Pages

Kungimi i Shenjte sipas Ungjillit

Kungimi i Shenjte sipas Ungjillit
E Diele, 12 Gusht 2012

Leximi i pare: 1 e Mbreterve 19:3-8
Psalm: Psalm 34:2-9
Leximi i dyte: Efesianeve 4:30 -- 5:2
Ungjilli: Gjoni 6:41-51
-------------------------------------------- 
Leximi i pare: 1 e Mbreterve 19:3-8

3 Kur dëgjoi këto fjalë, Elia u ngrit dhe iku për të shpëtuar. Arriti në Beer-Sheba, që i përket Judës, dhe la aty shërbëtorin e tij.
4 Përkundrazi u fut në shkretëtirë një ditë rrugë, shkoi të ulet poshtë një gjinestre dhe kërkoi të vdesë, duke thënë: "Tani mjaft, o Zot! Merr jetën time, se unë nuk jam më i mirë se etërit e mi".
5 Pastaj u shtri dhe e zuri gjumi poshtë gjinestrës, por ja që një engjëll e preku dhe i tha: "Çohu dhe ha".
6 Ai shikoi dhe pa pranë kokës së tij një kulaç të pjekur mbi gurë të nxehtë dhe një enë me ujë. Ai hëngri dhe piu, pastaj përsëri u shtri.
7 Engjëlli i Zotit u kthye për herë të dytë, e preku dhe i tha: "Çohu dhe ha, sepse rruga është tepër e gjatë për ty".
8 Ai u ngrit, hëngri dhe piu; pastaj me forcën që i dha ai ushqim eci dyzet ditë dhe dyzet netë deri sa arriti në malin e Perëndisë, në Horeb.

Psalm: Psalm 34:2-9
2 Shpirti im do të krenohet me Zotin; njerëzit e përulur do ta dëgjojnë dhe do të gëzohen.
3 Lartojeni Zotin bashkë me mua, dhe të lëvdojnë të gjithë emrin e tij.
4 Unë e kërkova Zotin, dhe ai m`u përgjigj dhe më çliroi nga të gjitha tmerret e mia.
5 Ata e shikuan atë dhe u ndriçuan, dhe fytyrat e tyre nuk u turpëruan.
6 Ky i pikëlluar klithi dhe Zoti e plotësoi, e shpëtoi nga të gjitha fatkeqësitë e tij.
7 Engjëlli i Zotit zë vend rreth atyre që kanë frikë prej tij dhe i çliron.
8 Provojeni dhe shihni sa i mirë është Zoti; lum ai njeri që gjen strehë tek ai.
9 Kini frikë nga Zoti, ju shenjtorë të tij, sepse asgjë nuk u mungon atyre që kanë frikë prej tij.

Leximi i dyte: Efesianeve 4:30 -- 5:2
30 Dhe mos e trishtoni Frymën e Shenjtë të Perëndisë, me të cilin u vulosët për ditën e shpengimit.
31 Le të flaket larg jush çdo hidhërim, zemërim, inat, trazirë dhe shpifje me çdo ligësi.
32 Por jini të mirë dhe të mëshirshëm njeri me tjetrin, duke e falur njëri-tjetrin, sikurse edhe Perëndia ju ka falur në Krishtin.
1 Bëhuni pra imitues të Perëndisë, si bij shumë të dashur,
2 edhe ecni në dashuri, sikurse edhe Krishti na deshi dhe e dha veten e tij për ne, si ofertë e flijim Perëndisë, si një parfum erëmirë.

Ungjilli: Gjoni 6:41-51
41 Judenjtë, pra, murmurisnin për të, sepse kishte thënë: ``Unë jam buka që zbriti nga qielli``,
42 dhe thoshnin: ``Vallë, a nuk është ky Jezusi, biri i Jozefit, të cilit ia njohim babanë dhe nënën? Si thotë, pra, ky: "Unë zbrita nga qielli"?``.
43 Atëherë Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: ``Mos murmurisni midis jush.
44 Askush nuk mund të vijë tek unë, po qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit.
45 Në profetët është shkruar: "Të gjithë do të jenë të mësuar nga Perëndia". Çdo njeri, pra, që ka dëgjuar dhe mësuar nga Ati, vjen tek unë.
46 Jo s`e ka parë ndonjë Atin, përveç atij që është nga Perëndia; ky e ka parë Atin.
47 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Kush beson në mua ka jetë të përjetshme.
48 Unë jam buka e jetës.
49 Etërit tuaj hëngrën manën në shkretirë dhe vdiqën.
50 Kjo është buka që zbret nga qielli, që një mund të hajë e të mos vdesë.
51 Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli; nëse një ha nga kjo bukë do të jetojë përjetë; buka që unë do të jap është mishi im, që unë do ta jap për jetën e botës``.


