtu. 

31 Hyji shikoi gjithçka kishte bërë dhe, ja, ishin shumë të mira!” Dhe u bë mbrëmje e mëngjes ‑ dita e gjashtë.
1 Kështu u kryen qielli e toka dhe mbarë ushtria e tyre. 

2 Të shtatën ditë Hyji e kreu punën e vet që kishte bërë. Të shtatën ditë pushoi nga çdo punë që kishte bërë. 

Hyji e bekoi të shtatën ditë dhe e shenjtëroi, sepse atë ditë kishte pushuar prej çdo pune që Hyji kishte bërë duke krijuar. 

Psalm: Psalm 90:2-4, 12-14, 16

2 Para se të lindnin malet,
para se të bëhej toka dhe rruzulli,
prej amshimit të amshimit ti je Hyj!

3 Ti e kthen njeriun në pluhur
duke thënë: “Kthehuni, bijtë e Adamit!”

4 Sepse mijëra vjet për sy të tu
janë si dita e djeshme që kaloi,
porsi ndërresa e rojës së natës!

12 Na mëso ashtu t’i numërojmë ditët tona
që zemra jonë dijes t’ia mbërrijë.

13 Kthehu, o Zot! Deri kur kështu?
Deh, ki mëshirë për shërbëtorët e tu!

14 Na e trego në mëngjes mëshirën tënde
e do të gëzohemi e do të galdojmë
të gjitha ditët e jetës sonë.

16 Vepra jote të shfaqet në shërbëtorë të tu,
shkëlqimi yt mbi bijtë e tyre!


UNGJILLI: MATEU 13:54-58

54 Si erdhi në qytetin ku ishte rritur, i mësonte qytetarët në sinagogën e tyre ashtu që, të mahnitur, thoshin: “Nga i erdhi këtij kjo dije dhe kjo fuqi mrekullish? Po a nuk është biri i zdrukthëtarit? 

55 Po a nuk i quhet e ëma Mari e vëllezërit Jakob, Jozef, Simon e Judë? 

56 Po a nuk janë ndër ne të gjitha motrat e tij? Nga, atëherë, i erdhën këtij të gjitha këto?” 

57 E kjo u shkaktonte mosbesim në të. Prandaj Jezusi u tha: “Profetit nuk i jepet nderim vetëm në vendlindjen e vet e në shtëpinë e vet!”

58 Për shkak të mosbesimit të tyre nuk bëri aty shumë mrekulli.



Le ta hedhin pra veten tonë tek këmëbët e kësaj Nëne të mirë, dhe ti përqafojmë ato, le të mos ndahemi deri kur ajo të na bekoj, dhe të na pranoj ne për fëmijët e saj.

-- Shën. Bernardi i Clairvaux

E PREMTJA E ZEZË - 18 Prill 2014

Leximi i parë: Isaia 52:13 -- 53:12
Psalm: Psalm 31:2, 6, 12-13, 15-17, 25
Leximi i dytë: Hebrenjve 4:14-16; 5:7-9
UNGJILLI: GJONI 18:1 -- 19:42


