Pages

Java e Shenjtë - Jesusi: "Njëri prej jush do të më tradhtojë" - E Martë 26 Mars 2013


Leximi i parë: Isaia 49:1-6
Psalm: Psalm 71:1-6, 15, 17
UNGJILLI: Gjoni 13:21-33, 36-38



Leximi i parë: Isaia 49:1-6

1 Më dëgjoni, o ishuj, vështroni me kujdes, popuj të largët: Zoti më thirri prej prehrit të nënës, prej barkut të nënës sime iu kujtua emri im.
2 Gojën time e bëri shpatë të mprehtë, më mbrojti nën hijen e dorës së vet,
më bëri shigjetë të zgjedhur e më fshehu në kukurrën e vet
3 dhe më tha: “Shërbëtori im je, o Izrael, në të cilin do ta dëftoj lavdinë time!”
4 E unë thashë: “Kot u mundova, më kot forcat i treta të miat! Megjithatë, e drejta ime është me Zotin, shpërblimi im është te Hyji im.”
5 E tani thotë Zoti që më trajtoi që nga kraharori shërbëtor për vete,
për t’ia kthyer Jakobin Atij, për ta mbledhur rreth tij Izraelin.
U bëra i lavdishëm ndër sytë e Zotit, Hyji im u bë fuqia ime.
6 Ai më tha: “Tepër pak është të më jesh shërbëtor për t’i rilindur fiset e Jakobit, për t’i riatdhesuar Tepricat e Izraelit: por të caktoj të jesh drita e popujve që shëlbimi im të arrijë në skaj të tokës!”


Psalm: Psalm 71:1-6, 15, 17
1 Në ndore tënde, o Zot, askurrë mos u turpërofsha.
2 Më shpëto e më dil zot pashë drejtësinë tënde, prire mbi mua veshin tënd e më shëlbo!
3 Ji për mua shkëmb mbrojtjeje, kullë e pamposhtur për të më shpëtuar,
sepse ti je kështjella ime e strehimi im.
4 Hyji im, më shpëto prej dorës së mëkatarit, prej dorës së derhuzdit e të dinakut.
5 Sepse ti, o Zot, je shpresa ime, shpresa ime, o Zot, që prej rinisë sime.
6 Në ty jam mbështetur që prejkraharorit të nënës, që prejprehrit të nënës ti je mbrojtësi im, mburrja ime është gjithmonë në ty.
15 Goja ime do ta shpallë drejtësinë tënde, gjithë ditën shpëtimin tënd:
që s’di të ketë masë në madhëri.
17 Ti më ke mësuar, o Hyj, që prejrinisë sime dhe ende sot i kumtoj mrekullitë e tua.


UNGJILLI: Gjoni 13:21-33, 36-38

21 Si i tha këto, Jezusi, i tronditur në shpirt, shpalli: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: njëri prej jush do të më tradhtojë.”
22 Atëherë nxënësit shikuan njëri‑tjetrin duke mos ditur për cilin po fliste. 23Njëri prej nxënësve, ai, të cilin Jezusi e donte veçanërisht, ishte në tryezë përbri parzmës së Jezusit. 
24 Atëherë Simon Pjetri i dha shenjë ta pyeste Jezusin për cilin po thoshte: 
25 Ky atëherë iu mbështet Jezusit në parzëm dhe e pyeti: “Zotëri, cili është?”
26 Jezusi iu përgjigj: “Ky, të cilit po ia jap kafshatën pasi ta ngjyej në kupë.”
Atëherë e ngjeu kafshatën [e mori dhe] ia dha Judës së Simon Iskariotit. 27Pas kësaj kafshate në të hyri djalli. Atëherë Jezusi i tha: “Ç’ke në mend të bësh, bëje shpejt!”
28 Askush prej atyre që ishin në tryezë nuk e mori vesh pse i tha ashtu. 
29 E, pasi Juda mbante qesen, disa menduan se Jezusi i tha të shkojë të blejë çka duhet për festë, ose t’u japë ndonjë gjë skamnorëve.
30 Juda, posa mori kafshatën, menjëherë doli jashtë. Ishte natë.

Urdhri i ri
31 Pasi Juda doli përjshta, Jezusi tha: “Tani u lavdërua Biri i njeriut! Edhe Hyji u lavdërua në të!
32 [Nëse Hyji u lavdërua në të] edhe Hyji do ta lavdërojë atë në vetvete. Po, madje menjëherë do ta lavdërojë!
33 Fëmijëzit e mi! Edhe pak kohë jam me ju! Do të më kërkoni, por, siç u thashë judenjve, tani po ju them edhe juve: ‘ku unë po shkoj, ju nuk mund të vini.’
36 Simon Pjetri i tha: “Zotëri, ku mendon të shkosh?”
Jezusi [iu] përgjigj: “Ku unë mendoj të shkoj, ti tani nuk mund të më ndjekësh; por më vonë do të më ndjekësh.”
37 “Zotëri ‑ i tha atëherë Pjetri ‑ E pse tani nuk mund të vij pas teje? Unë do ta jap jetën për ty!”
38 Jezusi u përgjigj: “Ti do ta jepësh jetën tënde për mua? Përnjëmend, përnjëmend po të them: para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë!”