 “Secili le ta mendoj se ai do te bej progres ne te gjitha gjerat shpirterore vetem nese e heq prej vetes dashurine per vetveten, mendjemadhesine dhe egoizmin.”
-- Shen. Ignatius i Loyolas

Jesusi:"Ku jam Une, do te jete dhe sherbetori Im" - E Premte, 10 Gusht 2012

E Premte, 10 Gusht 2012

Leximi i pare: 2 e Korintasve 9:6-10
Psalm: Psalm 112:1-2, 5-9
Ungjilli: Gjoni 12:24-26
----------------------------------------- 
Leximi i pare: 2 e Korintasve 9:6-10

6 Dhe ju them këtë: Ai që mbjell me kursim, do të korrë po me kursim; dhe ai që mbjell dorëhapur edhe do të korrë dorëhapur.
7 Secili le të veprojë ashtu si ka vendosur në zemrën, as me keqardhje as nga shtrëngimi, sepse Perëndia do një dhurues të gëzuar.
8 Dhe Perëndia mund të bëjë që gjithë hiri të teprojë për ju, aq sa mbasi të keni gjithnjë mjaft në çdo gjë, t`ju tepërojë për çfarëdo pune të mirë,
9 sikurse është shkruar: ``Ai ndau, u ka dhënë të varfërve, drejtësia e tij mbetet në përjetësi``.
10 Edhe ai që i jep farën mbjellësit dhe bukë për të ngrënë, ju dhëntë dhe e shumoftë farën tuaj, dhe i bëftë të rriten frytet e drejtësisë suaj;

Psalm: Psalm 112:1-2, 5-9
1 Aleluja. Lum njeriu që ka frikë nga Zoti dhe gjen një gëzim të madh në urdhërimet e tij.
2 Pasardhësit e tij do të jenë të fuqishëm mbi tokë, brezat e njerëzve të drejtë do të jenë të bekuar.
5 Do të jetë i lumtur njeriu që ka dhemshuri dhe jep hua, dhe i drejton punët e tij me drejtësi,
6 sepse nuk do të lëvizet kurrë; i drejti do të kujtohet gjithnjë.
7 Ai nuk do t`u trëmbet lajmeve të këqia; zemra e tij është e fortë, me besim tek Zoti.
8 Zemra e tij është e sigurt; ai nuk do të ketë fare frikë, deri sa të mos shikojë triumfues mbi armiqtë e tij.
9 Ai ka shpërndarë lirisht, u ka dhënë nevojtarëve, drejtësia e tij vazhdon përjetë dhe fuqia e tij do të ngrihet në lavdi.

Ungjilli: Gjoni 12:24-26
24 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Nëse kokrra e grurit e rënë në dhe nuk vdes, ajo mbetet e vetme; por, po të vdesë, jep shumë fryt!
25 Kush e do jetën e vet do ta humbasë; dhe kush e urren jetën e vet në këtë botë, do ta ruajë për jetën e përjetshme.
26 Në qoftë se dikush më shërben, të më ndjekë; dhe ku jam unë, atje do të jetë dhe shërbëtori im; në qoftë se dikush më shërben, Ati im do ta nderojë.


"Unë ju them se keni për të vuajtur më pak po të ndiqni Kryqin, sesa t’i shërbeni botës dhe kënaqësive të saj."
-- Shën. John Vianney



Pjetri, Papa i Pare - E Enjte, 9 Gusht 2012

E Enjte, 9 Gusht 2012

Leximi i pare: Jeremia 31:31-34
Psalm: Psalm 51:12-15, 18-19
Ungjilli: Mateu 16:13-23
---------------------------------------- 
Leximi i pare: Jeremia 31:31-34

31 Ja do të vijnë ditët", thotë Zoti, "në të cilat do të vendos një besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit dhe me shtëpinë e Judës;
32 jo si besëlidhja që kam vendosur me etërit e tyre ditën kur i zura për dore për t`i nxjerrë nga vendi i Egjiptit, sepse ata e shkelën besëlidhjen time, ndonëse unë isha Perëndia i tyre", thotë Zoti.
33 "Por kjo është besëlidhja që do të vendos me shtëpinë e Izraelit mbas atyre ditëve", thotë Zoti: "Do ta shtie ligjin tim në mendjen e tyre dhe do ta shkruaj mbi zemrën e tyre, dhe unë do të jem Zoti i tyre dhe ata do të jenë populli im.
34 Ata nuk do të mësojnë secili të afërmin e tij dhe secili vëllanë e tij, duke thënë: "Njihni Zotin!", sepse të gjithë do të më njohin, nga më i vogli e deri te më i madhi", thotë Zoti. "Sepse unë do ta fal paudhësinë e tyre dhe nuk do ta kujtoj më mëkatin e tyre".