Leximi i parë: Isaia 52:13 -- 53:12

Kënga e katërt për Shërbëtorin e Zotit

13 Ja, Shërbëtorit tim për së mbari do t’i shkojnë punët,
do të nderohet, do të lartësohet, do të jetë tejet i madhërishëm!
14 Sikurse shumë vetë që mbetën shtang kur e panë
‑ kaq e shëmtuar ishte pamja e tij,
‑ fytyra e tij s’ishte më si e njeriut,
aq sa pamja e tij s’ishte më si e bijve të Adamit ‑
15 po ashtu mbi Të do të mbesin të habitura
turmat e popujve,
edhe mbretërit do të mbesin gojëhapur,
sepse do të shohin atë për çka s’ka qenë treguar
e do të kuptojnë atë për çka s’kishin dëgjuar.
1 Kush, pra, besoi në atë
që ne dëgjuam se u tha?
Kujt i qe zbuluar dora e Zotit?
2 Para Tij u rrit porsi pinjolli,
porsi rrënja nga toka e thatë.
S’kishte bukuri as hijeshi,
që të mund të vërenim në të,
as pashi që të mund të na pëlqente.
3 Ishte i përbuzur, më i sprasmi ndër njerëz,
njeri dhimbjesh, i regjur me vuajtje,
si ai, para të cilit mbulohet fytyra,
i përbuzur, këndej as s’e çmonin për gjësend!
4 E pra, Ai i mori mbi vete vuajtjet tona,
mbi shpatulla të veta i ngarkoi dhimbjet tona!
E ne ishim të bindur se ishte i ndëshkuar,
i munduar prej Hyjit e i nënçmuar!
5 Kurse Ai ishte i plagosur për shkak të paudhësive tona,
i ndrydhur për shkak të fajeve tona;
ndëshkimi, peng paqeje për ne,
peshoi mbi Të:
me vërragën e tij ne u shëruam.
6 Të gjithë ne endeshim si berrat e humbur,
secili udhën e vet ndiqte
e Zoti e ngarkoi mbi Të
paudhësinë e të gjithë neve.
7 I marrë me të keq, lejoi të përvujtërohet,
nuk e çeli gojën e vet;
porsi qengji që e çojnë për ta therur,
porsi delja e pazë para qethtarëve,
nuk e çeli gojën e vet.
8 E hoqën këso jete me dhunë e me gjyq.
Kush kujdeset për fatin e tij?
Po, e zhdukën nga toka e të gjallëve,
për faj të popullit të vet
qe goditur për vdekje.
9 Varrin e tij e vunë me të patenzonët,
me pasanikët varri i tij,
megjithëse s’kishte bërë paudhësi
as gënjeshtër s’doli nga goja e tij.
10 Por Zotit i pëlqeu ta ndrydhë me vuajtje.
Nëse e jep jetën e vet fli shpërblyese,
do të shohë një trashëgimi motgjatë,
me anë të Tij do të kryhet vullneti i Zotit.
11 Për shkak të vuajtjes së shpirtit të tij
do ta shohë dritën
e do të ngihet me njohjen e saj.
Shërbëtori im i drejtë do të shfajësojë shumë,
mbi vete fajet e tyre do t’i marrë.
12 Prandaj turmat do t’ia jap për shpërblim,
pre e tij do të jenë popuj të panumërt,
sepse e dorëzoi veten për vdekje
dhe qe numëruar ndër keqbërës
që mbi vete t’i marrë fajet e turmave
e lutet për ata që mëkatojnë.

Psalm: Psalm 31:2, 6, 12-13, 15-17, 25

2 Në ty, o Zot, shpresoj:
mos lejo të turpërohem për amshim,
më liro me drejtësinë tënde.
6 Në duar të tua po e porosis shpirtin tim,
më shpërble, o Zot, Hyji besnik.
12 Në sy të armiqve të mi u bëra tallje,
për fqinjë i mërzitshëm e për të njohur tmerr.
Ata që më shohin përjashta, ikin prej meje.
13 Më harruan njerëzit porsi të kisha vdekur,
u bëra porsi enë e thyer.
15 E pra, o Zot, unë në ty jam i sigurt,
unë them: “Ti je Hyji im,
16 në duart e tua fati im”!
Më shpëto prej duarve të armiqve të mi
dhe prej atyre që më salvojnë.
17 Kthjelloje fytyrën tënde ndaj shërbëtorit tënd:
më shpëto me mëshirën tënde.
25 Merrni zemër e kini guxim të gjithë ju
që shpresoni në Zotin.

Leximi i dytë: Hebrenjve 4:14-16; 5:7-9

Jezusi Kryeprifti i madh

14 Prandaj, pasi e kemi Kryepriftin e Madh, Jezusin, Birin e Hyjit, i cili i ka përshkuar qiejt - të jemi të palëkundshëm në dëshmimin e fesë! 15 Sepse, nuk kemi Kryeprift që nuk mund të ketë dhimbje për dobësitë tona, pasi ai vetë i ka sprovuar të gjitha si ne, me përjashtim vetëm të mëkatit.
16 T’i afrohemi, prandaj, plot guxim fronit të hirit, që të fitojmë mëshirë dhe të gjejmë hir për të pasur ndihmë në kohë të duhur.
7 Ai, në ditët e jetës së vet këtu mbi tokë, i kushtoi lutja dhe lutje me ofshama të mëdha dhe me lot Atij që mundte ta shpëtonte nga vdekja, dhe qe vështruar për shkak të nënshtrimit të vet. 8 Ai, megjithëse ishte Bir, mësoi nga ato që pësoi të jetë i dëgjueshëm 9 dhe, pasi e fitoi përsosmërinë, për të gjithë ata që e dëgjojnë, u bë shkaku i shëlbimit të amshuar,

