Pages

Dëshmia e dy njerëzve është e vërtetë - Hënë 18 Mars 2013


Leximi i parë: Danieli 13:1-9, 15-17, 19-30, 33-62
ose Danieli 13:41-62
Psalm: Psalm 23:1-6
UNGJILLI: Gjoni 8:12-20


Leximi i parë: Danieli 13:1-9, 15-17, 19-30, 33-62

1. Na ishte në Babiloni një njeri që e kishte emrin Joakim.
2. Kishte marrë për grua Suzanën, bijën e Helcisë, që ishte shumë e bukur dhe e druante Zotin.
3. Prindërit e saj, pasi ishin njerëz të drejtë, e edukuan vajzën e vet sipas Ligjit të Moisiut.
4. Joakimi ishte shumë i pasur. Përbri shtëpisë së vet kishte një kopsht. Tek ai tuboheshin judenjtë me shumicë, sepse e çmonin më tepër se të gjithë të tjerët.
5. Atë vit zgjodhën për gjykatës dy pleq nga populli. Ishin nga ata, për të cilët Zoti ka thënë: “Paudhësia doli nga Babilonia me anë të pleqve gjykatës që vetëm dukeshin si udhëheqës të popullit.
6. Këta shkonin në shtëpinë e Joakimit dhe tek ata shkonin të gjithë ata që kishin ndonjë çështje gjyqësore.
7. Kur, rreth mesditës, populli shpërndahej, Suzana dilte e shëtiste në kopshtin e burrit të vet.
8. Ata dy pleqtë e shihnin çdo ditë duke hyrë e shëtitur dhe e lakmuan.
9. E humbën dritën e arsyes, sytë e vet më nuk i lartësuan për ta parë Qiellin e për t’i kujtuar gjyqet e drejta.
15. Kështu ata po prisnin rastin e volitshëm. Një ditë erdhi Suzana, sikurse edhe ditëve më përpara, vetëm me dy shërbëtore e, pasi bënte vapë, deshi të bëjë banjë në kopsht.
16. Aty s’ishte askush tjetër, përveç dy pleqve të fshehur që po e shikonin.
17. Suzana u tha shërbëtoreve: “Më sillni vaj e erëra të mira dhe ma mbyllni derën e kopshtit që të lahem.”
19. Kur shërbëtoret dolën, u çuan dy pleqtë, vrapuan tek ajo e i thanë:
20. “Ja, dyert e kopshtit janë të mbyllura e askush nuk na sheh. Ne kemi rënë në dëshirimin tënd: na u dorëzo e të biem me ty!
21. Por, nëse s’dëgjon, do të bëjmë dëshmi kundër teje se ka qenë me ty një djalosh e për këtë arsye i ke nisur shërbëtoret larg teje.”
22. Suzana dënesi e tha: “Kam rënë gjallë e ngushtë: në qoftë se bëj atë çka kërkoni, më pret vdekja, në qoftë se s’bëj ashtu, s’do të mund të shpëtoj prej duarve tuaja;
23. por më mirë është për mua të bie në duart tuaja pa e pasë bërë këtë të keqe se të mëkatoj para syve të Zotit.”
24. Atëherë Suzana lëshoi një britmë të madhe. Bërtitën edhe pleqtë kundër saj
25. dhe njëri prej tyre u lëshua vrap dhe e hapi derën e kopshtit.
26. Kur anëtarët e familjes dëgjuan britmat në kopsht, u lëshuan vrap nëpër derën anësore për të parë se ç’kishte ndodhur.
27. Kur pleqtë i treguan fjalët e veta, shërbëtorëve u ra një hije e zezë, sepse kurrë për Suzanën nuk ishte thënë një fjalë e tillë.
28. Të nesërmen, kur u mblodh populli në kuvend te Joakimi, burri i saj, erdhën edhe dy pleqtë plotësisht të vendosur që ta dënojnë Suzanën me vdekje.
29. Ata thanë para popullit: “Silleni Suzanën, bijën e Helcisë, gruan e Joakimit!” Ata shkuan për ta sjellë.
30. Ajo erdhi me prindër, me fëmijë e me të gjithë kushërinjtë.
33. Qanin të gjithë njerëzit e saj dhe të gjithë ata që e shikonin.
34. Dy pleqtë u ngritën mes popullit e ia vunë duart mbi kokë.
35 Ajo, duke qarë, i çoi sytë drejt qiellit: sepse zemra e saj kishte besim në Zotin.
36. Pleqtë thanë: “Ndërsa ne po shëtisnim vetëm në kopsht, kjo hyri në kopsht me dy shërbëtore, e mbylli derën e kopshtit e i nisi shërbëtoret.
37. Atëherë iu afrua një djalosh që kishte qenë i fshehur, dhe ra me të.
38. Ne që ndodheshim në një kënd të kopshtit, kur e pamë këtë poshtërsi, vrapuam tek ata e i pamë mirë se ishin bashkuar.
39. Por atë nuk mundëm ta kapnim, sepse ishte më i fuqishëm se ne dhe, si e hapi derën, iku.
40. Këtë e kapëm dhe e pyetëm kush ishte ai djalosh, por nuk deshi të na tregojë. Për këtë gjë ne jemi dëshmitarë!”
41. Njerëzit u besuan porsi pleqve të popullit e gjykatësve dhe e dënuan Suzanën me vdekje.
42. Suzana lëshoi një britmë të madhe e tha: “O Hyj i amshueshëm, ti që i njeh fshehtësitë, ti që di gjithçka para se të ndodhë,
43. ti e di mirë se kundër meje sollën dëshmi të rreme! Ja, unë po vdes, megjithëse nuk bëra asgjë prej atyre që i sendërtoi shpirtligësia e tyre kundër meje!”
44. Zoti e dëgjoi lutjen e saj.
45. Ndërsa po e çonin për ta vrarë, Hyji zgjoi shpirtin e shenjtë të një djaloshi të ri, që quhet Daniel.
46. Ai bërtiti me zë të lartë: “Unë jam i pafajshëm për gjakun e saj!”
47. Mbarë populli u soll prej tij e i tha: “Ç’është kjo fjalë që e the?”
48. Ai qëndroi mes tyre e tha: “Kaq të marrë jeni, bijtë e Izraelit? Pa e pasë pleqëruar të vërtetën e pa e njohur, e dënuat bijën e Izraelit!
49. Kthehuni në gjyq, sepse kanë dhënë dëshmi të rreme kundër saj!”
50. Vrik u kthye mbarë populli e të parët i thanë: “Eja, ulu mes nesh e na trego, sepse Zoti ta dha nderin e pleqërisë!”
51. Atëherë Danieli u tha: “Ndajini ata larg njëri‑tjetrit e unë do t’i marr në pyetje.”
52. Pasi qenë ndarë prej njëri-tjetrit, e thirri njërin prej tyre e i tha: “Plakushani i ditëve të zeza, tani po dalin në dritë mëkatet e tua, që më parë i bëje,
53. duke gjykuar gjyqe padrejtësisht: të pafajshmit i dënoje e fajtorët i liroje, e mirë e di se Zoti thotë: ‘Mos e vra të pafajshmin e të drejtin!’
54. Tani, pra, nëse e ke parë, thuaj nën cilën pemë i pe duke biseduar?’ Ai u përgjigj: “Nën xinë.”
55. Danieli i tha: “Me të drejtë rrejte në dëm të kokës sate! Sepse, ja, posa engjëlli e mori dënimin prej Hyjit, do të të presë përmes!”
56. Si e larguan atë, urdhëroi të sillet tjetri e i tha: “Pjellë e Kanaanit e jo e Judës, t’i mori mendtë bukuria e lakmia ta prishi zemrën.
57. Kështu ua bënit bijave të Izraelit e ato prej frikës ju lëshoheshin në duar, por bija e Judës nuk e duroi poshtërsinë tuaj.
58. Tani, pra, më thuaj: nën cilën pemë i zure ata duke biseduar?” Ai tha: “Nën plepin e egër!”
59. Atëherë Danieli i tha: “Me të drejtë rrejte në dëm të kokës sate edhe ti! Gati është në këmbë engjëlli i Hyjit, me shpatë në dorë për të të prerë përmes e për të të vrarë!”
60. Atëherë mbarë kuvendi zuri të bërtasë me zë të lartë e t’i japë lavdi Hyjit, që i shpëton ata që shpresojnë në të.
61. U çuan kundër dy pleqve - të cilët Danieli i shtrëngoi të pohonin me gojën e vet se kishin dhënë dëshmi të rreme - dhe ua bënë atyre ashtu si ata, të shtyrë nga shpirtligësia e vet, kishin sendërtuar t’ia bënin të afërmit, 
62. sipas Ligjit të Moisiut i vranë ata. Dhe atë ditë e shpëtuan gjakun e pafajshëm.