Psalm: Psalm 51:12-15, 18-19

12 Kthemë gëzimin e shpëtimit dhe përkahmë me frymë dashamirës.
13 Atëherë do t`u mësoj rrugët e tua shkelësve dhe mëkatarët do të kthehen drejt teje.
14 Çliromë nga gjaku i derdhur, o Perëndi, Perëndi i shpëtimit tim, dhe gjuha ime do të kremtojë tërë gaz drejtësinë tënde.
15 O Zot, hap buzët e mia, dhe goja ime do të shpallë lëvdimin tënd.
18 Bëj të mirën Sionit për dashamirësinë tënde, ndërto muret e Jeruzalemit.
19 Atëherë do të gëzohesh në flijimet e drejtësisë, në olokaustet dhe në ofertat që digjen tërësisht; atëherë do të ofrohen dema të rinj mbi altarin tënd. 

Ungjilli: Mateu 16:13-23

13 Pastaj Jezusi, mbasi arriti në krahinën e Cezaresë së Filipit, i pyeti dishepujt e vet: ``Kush thonë njerëzit se jam unë, i Biri i njeriut?``.
14 Dhe ata thanë: ``Disa Gjon Pagëzori, të tjerë Elia, të tjerë Jeremia, ose një nga profetët``.
15 Ai u tha atyre: ``Po ju, kush thoni se jam unë?``.
16 Dhe Simon Pjetri duke u përgjigjur tha: ``Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë``.
17 Dhe Jezusi duke përgjigjur u tha: ``I lumur je ti, o Simon, bir i Jonas, sepse këtë nuk ta zbuloi as mishi as gjaku, por Ati im që është në qiej.
18 Dhe unë po të them gjithashtu se ti je Pjetri, dhe mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kishën time dhe dyert e ferrit nuk do ta mundin atë.
19 Dhe unë do të të jap çelësat e mbretërisë së qiejve; gjithçka që të kesh lidhur mbi tokë, do të jetë lidhur në qiej, dhe gjithçka që të kesh zgjidhur mbi tokë, do të jetë zgjidhur në qiej``.
20 Atëherë i urdhëroi dishepujt e vet që të mos i thonin askujt se ai ishte Jezusi, Krishti.
21 Që nga ai çast Jezusi filloi t`u sqarojë dishepujve të vet se i duhej të shkonte në Jeruzalem, të vuante shumë për shkak të pleqve, të krerëve të priftërinjve dhe të skribëve, se do të vritej dhe do të ringjallej të tretën ditë.
22 Atëherë Pjetri e mori mënjanë dhe nisi ta qortojë duke thënë: ``O Zot, të shpëtoftë Perëndia; kjo nuk do të të ndodhë kurrë``.
23 Por ai u kthye dhe i tha Pjetrit: ``Shporru prej meje, o Satan! Ti je një skandal për mua, sepse s`ke ndër mënd punët e Perëndisë, por punët e njerëzve``.

Jesusi ecen mbi uje - E Marte, 7 Gusht 2012

E MARTE, 7 Gusht 2012

Leximi i pare: Jeremia 30:1-2, 12-15, 18-22
Psalm: Psalm 102:16-21, 22-23
Ungjilli: Mateu 14:22-36
------------------------------------------------------- 
Leximi i pare: Jeremia 30:1-2, 12-15, 18-22