UNGJILLI: GJONI 18:1 -- 19:42

TRADHTIMI DHE KAPJA E JEZUSIT

1 Jezusi, si i tha këto fjalë, kaloi bashkë me nxënësit e vet përtej përroit Cedron. Aty ishte një kopsht, në të cilin hyri ai e nxënësit e tij.2 Edhe Juda, tradhtari i tij, e dinte atë vend, sepse Jezusi shpeshherë shkonte atje bashkë me nxënësit e vet.
3 Atëherë Juda mori një kompani ushtarësh dhe disa rojtarë të Tempullit që ia dhanë kryepriftërinjtë e farisenjtë dhe ia behu atje me pisha të ndezura, me dritëza e me armë.
4 Jezusi, që e dinte mirë çka kishte për t’i ndodhur, u doli para dhe u tha:
“Kë kërkoni?”
5 “Jezu Nazarenin!” ‑ iu përgjigjën ata.
“Unë jam.” ‑ u tha Jezusi.
Me ta ishte Juda që po e tradhtonte. 6 Kur, pra, Jezusi u tha: “Unë jam!”, ata u zmbrapsën dhe ranë përdhe. 7 Atëherë i pyeti përsëri:
“Kë kërkoni?”
“Jezusin Nazarenas!” ‑ iu përgjigjën ata. 8 Jezusi u tha: “Ju thashë: ‘Unë jam’. Nëse, pra, më kërkoni mua, lërini këta të shkojnë!”
9 Ndodhi kështu që të shkonte në vend fjala që pati thënë: “Nuk bora asnjë prej atyre që më dhe.”
10 Atëherë Simon ‑ Pjetri nxori shpatën, që e kishte me vete, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin e djathtë. Shërbëtori quhej Malk. 11 Atëherë Jezusi i tha Pjetrit:
“Shtjere shpatën në mill! A të mos e pi gotën që ma dha Ati?”

Jezusi para kryepriftit
(Mt 26, 57‑58; Mk 14, 53‑54; Lk 22, 54)

12 Atëherë njësia ushtarake me komandantin e me rojtarët e judenjve e kapën Jezusin dhe e lidhën. 13 E çuan më parë tek Ana, sepse ishte vjehrri i Kajfës, që ishte kryeprifti i atij viti. 14 Kajfa ishte ai që i kishte këshilluar judenjtë: “Është më mirë të vdesë vetëm një njeri në vend të popullit!”

Pjetri i bie mohit Jezusit
(Mt 26, 69‑70; Mk 14, 66‑68; Lk 22, 55‑57)

15 Simon‑Pjetri dhe një nxënës tjetër po shkonin pas Jezusit. Nxënësi tjetër njihej prej kryepriftit dhe hyri me Jezusin në oborr të kryepriftit, 16 kurse Pjetri mbeti përjashta, te dera. Atëherë ai nxënësi tjetër, që e njihte kryeprifti, doli, foli me derëtaren dhe bëri që të hyjë Pjetri brenda. 17 Ndërkaq shërbëtorja derëtare i tha Pjetrit:
“A mos je edhe ti prej nxënësve të atij njeriu?”
“Nuk jam!” ‑ iu përgjigj ky.
18 Aty ishin shërbëtorët e rojtarët. Kishin ndezur zjarr e po nxeheshin, sepse bënte ftohtë. Me ta rrinte edhe Pjetri e po nxehej.

