Pages

Jesusi: "Kush nga ju është pa mëkat, le të hedhi gurin i pari.." - E Dielë 17 Mars 2013


Leximi i parë: Isaia 43:16-21
Psalm: Psalm 126:1-6
Leximi i dytë: Filipianëve 3:8-14
UNGJILLI: Gjoni 8:1-11


Leximi i parë: Isaia 43:16-21

16. Kështu thotë Zoti që hapi një rrugë në det dhe një shteg midis ujërave të fuqishme,

17. që nxorri qerre, kuaj dhe një ushtri të fuqishme; ata dergjen të gjithë së bashku dhe nuk do të ngrihen më; janë asgjësuar dhe janë shuar si një kandil.

18. "Mos kujtoni më gjërat e kaluara, mos shqyrtoni më gjërat e lashta.

19. Ja, unë po bëj një gjë të re; ajo do të lëshojë degë; nuk do ta njihni ju? Po, do të hap një rrugë nëpër shkretëtirë, do të bëj që lumenjtë të rrjedhin në vendet e vetmuara.

20. Kafshët e fushave, çakajtë dhe strucat do të më përlëvdojnë, sepse do t`i jap ujë shkretëtirës dhe lumenj vendit të vetmuar për t`i dhënë të pijë popullit tim, të zgjedhurit tim.

21. Populli që kam formuar për vetë do të shpallë lëvdimet e mia.


Psalm: Psalm 126:1-6

1. Kur Zoti i bëri robërit e Sionit të kthehen, na u duk si ëndërr.

2. Atëherë goja jonë u mbush me qeshje dhe gjuha jonë me këngë gëzimi, atëherë thuhej midis kombeve: "Zoti ka bërë gjëra të mëdha për ta".

3. Zoti ka bërë gjëra të mëdha për ne, dhe jemi tërë gëzim.

4. Bëj të rikthehen robërit tanë, o Zot, ashtu si përrenjtë në jug.

5. Ata që mbjellin me lotë, do të korrin me këngë gëzimi.

6. Vërtetë ecën duke qarë ai që mban farën që do të mbillet, por ai do të kthehet më këngë gëzimi duke sjellë duajt e tij.


Leximi i dytë: Filipianëve 3:8-14

8. Dhe me të vërtetë i konsideroj të gjitha këto një humbje në krahasim me vlerën e lartë të njohjes së Jezu Krishtit, Zotit tim, për shkak të të cilit i humba të gjitha këto dhe i konsideroj si pleh, që unë të fitoj Krishtin,

9. dhe që të gjendem në të, duke pasur jo drejtësinë time që është nga ligji, por atë që është nga besimi në Krishtin: drejtësia që është nga Perëndia, me anë të besimit,

10. që të njoh atë dhe fuqinë e ringjalljes së tij dhe pjesëmarrjen në mundimet e tij, duke u bërë vetë i ngjashëm me të në vdekjen e tij,

11. që në ndonjë mënyrë të mund t`ia arrij ringjalljes prej së vdekurish.

12. Jo se unë tashmë e fitova çmimin ose jam bërë i përsosur, por po vazhdoj të rend për ta zënë, sepse edhe unë u zura nga Jezu Krishti.

13. Vëllezër, sa për vete, nuk mendoj se e kam zënë, por bëj këtë: duke harruar ato që kam lënë pas dhe duke u prirur drejt atyre që kam përpara,

14. po rend drejt synimit, drejt çmimit të thirrjes së lartme të Perëndisë në Krishtin Jezus.


UNGJILLI: Gjoni 8:1-11

1. Dhe Jezusi shkoi në malin e Ullinjve.

2. Por, si zbardhi dita, u kthye përsëri në tempull dhe gjithë populli erdhi tek ai; dhe ai u ul dhe i mësonte.

3. Atëherë farisenjtë dhe skribët i prunë një grua që ishte kapur duke shkelur kurorën dhe, mbasi e vunë në mes,

4. i thanë Jezusit: ``Mësues, kjo grua është kapur në flagrancë, duke shkelur kurorën.

5. Por në ligj Moisiu na ka urdhëruar të vriten me gurë gra të tilla, por ti ç`thua?``.

6. Flisnin kështu për ta vënë në provë dhe për të pasur diçka për ta paditur. Por Jezusi, duke u shtënë se nuk dëgjoi, u përkul dhe shkruante me gisht në dhe.

7. Dhe, kur ata vazhdonin ta pyesnin, ai u drejtua dhe u tha atyre: ``Kush nga ju është pa mëkat, le ta hedhë i pari gurin kundër saj!``.

8. Pastaj u përkul përsëri dhe shkruante në dhe.

9. Atëherë ata, e dëgjuan këtë dhe të bindur nga ndërgjegjia, u larguan një nga një, duke filluar nga më të vjetrit e deri te të fundit; kështu Jezusi mbeti vetëm me atë grua, që qëndronte atje në mes.

10. Jezusi atëherë u ngrit dhe, duke mos parë tjetër përveç gruas, i tha: ``O grua, ku janë ata që të paditnin? Askush nuk të dënoi?``.

11. Dhe ajo u përgjigj: ``Askush, Zot``. Atëherë Jezusi i tha: ``As unë nuk të dënoj; shko dhe mos mëkato më``.