Psalm: Psalm 23:1-6

1. Zoti është bariu im, asgjë nuk do të më mungojë.

2. Ai më çon në kullota me bar të njomë, më drejton pranë ujërave që të çlodhin.

3. Ai ma përtërin shpirtin, më çon nëpër shtigjet e drejtësisë, nga dashuria që ka për emrin e tij.

4. Edhe sikur të ecja në luginën e hijes së vdekjes, nuk do të kisha frikë nga asnjë e keqe, sepse ti je me mua; shkopi yt dhe thupra jote janë ato që më japin zemër.

5. Ti shtron para meje tryezën në prani të armiqve të mi; ti vajos kokën time me vaj; kupa ime po derdhet.

6. Me siguri pasuri dhe mirësi do të më shoqërojnë në gjithë ditët e jetës ime; dhe unë do të banoj në shtëpinë e Zotit ditë të gjata.

UNGJILLI: Gjoni 8:12-20

12. Dhe Jezusi u foli atyre përsëri duke thënë: ``Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës``.

13. Atëherë farisenjtë i thanë: ``Ti dëshmon për vetveten; dëshmimi yt nuk është i vërtetë``.

14. Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: ``Edhe pse dëshmoj për vetvete, dëshmimi im është i vërtetë, sepse unë e di nga kam ardhur e ku po shkoj; ju, përkundrazi, nuk e dini as nga vij dhe as ku po shkoj.

15. Ju gjykoni sipas mishit, unë nuk gjykoj asnjeri.

16. Por, edhe kur gjykoj, gjykimi im është i vërtetë, sepse unë nuk jam vetëm, por jam unë dhe Ati që më dërgoi.

17. Edhe në ligjin tuaj është shkruar se dëshmimi i dy njerëzve është i vërtetë.

18. Unë jam ai që dëshmoj për vetvete dhe Ati që më ka dërguar dëshmon për mua``.

19. Atëherë i thanë: ``Ku është Ati yt?``. Jezusi u përgjigj: ``Ju nuk më njihni as mua, as Atin tim; po të më njihnit mua, do të njihnit edhe Atin tim``.

20. Jezusi i shprehu këto fjalë në vendin e thesarit, duke mësuar në tempull dhe askush nuk e kapi, sepse nuk i kishte ardhur akoma ora.