Kryeprifti merr në pyetje Jezusin
(Mt 26, 59‑66; Mk 14, 55‑64; Lk 22, 66‑71)

19 Kryeprifti e pyeti Jezusin për nxënësit e tij dhe për mësimin e tij. 20 Jezusi i u përgjigj:
“Unë u kam folur njerëzve botërisht. Gjithmonë kam mësuar në sinagogë dhe në Tempull, ku mblidhen të gjithë judenjtë. Nuk fola asgjë fshehtas. 21 Pse po më pyet mua? Pyeti ata që dëgjuan çka u kam folur. Ata, patjetër dinë ç’kam thënë.”
22 Pas këtyre fjalëve, njëri nga rojtarët e pranishëm, i ra Jezusit shuplakë dhe i tha:
“A kështu i përgjigjesh kryepriftit?”
23 “Nëse fola keq ‑ i tha Jezusi ‑ ma vërteto të keqen! Nëse fola mirë, pse po më bie?”
24 Atëherë Ana e dërgoi të lidhur te kryeprifti Kajfa.

Pjetri i bie prapë mohit Jezusit
(Mt 26, 71‑75; Mk 14, 69‑72; Lk 22, 58‑62)

25 Simon‑Pjetri po rrinte gjithnjë aty e po nxehej. I thanë, pra, disa: “A mos je edhe ti prej nxënësve të tij?” Ai e mohoi dhe tha: “Nuk jam.” 26 Njëri prej shërbëtorëve të kryepriftit, kushëriri i atij, të cilit Pjetri ia preu veshin, i tha: “Po a nuk të pashë bashkë me të në kopsht?” 27 Pjetri prapë mohoi dhe këndoi gjeli.

Jezusi para Pilatit
(Mt 27, 1‑2, 11‑14; Mk 15, 1‑5; Lk 23, 1‑5)

28 Atëherë Jezusin e çuan prej Kajfës në pallatin e qeveritarit. Ishte herët në mëngjes e ata nuk hynë në pretorium që të mos bëheshin të papastër, por të mund të hanin darkën e Pashkëve. 29 Prandaj, Pilati doli jashtë para tyre dhe i pyeti:
“Ç’padi keni kundër këtij njeriu?”
30 Po të mos ishte ky keqbërës ‑ iu përgjigjën ata ‑ nuk do ta kishim sjellë para teje!”
31 Pilati u përgjigj:
“Merreni ju e gjykojeni sipas Ligjit tuaj!”
[Atëherë] Judenjtë u përgjigjën:
“Ne s’kemi leje të vrasim askënd!”
32 Ndodhi kështu që të shkojë në vend fjala e Jezusit, me të cilën parafoli se me ç’vdekje do të vdiste.
33 Atëherë Pilati hyri përsëri në pallat, e thirri Jezusin dhe e pyeti:
“A je ti mbreti i judenjve?”
34 Jezusi iu përgjigj:
“A e thua ti këtë prej vetvetes, apo ta thanë të tjerët për mua?”
35 Pilati u përgjigj:
“Pse, a mos jam unë judeas? Populli yt dhe kryepriftërinjtë të dorëzuan tek unë. Çka ke bërë?”
36 Jezusi u përgjigj:
“Mbretëria ime nuk është e kësaj bote. Po të ishte Mbretëria ime e kësaj bote, ushtarët e mi do të kishin luftuar që të mos u bija në dorë judenjve. Porse, Mbretëria ime nuk është prej këndej.”
37 “Pra, ti qenke Mbret?”‑ i tha atëherë Pilati.
“Mirë thua! ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ Unë jam mbret!
E unë linda dhe erdha në botë
për të dëshmuar të vërtetën.
Kush e do të vërtetën,
ai e dëgjon fjalën time.”
38 Po çka është e vërteta?” ‑ i tha Pilati.

Jezusin e dënojnë për vdekje
(Mt 27, 15‑31; Mk 15, 6‑20; Lk 23, 13‑25)

Si foli kështu, doli prapë para judenjve dhe u deklaroi:
“Unë nuk gjej në të kurrfarë faji! 39 Tashti, ndër ju është zakon t’ju liroj dikënd për Pashkë. A doni, pra, t’ju liroj mbretin e judenjve?”
40 Por ata bërtitën prapë:
“Jo këtë, por Barabën!”
E Baraba ishte cub.

