Pages

Jesusi: "Përpara se të ishte Abrahami, UNË JAM!” - E Enjte 21 Mars 2013


Leximi i parë: Zanafilla 17:3-9
Psalm: Psalm 105:4-9
UNGJILLI: Gjoni 8:51-59



Leximi i parë: Zanafilla 17:3-9

3 Abrami ra me fytyrë përdhe. 
4 Dhe Hyji i tha: “Ja, marrëveshja ime me ty: Do të bëhesh trungu i popujve të shumtë.
5 Nuk do ta kesh më emrin Abram, por emri yt do të jetë Abraham, sepse të bëra babë të shumë kombeve.
6 Do të bëj të shtohesh shumë, tejet shumë, prej teje do të bëj të rrjedhin popuj, dhe prej teje do të lindin mbretër.
7 Do të bëj besëlidhje me ty ndërmjet meje e teje, dhe pas teje me breznitë që do të rrjedhin prej teje. Kjo besëlidhje e përhershme mua do të më bëjë Hyjin tënd dhe Hyjin e pasardhësve të tu pas teje.
8 Ty dhe pasardhësve të tu pas teje, do t’ua jap tokën e çojeve të tua, mbarë dheun e Kanaanit, pronë të përhershme. Dhe unë do të jem Hyji i tyre”.
9 Hyji i tha përsëri Abrahamit: “Ti duhet ta ruash besëlidhjen time, po ashtu edhe pasardhësit e tu brez pas brezit. 


Psalm: Psalm 105:4-9

4 Kërkojeni Zotin dhe fuqinë e tij, kërkojeni gjithmonë fytyrën e tij!
5 T’ju bien në mend mrekullitë që bëri, mrekullitë e tija dhe gjyqet e gojës së tij:
6 ju fara e Abrahamit, shërbëtorët e tij, ju, o bijtë e Jakobit, të zgjedhurit e tij!
7 Ai është Zoti, Hyji ynë, mbi mbarë tokën gjyqet e tija!
8 Ai s’e harron Besëlidhjen e vet askurrë, premtimin që ua bëri një mijë breznive,
9 lidhjen që e bëri me Abrahamin dhe përbetimin që i bëri Izakut.


UNGJILLI: Gjoni 8:51-59

51 Përnjëmend, përnjëmend po ju them: ai që e zbaton fjalën time,
askurrë s’do ta shohë vdekjen”
52 [Atëherë] judenjtë i thanë: “Tani po shohim qartë se je i djallosur. Abrahami vdiq e vdiqën edhe profetët, e ti thua: Ai që zbaton fjalën time, askurrë s’do ta shohë vdekjen.’
53 A mos je ti më i madh se Ati ynë Abrahami, i cili vdiq? Po edhe profetët vdiqën. Kush kujton se je?”
54 Jezusi u përgjigj: “Nëse unë e lavdëroj vetveten, lavdi im është asgjë; ka kush më lavdëron - im Atë, për të cilin ju thoni: ‘është Hyji ynë’,
55 por ju nuk e njohët, përkundrazi unë e njoh. Po t’ju thoja se nuk e njoh,
do të isha gënjeshtar si ju. Por unë e njoh dhe e mbaj fjalën e tij.
56 Abrahami, ati juaj, galdoi në shpirt nga dëshira për ta parë Ditën time.
E pa dhe u gëzua.”
57 Atëherë judenjtë i thanë: “Ende nuk je as pesëdhjetë vjeç dhe e pe Abrahamin!”
58 Jezusi u përgjigj: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: përpara se të ishte Abrahami, UNË JAM!”
59 Atëherë kapën gurë për ta gjuajtur, por Jezusi u fsheh dhe doli prej Tempullit.



“Nëse njerëzit do të bënin për Zotin atë që bëjnë për botën, njerëzit e mi të dashur, sa shumë Kristjanë do të shkonin në Qiell! Por nëse ju fëmijët e mi të dashur, do të kalonit 3 ose 4 orë duke u lutur në një Kishë, ashtu si i kaloni ato në një vallëzim apo në një kabare, sa e rëndë do t'ju peshonte bota mbi ju.”

-- Shën Gjon Viannei