Pages

Kthimi i Djalit planprishes - E Shtune 2 Mars 2013


Leximi i pare: Mikea 7:14-15, 18-20
Psalm: Psalm 103:1-4, 9-12
UNGJILLI: Luka 15:1-3, 11-32
------------------------------------------------

Leximi i pare: Mikea 7:14-15, 18-20

14. Kullot popullin tënd me shkopin tënd, kopenë e trashëgimisë sate, që rri i vetmuar në pyllin në mes të Karmelit. Le të kullosin në Bashan dhe në Galaad si në kohërat e lashta.

15. "Si në ditët që dole nga vendi i Egjiptit, unë do t`u tregoj atyre gjëra të mrekullueshme".

18.Cili Perëndi është si ti, që fal paudhësinë dhe e kapërcen shkeljen e mbetjes së trashëgimisë së tij? Ai nuk e mban përgjithnjë zemërimin e tij, sepse i pëlqen të jetë i mëshirshëm.

19. Atij do t`i vijë përsëri keq për ne, do të shkelë paudhësitë tona, Ti do të hedhësh në fund të detit tërë mëkatet tona.

20. Ti do t`ia tregosh besnikërinë tënde Jakobit dhe dhemshurinë tënde Abrahamit, siç iu betove etërve tanë qysh në kohërat e lashta.

Psalm: Psalm 103:1-4, 9-12

1. Beko, shpirti im, Zotin, dhe të gjitha ato që janë tek unë të bekojnë emrin e tij të shenjtë.

2. Beko, shpirti im, Zotin dhe mos harro asnjë nga të mirat që ka bërë.

3. Ai fal të gjitha paudhësitë e tua dhe shëron të gjitha sëmundjet e tua,

4. shpengon jetën tënde nga shkatërrimi dhe të kurorëzon me mirësi dhe dhembshuri;

9. Ai nuk grindet përjetë dhe nuk e ruan zemërimin gjithnjë.

10. Ai nuk na trajton siç e meritojnë mëkatet tona dhe nuk na dënon në bazë të fajeve tona.

11. Sepse sa të lartë janë qiejtë mbi tokën, aq e madhe është mirësia e tij ndaj atyre që kanë frikë prej tij.

12. Sa larg është lindja nga perëndimi, aq shumë ai ka larguar nga ne fajet tona.

UNGJILLI: Luka 15:1-3, 11-32

1. Pastaj të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin për ta dëgjuar.

2. Dhe farisenjtë dhe skribët murmuritnin duke thënë: ``Ky i pranon mëkatarët dhe ha bashkë me ta``.

3. Atëherë ai u tha këtë shëmbëlltyrë:

11. Tha akoma: ``Një njeri kishte dy bij.

12. Më i riu i tyre i tha babait: "Atë, më jep pjesën e pasurisë që më takon". Dhe i ati ua ndau mes tyre pasurinë.

13. Mbas pak ditësh biri më i ri mblodhi çdo gjë, shkoi në një vend të largët dhe atje e prishi gjithë pasurinë, duke bërë një jetë të shthurur.

14. Por, si i shpenzoi të gjitha, në atë vend ra një zi e madhe buke, dhe ai filloi të jetë në hall.

15. Atëherë shkoi e iu ngjit pas një banori të atij vendi, i cili e çoi në arat e tij që të ruajë derrat.

16. Dhe ai dëshironte të mbushte barkun me lendet që hanin derrat, por askush nuk ia jepte.

17. Atëherë erdhi në vete dhe tha: "Sa punëtorëve mëditës të atit tim u tepron buka, kurse unë po vdes nga uria!

18. Do të çohem dhe do të shkoj tek im atë dhe do t`i them: Atë, mëkatova kundër qiellit dhe para teje;

19. nuk jam më i denjë të quhem yt bir; trajtomë si një nga mëditësit e tu".

20. U çua, pra, dhe shkoi tek i ati. Por kur ishte ende larg, i ati e pa dhe dhembshuri; u lëshua vrap, ra mbi qafën e tij dhe e puthi.

21. Dhe i biri i tha: "O atë, mëkatova kundër qiellit dhe para teje dhe nuk jam më i denjë të quhem biri yt".

22. Por i ati u tha shërbëtorëve të vet: "Sillni këtu rrobën më të bukur dhe visheni, i vini një unazë në gisht dhe sandale në këmbë.

23. Nxirrni jashtë viçin e majmur dhe thereni; të hamë dhe të gëzohemi,

24. sepse ky biri im kishte vdekur dhe u kthye në jetë, kishte humbur dhe u gjet përsëri". Dhe filluan të bënin një festë të madhe.

25. Djali i tij i madh ishte në ara; dhe kur u kthye dhe iu afrua shtëpisë, dëgjoi këngë e valle.

26. Atëherë thirri një shërbëtor dhe e pyeti ç`ishte e gjitha kjo.

27. Dhe ai i tha: "U kthye yt vëlla dhe yt atë theri viçin e majmur, sepse iu kthye djali shëndoshë e mirë".

28. Kur i dëgjoj këto, ai u zemërua dhe nuk deshi të hynte; atëherë i ati doli dhe iu lut të hynte.

29. Por ai iu përgjigj të atit dhe tha: "Ja, u bënë kaq vite që unë të shërbej dhe kurrë s`kam shkelur asnjë nga urdhërat e tu, e megjithëatë kurrë s`më dhe një kec për të bërë një festë me miqtë e mi.

30. Por, kur u kthye ky djali yt, që prishi pasurinë tënde me prostituta, ti there për të viçin e majmur".

31. Atëherë i ati i tha: "O bir, ti je gjithmonë me mua, dhe çdo gjë që kam është jotja.

32. Por duhet të festojmë dhe të gëzohemi, sepse ky vëllai yt kishte vdekur dhe u kthye në jetë, kishte humbur dhe u gjet përsëri"``.