1. Fjala që iu drejtua Jeremias nga ana e Zotit, duke thënë:
2. "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: Shkruaj në një libër tërë fjalët që të kam thënë.
12. Kështu thotë Zoti: "E keqja jote është e pashërueshme, plaga jote është e rëndë.
13. Askush nuk e mbron çështjen tënde; kështu nuk ka asnjë mjekim për plagën tënde dhe asnjë shërim për ty.
14. Tërë dashnorët e tu të kanë harruar dhe nuk kujdesen më për ty, sepse të kam qëlluar me një goditje prej armiku, me një ndëshkim të një njeriu mizor, për madhësinë e paudhësisë sate, për morinë e mëkateve të tua.
15. Pse bërtet për shkak të së keqes sate? Dhembja jote është e pashërueshme. Unë të bëra këto gjëra për madhësinë e paudhësisë sate, për morinë e mëkateve të tua.
18. Kështu thotë Zoti: "Ja, unë do të kthej nga robëria çadrat e Jakobit dhe do të më vijë keq për banesat e tij; qyteti do të rindërtohet mbi gërmadhat e tij dhe pallati do të rivendoset në vendin e tij të saktë.
19. Prej andej do të dalin këngë falënderimi dhe zëra njerëzish që festojnë; unë do t`i shumoj dhe jo t`i pakësoj; do t`i bëj të nderuar dhe nuk do të poshtërohen më.
20. Bijtë e tij do të jenë si më parë dhe kuvendi i tij do të bëhet i qëndrueshëm para meje, por do të ndëshkoj gjithë shtypësit e tyre.
21. Princi i tij do të jetë një prej tyre, dhe sunduesi i tij do të dalë nga mesi i tyre; unë do të bëj që ai të afrohet dhe ai do të vijë afër meje. Kush, pra, do të porosiste zemrën e tij që të më afrohet?", thotë Zoti.
22. "Ju do të jeni populli im, dhe unë do të jem Perëndia juaj".

Psalm: Psalm 102:16-21, 22-23

16 kur Zoti do të rindërtojë Sionin dhe do të duket në lavdinë e tij.
17 Ai do të dëgjojë lutjen e njerëzve të braktisur dhe nuk do ta përbuzë lutjen e tyre.
18 Kjo do të shkruhet për brezin e ardhshmëm, dhe populli që do të krijohet do të lëvdojë Zotin,
19 sepse ai shikon nga lartësia e shenjtërores së tij; nga qielli Zoti këqyr dheun,
20 për të dëgjuar vajtimin e robërve, për të çliruar të dënuarit me vdekje;
21 me qëllim që në Sion të shpallin emrin e Zotit dhe në Jeruzalem lavdinë e tij,
22 kur popujt dhe mbretëritë do të mblidhen bashkë për t`i shërbyer Zotit.
23 Rrugës ai ka pakësuar fuqinë time dhe ka shkurtuar ditët e mia.

Ungjilli: Mateu 14:22-36

22 Fill pas kësaj Jezusi i detyroi dishepujt e vet të hyjnë në barkë dhe t`i prijnë në bregun tjetër, deri sa ai t`i lëshojë turmat.
23 Mbasi i nisi ato, u ngjit vetëm mbi mal për t`u lutur. Dhe kur u ngrys ai gjëndej aty, i vetëm fare.
24 Ndërkaq barka ndodhej në mes të detit; dhe përplasej nga valët sepse era i ishte e kundërt.
25 Në rojën e katërt të natës, Jezusi shkoi drejt tyre, duke ecur mbi det.
26 Dishepujt duke parë atë që po ecte mbi det, u trembën dhe thanë: ``Éshtë një fantazmë!``. Dhe filluan të bërtasin nga frika;
27 por menjëherë Jezusi u foli atyre duke thënë: ``Qetësohuni; jam unë, mos kini frikë!``.
28 Dhe Pjetri, duke u përgjigjur tha: ``Zot, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujëra``.
29 Ai tha: ``Eja!``. Dhe Pjetri zbriti nga barka dhe eci mbi ujëra, për të shkuar te Jezusi.
30 Por, duke parë erën e fortë, kishte frikë, dhe duke filluar të fundosej, bërtiti duke thënë: ``O Zot, shpëtomë!``.
31 Dhe Jezusi ia zgjati menjëherë dorën, e zuri dhe i tha: ``O njeri besimpak, pse dyshove?``.
32 Pastaj, kur hynë në barkë, era pushoi.
33 Atëherë ata që ishin në barkë erdhën dhe e adhuruan, duke thënë: ``Me të vërtetë ti je Biri i Perëndisë!``.
34 Pastaj, mbasi dolën në bregun tjetër, erdhën në krahinën e Gjenezaretit.
35 Dhe njerëzit e atij vendi, sapo e njohën, e përhapën fjalën në gjithë krahinën përreth; dhe i sollën të gjithë të sëmurët;
36 dhe iu lutën që të mund t`i preknin të paktën cepin e rrobes së tij; dhe të gjithë ata që e prekën u shëruan plotësisht.

