Pages

Fale me gjithë zemër vëllanë për fajet e tij - E Marte 5 Mars 2013


Leximi i parë: Danieli 3:25, 34-43
Psalm: Psalm 25:4-9
UNGJILLI: Mateu 18:21-35
-------------------------------------------------

Leximi i parë: Danieli 3:25, 34-43

25 Azaria u ngrit në këmbë, u lut kështu, e duke hapur gojën në mes të zjarrit, tha:

34. Oh, mos na lër përgjithmonë, pashë emrin tënd, e mos e prish besëlidhjen tënde;

35. as mos e tërhiq mëshirën tënde prej nesh, pashë Abrahamin, të dashurin tënd, pashë Izakun, shërbëtorin tënd, e pashë Izraelin, shenjtin tënd,

36. të cilëve iu zotove se do t’ua shumosh farën porsi yjet e qiellit e porsi rërën që është në bregun e detit,

37. sepse, o Zot, jemi pak’suar më shumë se të gjithë popujt, të përvujtëruar kudo mbi mbarë tokën në ditën e sotme për shkak të mëkateve tona!

38. Ne në këtë kohë nuk kemi princ as profet as prijës, fli shkrumbimi, therore, as kushtime as kem, as vend ku të t’kushtojmë ty flitë e fryteve të para që të mund të gjejmë mëshirë.

39. Por na prano me shpirt të përgrirë e të përvujtëruar në shpirt, porsi fli shkrumbimi deshësh e mëzetërish

40. porsi mijëra qengja të majmë e tillë le të jetë flia jonë para teje sot e përsosna ne që të vemi pas teje sepse s’do të turpërohen ata që shpresën e kanë vënë në ty.

41. Tani do të vemi pas teje me gjithë zemër, ty do të të nderojmë, fytyrën tënde do të kërkojmë.

42. Mos na turpëro, por sillu me ne sipas butësisë sate e sipas madhësisë së mëshirës sate.

43. Na shpëto me mrekullitë e tua lavdi jepi emrit tënd, o Zot!

Psalm: Psalm 25:4-9

4. O Zot, më trego rrugët e tua, më mëso shtigjet e tua.

5. Më udhëhiq në të vërtetën tënde dhe më mëso, sepse ti je Perëndia i shpëtimit tim; unë shpresoj shumë te ti gjatë gjithë ditës.

6. Kujto, o Zot, mëshirën tënde dhe miresinë tënde, sepse janë të përhershme.

7. Mos i kujto mëkatet e rinisë sime, as shkeljet e mia; por në dashamirësinë tënde më kujto, o Zot, për hir të mirësisë sate.

8. Zoti është i mirë dhe i drejtë, prandaj ai do t`u mësojë rrugën mëkatarëve.

9. Ai do të udhëheqë njerëzit zemërbutë në drejtësi dhe do t`u mësojë të përulurve rrugën e tij.

UNGJILLI: Mateu 18:21-35

21. Atëherë Pjetri iu afrua dhe tha: ``Zot, në se vëllai im mëkaton kundër meje, sa herë duhet ta fal? Deri shtatë herë?``.

22. Jezusi i tha: ``Unë nuk të them deri shtatë herë, por deri shtatëdhjetë herë shtatë.

23. Prandaj mbretëria e qiejve i ngjan një mbreti që deshi të bënte llogaritë me shërbëtorët e vet.

24. Mbasi filloi t`i bëjë llogaritë, i sollën një që i detyrohej dhjetë mijë talenta.

25. Dhe, duke qenë se ky nuk kishte të paguante, zotëria e tij urdhëroi që të shitej ai me gruan e tij, bijtë e tij dhe gjithë ç`kishte, dhe të shlyejë detyrimin.

26. Atëherë ai shërbëtor i ra ndër këmbë e i lutej duke thënë: "Zot, ki durim me mua dhe unë do t`i paguaj të gjitha".

27. I shtyrë nga dhembshuria, zotëria e atij shërbëtori e la të lirë atë dhe ia fali detyrimin.

28. Por ai shërbëtor, si doli, takoi një nga shërbëtorët e tjerë, që i detyrohej njëqind denarë; dhe, mbasi e zuri për fyti, po e mbyste duke thënë: "Më paguaj detyrimin që më ke".

29. Atëherë shërbëtori shok i tij, i ra ndër këmbë dhe iu lut duke thënë: "Ki durim me mua, dhe do t`i paguaj të gjitha".

30. Por ai nuk deshi, madje shkoi dhe e futi në burg deri sa ai ta shlyente detyrimin.

31. Por shërbëtorët e tjerë, kur e panë ngjarjen, u pikëlluan shumë dhe shkuan e i thanë zotërisë së tyre gjithçka që kishte ndodhur.

32. Atëherë zotëria e tij e thirri dhe i tha: "Shërbëtor i lig, unë ta fala gjithë këtë detyrim, sepse m`u lute.

33. A nuk duhej të kishe mëshirë edhe ti për shokun tënd, ashtu si pata mëshirë unë për ty?".

34. Dhe zotëria i tij, i zemëruar, ua dorëzoi torturuesve deri sa të paguante gjithë detyrimin.

35. Kështu do të veprojë me ju edhe Ati im qiellor, në qoftë se secili prej jush nuk e fal me gjithë zemër vëllanë e vet për fajet e tij``.