Pages

Jesusi, Biri i Zotit - Leximi: 04 Dhjetor 12

E Martë, 4 Dhjetor 2012

Leximi i parë: Isaia 11:1-10
Psalm: Psalm 72:1-2, 7-8, 12-13, 17
Ungjilli: Luka 10:21-24
--------------------------------------------------------- 

Leximi i parë: Isaia 11:1-10

1 Pastaj një degëz do të dalë nga trungu i Isaias dhe një filiz do të mbijë nga rrënjët e tij.
2 Fryma e Zotit do të pushojë mbi të; fryma e diturisë dhe e zgjuarësisë, fryma e këshillës dhe e fuqisë, fryma e njohurisë dhe e frikës të Zotit.
3 I dashuri i tij do të qëndrojë në frikën nga Zoti, nuk do të gjykojë nga pamja, nuk do të japë vendime sipas fjalëve që thuhen,
4 por do t`i gjykojë të varfërit me drejtësi dhe do të marrë vendime të drejta për njerëzit e përulur të vendit. Do ta godasë vendin me shufrën e gojës së tij dhe me frymën e buzëve të tij do ta bëjë të vdesë të pabesin.
5 Drejtësia do të jetë brezi i ijëve të tij dhe besnikëria brezi i anëve të tij.
6 Ujku do të banojë bashkë me qengjin dhe leopardi do të rrijë me kecin; viçi, luani i vogël dhe bagëtia e majmur do të rrinë bashkë dhe do të udhëhiqen nga një fëmijë.
7 Lopa do të kullosë bashkë me arushen, të vegjëlit e tyre do të rrinë bashkë, dhe luani do të ushqehet me kashtë si kau.
8 Foshnja e gjirit do të lozë mbi vrimën e gjarpërit dhe fëmija e zvjerdhur do të vërë dorën e tij në çerdhen e nëpërkës.
9 Nuk do të bëhet asnjë e keqe, asnjë shkatërrim mbi tërë malin tim të shenjtë, sepse vendi do të mbushet me njohurinë e Zotit, ashtu si ujërat mbulojnë detin.
10 Atë ditë do të ndodhë që rrënja e Isaias do të ngrihet si një flamur për popujt; kombet do ta kërkojnë dhe vendi i prehjes së tij do të jetë i lavdishëm.


Psalm: Psalm 72:1-2, 7-8, 12-13, 17

1 O Perëndi, paraqit mendimet e tua mbretit dhe drejtësinë tënde birit të mbretit,
2 dhe ai do të gjykojë popullin tënd me drejtësi dhe të pikëlluarit e tu me saktësi.
7 Në ditët e tij i drejti do të lulëzojë dhe ka për të patur shumë paqe deri sa të mos ketë më hënë.
8 Ai do të mbretërojë nga një det te tjetri dhe nga lumi deri në skajet e tokës.
12 Sepse ai do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë.
13 Atij do t`i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve.
17 Emri i tij do të vazhdojë përjetë, emri i tij do të përhapet deri sa të ketë diell; dhe tërë kombet do të bekohen në të dhe do ta shpallin të lumtur.


Ungjilli: Luka 10:21-24

21 Në të njëjtën orë Jezusi ngazëlloi në frym dhe tha: ``Unë të lavdëroj, o Atë, Zot i qiellit dhe i tokës, sepse ua fshehe këto të urtëve dhe të zgjuarve dhe ua zbulove fëmijëve të vegjël. Po, o Atë, sepse kështu ty të pëlqeu.
22 Gjithçka më është dhënë në dorë nga Ati im; dhe askush nuk e di kush është Biri, përveç Atit, dhe kush është Ati, përveç Birit, dhe atij që Biri do t`ia zbulojë``.
23 Pastaj, si u kthye nga dishepujt, u tha atyre veçmas: ``Lum sytë që shohin ato që shihni ju,
24 sepse ju them se shumë profetë dhe mbretër dëshiruan të shohin ato që ju shihni, por nuk i panë, dhe të dëgjojnë ato që ju po dëgjoni, por nuk i dëgjuan``.