----------------------------------------------------------
 “Zoti kryesisht deshiron qe ne duhet te jemi plotesisht te perkryer, qe ne mund te jemi te plote nje me Ate. Le ta veme qellimin tone ne ate qe na duhet per ta arritur kete.”
-- Shen. Teresa



Shperfytyrimi i Zotit ne mal - E Hene, 6 Gusht 2012

E HENE, 6 Gusht 2012
Shperfytyrimi i Zotit (Feste)

Leximi i pare: Danieli 7:9-10, 13-14
Psalm: Psalm 97:1-2, 5-6, 9
Leximi i dyte: 2 e Piterit 1:16-19
Ungjilli: Marku 9:2-10
----------------------------------------------- 
Leximi i pare: Danieli 7:9-10, 13-14

9. Unë vazhdova të shikoj deri sa u vendosën fronet dhe i Lashti i ditëve u ul. Veshja e tij ishte e bardhë si bora, flokët e kokës së tij ishin si leshi i pastër; froni i tij ishte si flokët e zjarrit dhe rrotat e tij si zjarr përvëlues.
10. Një lumë zjarri rridhte, duke dalë nga prania e tij; mijëra e mijëra njerëz i shërbenin dhe mori dhe mori qëndronin përpara tij. Gjykimi u bë dhe librat u hapën.
13. Unë shikoja disa vegime nate, dhe ja mbi retë e qiellit po vinte dikush që i ngjante një Biri njeriu; ai arriti deri te i Lashti i ditëve dhe iu afrua atij.
14. Atij iu dha sundimi, lavdia dhe mbretëria, me qëllim që gjithë popujt, kombet dhe gjuhët t`i shërbenin; sundimi i tij është një sundim i përjetshëm që nuk do të kalojë, dhe mbretëria e tij është një mbretëri që nuk do shkatërrohet kurrë".

Psalm: Psalm 97:1-2, 5-6, 9
1. Zoti mbretëron; le të gëzohet toka dhe le të ngazëllohen ishujt e mëdhenj.
2. Re dhe terr e mbështjellin; drejtësia dhe e drejta janë në themel të fronit të tij.
5. Malet shkrihen si dylli përpara Zotit, përpara Zotit të të gjithë tokës.
6. Qiejtë shpallin drejtësinë e tij dhe tërë popujt shohin lavdinë e tij.
9. Sepse ti, o Zot, je Shumë i Larti mbi tërë tokën, ty të përlëvdojmë mbi gjithë perënditë e tjera.

Leximi i dyte: 2 e Piterit 1:16-19

16. Sepse nuk jua bëmë të njohur fuqinë dhe ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht, duke shkuar pas përralla të sajuara me mjeshtri, por sepse jemi dëshmitarë okular e madhështisë së tij.
17. Sepse ai mori nder dhe lavdi nga Perëndia Atë, kur i erdhi ky zë nga lavdia e madhërishme: ``Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur``.
18. Dhe ne e dëgjuam këtë zë që vinte nga qielli, kur qemë bashkë me të në malin e shenjtë.
19. Ne e kemi edhe më të vërtetuar fjalën profetike, të cilën bëni mirë ti kushtoni kujdes, si një kandil që ndriçon në një vend të errët, derisa të zbardhë dita dhe ylli i dritës të lindë në zemrat tuaja,

Ungjilli: Marku 9:2-10

2. Mbas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin dhe i çoi në vetmi, vetëm ata, mbi një mal të lartë; dhe u shpërfytyrua përpara tyre.
3. Dhe rrobat e tij u bënë të shndritshme dhe krejt të bardha, si bora, më të bardha nga sa nuk mund t`i zbardhojë asnjë rrobalarës mbi tokë.
4. Dhe atyre iu shfaqën Elia me Moisiun, që po bisedonin me Jezusin.
5. Atëherë Pjetri e mori fjalën dhe i tha Jezusit: ``Mësues, për ne është mirë të jemi këtu; bëjmë, pra, tri çadra: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elian!``.
6. Në fakt ai nuk dinte çfarë thoshte, sepse ata ishin të trembur.
7. Pastaj erdhi një re dhe i mbuloi me hijen e vet; dhe nga reja doli një zë që tha: ``Ky është Biri im i dashur; dëgjojeni!``.
8. Dhe menjëherë ata shikuan rreth e qark, por nuk panë më asnjëri, përveçse Jezusi fill i vetëm me ta.
9. Tani kur po zbrisnin nga mali, Jezusi i urdhëroi të mos i tregojnë askujt gjërat që kishin parë, derisa i Biri i njeriut të ringjallej prej së vdekuri.
10. Ata e mbajtën porosinë dhe diskutonin mes tyre se ç`do të thoshte të ringjallesh prej së vdekuri.


“Dashuria e Zonjes Sone eshte si ajo rrekeja qe e ka burimin ne Themelet e Perjetshme, e shuan etjen e te gjitheve, nuk mund te thahet kurre dhe gjithmone kthehet tek Burimi i vet.”
-- Shen. Marguerite Bourgeoys