Pages

Gëzimi i Atit për kthimin e birit të humbur - E Dielë 10 Mars 2013


Leximi i parë: Jozueu 5:9, 10-12
Psalm: Psalm 34:2-7
Leximi i dytë: 2 e Korintasve 5:17-21
UNGJILLI: Luka 15:1-3, 11-32
------------------------------------------------

Leximi i parë: Jozueu 5:9, 10-12

9. Atëherë Zoti i tha Jozueut: "Sot ju hoqa turpërimin e Egjiptit", dhe ai vend u quajt Gilgal deri në ditët e sotme.

10. Bijtë e Izraelit e ngritën kampin e tyre në Gilgal dhe e kremtuan Pashkën ditën e katërmbëdhjetë të muajit, në të ngrysur, në fushat e Jerikos.

11. Të nesërmen e Pashkës hëngrën prodhime të vendit, bukë të ndorme dhe grurë të pjekur po atë ditë.

12. Të nesërmen hëngrën prodhime të vendit, mana mbaroi; kështu bijtë e Izraelit nuk patën më manë, por atë vit hëngrën frytet e vendit të Kanaanit.


Psalm: Psalm 34:2-7

2. Shpirti im do të krenohet me Zotin; njerëzit e përulur do ta dëgjojnë dhe do të gëzohen.

3. Lartojeni Zotin bashkë me mua, dhe të lëvdojnë të gjithë emrin e tij.

4. Unë e kërkova Zotin, dhe ai m`u përgjigj dhe më çliroi nga të gjitha tmerret e mia.

5. Ata e shikuan atë dhe u ndriçuan, dhe fytyrat e tyre nuk u turpëruan.

6. Ky i pikëlluar klithi dhe Zoti e plotësoi, e shpëtoi nga të gjitha fatkeqësitë e tij.

7. Engjëlli i Zotit zë vend rreth atyre që kanë frikë prej tij dhe i çliron.


Leximi i dytë: 2 e Korintasve 5:17-21

17. Prandaj nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re; gjërat e vjetra kanë shkuar; ja, të gjitha gjërat u bënë të reja.

18. Edhe të gjitha gjërat janë nga Perëndia që na pajtoi me veten përmes Jezu Krishtit dhe na dha shërbimin i pajtimit,

19. sepse Perëndia e ka pajtuar botën me veten në Krishtin, duke mos ua numëruar njerëzve fajet e tyre dhe vuri ndër ne fjalën e paqtimit.

20. Ne, pra, bëhemi lajmëtarë për Krishtin, sikurse Perëndia të këshillonte nëpërmjet nesh; dhe ne ju këshillojmë juve për hir të Krishtit: Paqtohuni me Perëndinë!

21. Sepse ai bëri të jetë mëkat për ne ai që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të.


UNGJILLI: Luka 15:1-3, 11-32

1. Pastaj të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin për ta dëgjuar.

2. Dhe farisenjtë dhe skribët murmuritnin duke thënë: ``Ky i pranon mëkatarët dhe ha bashkë me ta``.

3. Atëherë ai u tha këtë shëmbëlltyrë:

11. Tha akoma: ``Një njeri kishte dy bij.

12. Më i riu i tyre i tha babait: "Atë, më jep pjesën e pasurisë që më takon". Dhe i ati ua ndau mes tyre pasurinë.

13. Mbas pak ditësh biri më i ri mblodhi çdo gjë, shkoi në një vend të largët dhe atje e prishi gjithë pasurinë, duke bërë një jetë të shthurur.

14. Por, si i shpenzoi të gjitha, në atë vend ra një zi e madhe buke, dhe ai filloi të jetë në hall.

15. Atëherë shkoi e iu ngjit pas një banori të atij vendi, i cili e çoi në arat e tij që të ruajë derrat.

16. Dhe ai dëshironte të mbushte barkun me lendet që hanin derrat, por askush nuk ia jepte.

17. Atëherë erdhi në vete dhe tha: "Sa punëtorëve mëditës të atit tim u tepron buka, kurse unë po vdes nga uria!

18. Do të çohem dhe do të shkoj tek im atë dhe do t`i them: Atë, mëkatova kundër qiellit dhe para teje;

19. nuk jam më i denjë të quhem yt bir; trajtomë si një nga mëditësit e tu".

20. U çua, pra, dhe shkoi tek i ati. Por kur ishte ende larg, i ati e pa dhe dhembshuri; u lëshua vrap, ra mbi qafën e tij dhe e puthi.

21. Dhe i biri i tha: "O atë, mëkatova kundër qiellit dhe para teje dhe nuk jam më i denjë të quhem biri yt".

22. Por i ati u tha shërbëtorëve të vet: "Sillni këtu rrobën më të bukur dhe visheni, i vini një unazë në gisht dhe sandale në këmbë.

23. Nxirrni jashtë viçin e majmur dhe thereni; të hamë dhe të gëzohemi,

24. sepse ky biri im kishte vdekur dhe u kthye në jetë, kishte humbur dhe u gjet përsëri". Dhe filluan të bënin një festë të madhe.

25. Djali i tij i madh ishte në ara; dhe kur u kthye dhe iu afrua shtëpisë, dëgjoi këngë e valle.

26. Atëherë thirri një shërbëtor dhe e pyeti ç`ishte e gjitha kjo.

27. Dhe ai i tha: "U kthye yt vëlla dhe yt atë theri viçin e majmur, sepse iu kthye djali shëndoshë e mirë".

28. Kur i dëgjoj këto, ai u zemërua dhe nuk deshi të hynte; atëherë i ati doli dhe iu lut të hynte.

29. Por ai iu përgjigj të atit dhe tha: "Ja, u bënë kaq vite që unë të shërbej dhe kurrë s`kam shkelur asnjë nga urdhërat e tu, e megjithëatë kurrë s`më dhe një kec për të bërë një festë me miqtë e mi.

30. Por, kur u kthye ky djali yt, që prishi pasurinë tënde me prostituta, ti there për të viçin e majmur".

31. Atëherë i ati i tha: "O bir, ti je gjithmonë me mua, dhe çdo gjë që kam është jotja.

32. Por duhet të festojmë dhe të gëzohemi, sepse ky vëllai yt kishte vdekur dhe u kthye në jetë, kishte humbur dhe u gjet përsëri"``.