JEZUSIN E KRYQËZOJNË






1
 Atëherë Pilati mori Jezusin dhe urdhëroi të rrahej me frushkuj.
2 Ushtarët gërshetuan një kurorë ferrash e ia vunë në kokë dhe i veshën një mantel të kuq. 3 I afroheshin dhe i thoshin:
“Të falemi, mbreti i judenjve!” Dhe i binin flakaresha.
4 Atëherë Pilati doli përsëri përjashta dhe u tha:
“Ja, po jua nxjerr përjashta që ta dini se nuk gjej në të kurrfarë faji.”
5 Atëherë Jezusi doli jashtë me kurorë ferrash e me mantel të kuq. Pilati u tha:
“Ja, Njeriu!”
6 Porse, kur e panë kryepriftërinjtë dhe rojtarët, bërtitën:
“Kryqëzoje, kryqëzoje!”
“Merreni ju e kryqëzojeni ‑ u tha Pilati ‑ se unë nuk gjej në të farë faji.”
7 Judenjtë iu përgjigjën:
“Ne kemi Ligjin dhe atij i duhet të vdesë sipas Ligjit se e bëri veten Bir të Hyjit.”
8 Pilati, kur e dëgjoi këtë fjalë, u tremb edhe më tepër 9 dhe hyri prapë në pallat e i tha Jezusit: “Prej nga je?” Jezusi nuk i dha përgjigje. 10 Atëherë Pilati i tha:
“Mua nuk më përgjigjesh? A nuk e di se kam pushtet të të liroj e kam pushtet të të kryqëzoj?”
11 “Kurrfarë pushteti s’do të kishe mbi mua ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ po të mos të të ishte dhënë prej së Larti. Prandaj, ai njeri që më dorëzoi tek ti ka mëkat më të madh.”
12 Që atëherë Pilati kërkonte ta lëshonte, porse judenjtë bërtitnin: “Nëse e liron këtë, nuk je mik i Cezarit. Kushdo e bën veten mbret, është kundër Cezarit.”
13 Kur Pilati i dëgjoi këto fjalë, e nxori Jezusin përjashta, u ul në selinë e gjykatores, në vendin që quhet “Kalldrëm” e hebraisht “Gabatha”. 14 Ishte dita e Përgatitjes së Pashkëve, rreth orës gjashtë. Pilati u tha judenjve:
“Qe mbreti juaj!”
15 Ata atëherë bërtitën:
“Hiqe! Hiqe! Kryqëzoje!”
“Ta kryqëzoj mbretin tuaj?” ‑ u tha Pilati.
Krerët e priftërinjve u përgjigjën:
“Ne nuk kemi tjetër mbret, përveç Cezarit!”
16 Atëherë ua dorëzoi të kryqëzohej.

Jezusin e kryqëzojnë
(Mt 27, 32‑44; Mk 15, 21‑32;Lk 23, 26‑43)

E morën, pra, Jezusin. 17 Jezusi, duke e mbartur ai vetë kryqin e vet, doli në vendin që quhet “Kafka” hebraisht “Golgota”. 18 Atje e kryqëzuan, e bashkë me të, edhe dy të tjerë, njërin në një anë e tjetrin në anën tjetër, kurse Jezusin në mes.
19 Pilati e shkroi edhe mbishkrimin dhe e vuri në kryq. Ishte shkruar: “Jezus Nazareni, mbreti i judenjve.” 20 Këtë mbishkrim e lexuan shumë judenj, sepse vendi ku e kryqëzuan Jezusin ishte afër qytetit. Ishte i shkruar hebraisht, latinisht e greqisht. 21 Atëherë kryepriftërinjtë e judenjve i thanë Pilatit:
“Mos shkruaj: ‘Mbreti i judenjve’, por se ai tha: ‘Unë jam mbreti i judenjve’.”
22 Pilati u përgjigj:
“Çka shkrova, shkrova!”
23 Ushtarët, pasi e kryqëzuan Jezusin, i morën petkat e sipërme të tijat dhe i ndanë në katër pjesë ‑ secilit ushtar nga një pjesë. Morën edhe petkun e poshtëm. Ky nuk ishte i qepur me pola, por i punuar një cope, prej në maje e në fund. 24 Prandaj i thanë njëri‑tjetrit: “Nuk po e ndajmë në pjesë, por po qesim short, kujt t’i bjerë.” Ndodhi kështu që të shkojë në vend fjala e Shkrimit të shenjtë:
‘I ndanë mes tyre petkat e mia
e mbi petkun tim hodhën short.’
Ushtarët bënë pikërisht ashtu.
25 Në këmbë, përbri kryqit të Jezusit, qëndronin nëna e tij, pastaj motra e nënës së tij, Maria e Klopait edhe Maria Magdalenë. 26 Jezusi, kur pa nënën e vet dhe, pranë saj, nxënësin që donte, i tha nënës:
“Grua, ja, yt bir!”
27 Pastaj i tha nxënësit:
“Ja, nëna jote!”
Prej asaj ore nxënësi e mori me vete.

