Pages

Jesusi: 'Kushdo që lartohet do të ulet, dhe..' - E Shtunë 9 Mars 2013


Leximi i parë: Osea 6:1-6
Psalm: Psalm 51:3-4, 18-19
UNGJILLI: Luka 18:9-14
-------------------------------------------

Leximi i parë: Osea 6:1-6

1. Ejani, të kthehemi tek Zoti, sepse ai na ka copëtuar, por do të na shërojë; na ka goditur, por do të na mbështjellë.

2. Mbas dy ditësh do të na japë përsëri jetë, ditën e tretë do të na ringjallë dhe ne do të jetojmë në prani të tij.

3. E njohim Zotin, të përpiqemi ta njohim më mirë; ardhja e tij është e sigurt si agimi. Ai do të na vijë si shiu, si shiu i fundit dhe i parë mbi tokë.

4. "Çfarë duhet të bëj me ty, o Efraim? Çfarë duhet të bëj me ty, o Judë? Dashuria juaj është si një re e mëngjesit, si vesa që në mëngjes zhduket shpejt.

5. Prandaj i kam prerë me anë të profetëve, i kam vrarë me fjalët e gojës sime dhe gjykimet e mia për ju janë si drita që lind.

6. Sepse unë dëshiroj mëshirë dhe jo flijimet, dhe njohjen e Perëndisë më shumë se olokaustet.

Psalm: Psalm 51:3-4, 18-19

3. Sepse i pranoj të ligat që kam bërë, dhe mëkati im më rri gjithnjë përpara.

4.Kam mëkatuar kundër teje, vetëm kundër teje, dhe kam bërë atë që është e keqe për sytë e tu, me qëllim që ti të njihesh i drejtë kur flet dhe i ndershëm kur gjykon.

18. Bëj të mirën Sionit për dashamirësinë tënde, ndërto muret e Jeruzalemit.

19. Atëherë do të gëzohesh në flijimet e drejtësisë, në olokaustet dhe në ofertat që digjen tërësisht; atëherë do të ofrohen dema të rinj mbi altarin tënd.

UNGJILLI: Luka 18:9-14

9. Ai tha edhe këtë shëmbëlltyre për disa që pretendonin se ishin të drejtë dhe i përbuznin të tjerët.

10. ``Dy njerëz u ngjitën në tempull për t`u lutur; njëri ishte farise dhe tjetri tagrambledhës.

11. Fariseu rrinte në këmbë dhe lutej në vetvete kështu: "O Perëndi, të falënderoj që nuk jam si njerëzit e tjerë, grabitqarë, të padrejtë, kurorëshkelës, dhe as si ai tagrambledhës.

12. Unë agjëroj dy herë në javë dhe paguaj të dhjetën e gjithçkaje që kam".

13. Kurse tagrambledhësi rrinte larg dhe as që guxonte t`i çonte sytë drejt qiellit; por rrihte kraharorin e vet duke thënë: "O Perëndi, ji i mëshirshëm ndaj mua mëkatarit".

14. Dhe unë po ju them se ky, dhe jo tjetri, u kthye në shtëpinë e vet i shfajësuar; sepse kushdo që lartohet do të ulet, dhe kush ulet, do të lartohet``.