Pages

Java e Shenjtë - Jesusi "Biri i njeriut po shkon ashtu si është në Shkrimin e Shenjtë" - E Mërkurë 27 Mars 2013


Leximi i parë: Isaia 50:4-9
Psalm: Psalm 69:8-10, 21-22, 31, 33-34
UNGJILLI: Mateu 26:14-25



Leximi i parë: Isaia 50:4-9

4 Zoti Hyj ma dha një gjuhë të ditur që të di ta përforcoj me fjalë të lodhurin.
Çdo mëngjes veshin ma zgjon që të dëgjoj siç dëgjon nxënësi.
5 Zoti Hyj ma hapi veshin, s’kundërshtova, nuk u zmbrapsa.
6 Shpinën ua solla atyre që më rrahnin, mollëzat e mia atyre që ma shkulnin mjekrrën: fytyrën time nuk e largova nga të sharat e pështymat.
7 Zoti Hyj është ndihmëtari im, këndej edhe s’jam i tronditur, prandaj fytyrën time e bëra të fortë si shkëmbi pse e di se s’do të mbetem i turpëruar.
8 Afër e kam atë që ma jep të drejtën, kush guxon të shtyhet në gjyq me mua? Le të dalim përballë njëri‑tjetrit! Kush është kundërshtari im? Le të më dalë përballë!
9 Ja, Zoti Hyj është ndihmëtari im, kush është ai që do të më dënojë?
Të gjithë ata do të brishen si petku, tenja do t’i brejë!

Psalm: Psalm 69:8-10, 21-22, 31, 33-34

8 Sepse për shkak tëndin e mbarta poshtërimin, turpi ma mbuloi fytyrën,
9 u bëra i huaj për vëllezërit e mi, i panjohur për bijtë e nënës sime.
10 Pse shkrihem në zell për Shtëpinë tënde, përbuzjet e atyre që ty të përqeshin ranë mbi mua.
21 Poshtërimi ma këputi zemrën e më lëshuan fuqitë, prita të gjendet dikush që të më ankojë, por s’qe, ndokush që të më ngushëllojë, por s’e gjeta.
22 Në ushqim më hodhën vrer e në etje më dhanë të pi uthull.
31 Do të lëvdoj Emrin e Hyjit me këngë, do ta lartësoj me këngë falenderimi.
33 Le të shikojnë të përvuajturit e le të gëzohen; kërkojeni Hyjin e zemra do t’ju kërthndezet.
34 Sepse Zoti i dëgjon skamnorët, s’i përbuz të vetët që janë të robëruar.


UNGJILLI: Mateu 26:14-25

14 Atëherë njëri prej të Dymbëdhjetëve ‑ ai që quhet Judë Iskarioti, shkoi te kryepriftërinjtë 
15 dhe u tha: “Çka po më jepni e unë po jua dorëzoj?” Ata i caktuan tridhjetë sikla të argjendta
16 Që atëherë Juda kërkonte rastin e volitshëm për ta tradhtuar.

Përgatitja e Darkës së Pashkëve
(Mk 14, 12‑21; Lk 22, 7‑14; 21‑23; Gjn 13, 21‑30)

17 Të parën ditë të Bukëve të pabrume, iu afruan Jezusit nxënësit dhe e pyetën: “Ku dëshiron ta bëjmë gati darkën e Pashkëve?”
18 Ai u tha: “Shkoni në qytet te filani dhe thuajini: Mësuesi thotë: koha ime është afër! Te ti do të kremtoj Pashkët me nxënësit e mi.”
19 Nxënësit bënë si u urdhëroi Jezusi dhe përgatitën darkën e Pashkëve.
20 Kur u bë natë, Jezusi u ul në tryezë bashkë me të Dymbëdhjetët. 
21 Ndërsa po hanin, ai u tha: “Për të vërtetë po ju them: njëri prej jush do të më tradhtojë!” 
22 Të trishtuar për së tepërmi, zunë ta pyesnin njëri pas tjetrit: “A mos jam unë, Zotëri?”
23 Ai iu përgjigj: “Ai që po e ngjyen kafshatën me mua në pjatë ‑ ai do të më tradhtojë. 
24 Po, Biri i njeriut patjetër po shkon siç është në Shkrimin e shenjtë për të. Porse: vaj për atë njeri që po e tradhton Birin e njeriut! Më mirë do të kishte qenë për të të mos kishte lindur aspak!”
25 Atëherë e pyeti edhe Juda, tradhtari i tij: “A mos jam unë, Mësues?”
“E the vetë!” ‑ iu përgjigj Jezusi.



 “Siguria që jep drita hyjnore është më e madhe se sa ajo që drita e arsyes natyrore jep”

-- Shën. Tomas Aquinas