Vdekja e Jezusit
(Mt 27, 45‑56; Mk 15, 33‑41; Lk 23, 44‑49)

28 Pastaj, Jezusi, i vetëdijshëm se u krye gjithçka, që të shkojë në vend fjala e Shkrimit të shenjtë, tha: “Kam etje!” 29 Aty ishte një enë plot me uthull. Në majë të kallamit të hisopit vunë një sfungjer plot me uthull e ia afruan te goja.30 Jezusi, posa e kërkoi uthullën, tha:
“Gjithçka u krye!”
Uli kokën e dha shpirt.

Jezusit i shporojnë kraharorin

31 Atëherë judenjtë, pasi ishte dita e Përgatitjes dhe, që trupat të mos mbeteshin në kryq të shtunën ‑ e ajo e shtunë ishte ditë e madhe ‑ i bënë lutje Pilatit që të kryqëzuarve t’u theheshin kërcinjtë dhe të uleshin prej kryqit. 32Erdhën, pra, ushtarët e të parit e të dytit që ishin të kryqëzuar me të, ua thyen kërcinjtë. 33 Kur erdhën te Jezusi, si panë se kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë, 34 por njëri prej ushtarëve me heshtë ia shporoi kraharorin dhe menjëherë rrodhi gjak e ujë.
35 Dëshmon ai që pa, e dëshmia e tij është e vërtetë. Ai di se flet të vërtetën, që edhe ju të besoni. 36 Në të vërtetë, ndodhi kështu që të shkonte në vend fjala e Shkrimit të shenjtë: “Asnjë asht nuk do t’i thyhet.” 37 E në një vend tjetër Shkrimi i shenjtë thotë:
“Do ta shohim Atë që shporuan.”

Varrimi i Jezusit
(Mt 27, 57‑61; Mk 15, 42‑47; Lk 23, 50‑56)

38 Pastaj Jozefi prej Arimatesë, i cili ishte nxënës i fshehtë i Jezusit ‑ për shkak të drojës së judenjve ‑ iu lut Pilatit ta lejonte të zbriste prej kryqit trupin e Jezusit. Pilati dha leje. Atëherë Jozefi erdhi dhe e mori trupin e Jezusit. 39 Erdhi edhe Nikodemi ‑ ai që pati ardhur te Jezusi dikur më parë natën ‑ dhe solli reth njëqind libra mirrë e aloe të përzier. 40 E morën, pra, trupin e Jezusit dhe, siç është zakon të bëhet ndër judenj kur varroset dikush, e mbështollën në pëlhurë dhe e përeruan me erëra të mira. 41 Në atë vend ku Jezusi qe kryqëzuar ishte një kopsht e në kopsht ishte një varr i ri, në të cilin ende nuk ishte varrosur kush. 42 Aty, pra, për arsye të Përgatitjes së judenjve, meqenëse varri ishte afër, e shtinë në varr Jezusin.


Kur ne dëgjojmë njerëz të flasin për pasuri, ndere dhe kënaqësitë e botës, le të kujtojmë se të gjitha gjërat kanë një fund, dhe atëherë le të themi: “Zoti im, unë të dëshiroj vetëm Ty dhe asgjë më shumë.”

-- St. Alphonsus Liguori