 “Detyra juaj e parë është që të jeni të pakënaqur me veten tuaj, të luftoni mëkatin dhe të transformoni veten tuaj në diçka më të mirë. Detyra juaj e dytë është që të përballoni sprovat dhe tundimet e kësaj botë që do tju vijnë nga ndryshimet në jetën tuaj dhe të rezistoni deri në fund në mes të këtyre gjërave.” - Shën Augustine

Besimi i madh tek Zoti - Leximi: 3 Dhjetor 2012

E Hënë, 3 Dhjetor 2012
Shën Francis Xavier, Prift (Memorial)
---------------------------------------------------------------------------- 
Leximi i parë: Isaia 2:1-5
Psalm: Psalm 122:1-9
Ungjilli: Mateu 8:5-11


Leximi i parë: Isaia 2:1-5

1 Fjala që Isaia, bir i Amotsit, pati si vegim lidhur me Judën dhe Jeruzalemin.
2 Në ditët e fundit do të vij që mali ku ndodhet shtëpia e Zotit do të vendoset në majën e maleve dhe do të ngrihet mbi disa kodra, dhe këtu do të vershojnë tërë kombet.
3 Shumë popuj do të vijnë duke thënë: "Ejani, të ngjitemi në malin e Zotit, në shtëpinë e Perëndisë të Jakobit; ai do të na mësojë rrugët e tij dhe ne do të ecim në shtigjet e tij". Sepse nga Sioni do të dalë ligji dhe nga Jeruzalemi fjala e Zotit.
4 Ai do të sigurojë drejtësi midis kombeve dhe do të qortojë shumë popuj. Do t`i farkëtojnë shpatat e tyre duke i kthyer në plugje dhe heshtat e tyre në drapinj; një komb nuk ka për të ngritur shpatën kundër një kombi tjetër dhe nuk do të mësojnë më luftën.
5 O shtëpi e Jakobit, ejani dhe të ecim në dritën e Zotit!

Psalm: Psalm 122:1-9

1 U gëzova kur më thanë: "Shkojmë në shtëpinë e Zotit".
2 Këmbët tona u ndalën brenda portave të tua, o Jeruzalem.
3 Jeruzalemi është ndërtuar si një qytet i bashkuar mirë,
4 ku ngjiten fiset, fiset e Zotit, për të kremtuar emrin e Zotit.
5 Sepse aty janë vënë fronet për gjykimin, fronet e shtëpisë së Davidit.
6 Lutuni për paqen e Jeruzalemit, le të begatohen ata që të duan.
7 Pastë paqe brenda mureve të tua dhe begati në pallatet e tua.
8 Për hir të vëllezërve të mi dhe të miqve të mi tani do të them: "Paqja qoftë te ti".
9 Për hir të shtëpisë së Zotit, Perëndisë tonë, unë do të kërkoj të mirën tënde.

Ungjilli: Mateu 8:5-11

5 Kur Jezusi hyri në Kapernaum i erdhi një centurion duke iu lutur,
6 dhe duke thënë: ``O Zot, shërbëtori im rri shtrirë në shtëpi i paralizuar dhe po vuan shumë``.
7 Dhe Jezusi i tha: ``Do të vij dhe do ta shëroj``.
8 Centurioni duke u përgjigjur i tha: ``Zot, unë nuk jam i denjë që ti të hysh nën strehën time; por thuaj vetëm një fjalë dhe shërbëtori im do të shërohet.
9 Sepse unë jam një njeri nën urdhërin e të tjerëve, dhe i kam ushtarët nën vete; dhe, po t`i them dikujt: "Shko", ai shkon; dhe po t`i them një tjetri: "Eja", ai vjen; dhe po t`i them shërbëtorit tim: "Bëje këtë", ai e bën``.
10 Dhe Jezusi, kur i dëgjoi këto gjëra, u mrekullua dhe u tha atyre që e ndiqnin: ``Në të vërtetë po ju them, se askund në Izrael nuk e gjeta një besim aq të madh.
11 Unë po ju them se shumë do të vijnë nga lindja dhe nga perëndimi dhe do të ulen në tryezë me Abrahamin, me Isaakun dhe me Jakobin, në mbretërinë e qiejve,


“Mbusheni mëndjen tuaj me mendime të mira, sepse armiku do t’i mbushi ato me të këqija. Ato nuk mund të qëndrojnë bosh.” -- Shën Thomas More