Pages

Disa besojnë por shumica nuk besojnë - E Shtunë 16 Mars 2013


Leximi i parë: Jeremia 11:18-20
Psalm: Psalm 7:2-3, 9-12
UNGJILLI: Gjoni 7:40-53


Leximi i parë: Jeremia 11:18-20

18. Zoti ma bëri të ditur dhe unë e mësova; atëherë ti më tregove veprimet e tyre.

19. Unë isha si një qengj i butë që e çojnë në thertore dhe nuk dija që kurdisnin intriga kundër meje, duke thënë: "Të shkatërrojmë drurin bashkë me frytin e tij dhe ta zhdukim nga toka e të gjallëve, me qëllim që emri i tij të mos kujtohet më".

20. Por, o Zot i ushtrive, gjykatës i drejtë, që shqyrton mendjen dhe zemrën, tregomë hakmarrjen tënde mbi ta, sepse unë të bëra të njohur çështjen time.


Psalm: Psalm 7:2-3, 9-12

2. që armiku të mos e shqyejë shpirtin tim si një luan, duke copëtuar pa mundur njeri të më çlirojë.

3. O Zot, Perëndia im, në rast se e kam bërë këtë, në qoftë se ka ligësi në duart e mia,

9. Jepi fund ligësisë së njerëzve të këqij, por vendos njeriun e drejtë, sepse ti je Perëndia i drejtë, që provon zemrat dhe mendjet.

10. Mburoja ime është te Perëndia, që shpëton ata që janë të drejtë nga zemra.

11. Perëndia është një gjykatës i drejtë dhe një Perëndi që zemërohet çdo ditë me keqbërësit.

12. Në qoftë se keqbërësi nuk ndryshon, ai do të mprehë shpatën e tij; e ka shtrirë harkun e tij dhe e ka përgatitur.


UNGJILLI: Gjoni 7:40-53

40. Shumë veta nga turma, kur i dëgjuan këto fjalë, thoshnin: ``Ky është me të vërtetë Profeti!``.

41. Të tjerë thoshnin: ``Ky është Krishti``. Kurse të tjerë thoshnin: ``Vallë nga Galilea vjen Krishti?

42. A nuk thotë Shkrimi se Krishti vjen nga pasardhja e Davidit dhe nga Bethlehemi, fshati ku jetonte Davidi?``.

43. Kështu pati përçarje në turmë për shkak të tij.

44. Dhe disa prej tyre donin ta kapnin, por askush nuk vuri dorë mbi të.

45. Atëherë rojet u kthyen te krerët e priftërinjve dhe te farisenjtë, dhe këta u thanë atyre: ``Pse nuk e sollët?``.

46. Rojet u përgjigjen: ``Asnjeri nuk ka folur kurrë si ai njeri``.

47. Prandaj farisenjtë iu përgjigjën atyre: ``Mos u gënjyet edhe ju?

48. Mos vallë ndonjë nga krerët ose nga farisenjtë besoi në të?

49. Por kjo turmë, që nuk e njeh ligjin, është e mallkuar``.

50. Nikodemi, një prej tyre, i cili natën kishte shkuar te Jezusi, u tha atyre:

51. ``Ligji ynë dënon vallë një njeri para se ta ketë dëgjuar dhe ta dijë ç`ka bërë ai?``.

52. Ata u përgjigjën dhe i thanë: ``Mos je edhe ti nga Galilea? Hulumto Shkrimet dhe do të shohësh se nga Galilea s`ka dalë kurrë profet``.

53. Dhe secili u kthye në shtëpinë e vet.



Zoti im dhe Hyji im, hiq nga unë gjithçka që më largon nga Ty.
Zoti im dhe Hyji im, më jep gjithçka që më afron më pranë tek Ty.
Zoti im dhe Hyji im, më shkëput nga vetvetja për të dhënë gjithçka timen tek Ty.
-- nga Shën. Nikolas i Flüe