Pages

E Diela e Pashkës - Ai u ngjall së vdekuri - 31 Mars 2013


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 10:34, 37-43
Psalm: Psalm 118:1-2, 16-17, 22-23
Leximi i dytë: Kolosianëve 3:1-4 ose 1 e Korintasve 5:6-8
UNGJILLI: Gjoni 20:1-9



Leximi i parë: Veprat e Apostujve 10:34, 37-43

34 Atëherë Pjetri mori fjalën e tha: “Tani me të vërtetë po e marr vesh se Hyji nuk i mban kujt krah".
37 Ju e dini çka ka ndodhur në mbarë Judenë, duke filluar nga Galileja, pas pagëzimit që predikoi Gjoni, 38 se si Hyji Jezusin prej Nazaretit e shuguroi me Shpirtin Shenjt e me pushtet; atë që e përshkoi vendin duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë ata që kishin rënë nën pushtetin e djallit, sepse Hyji ishte me të. 39 Ne jemi dëshmitarë për gjithçka që bëri në mbarë krahinën e Judesë e në Jerusalem. E vranë “duke e varur në shtyllë”! 40 Hyji e ngjalli të tretën ditë dhe bëri që të dëftohet i gjallë 41 ‑ jo mbarë popullit në përgjithësi, por dëshmitarëve prej Hyjit të paracaktuar ‑ neve që bashkë me të kemi ngrënë e kemi pirë pasi u ngjall prej të vdekurish. 42 Ai edhe na urdhëroi t’i predikojmë popullit e t’i japim dëshmi se Jezusi prej Hyjit është caktuar Gjykatës i të gjallëve e i të vdekurve. 43 Për të bëjnë dëshmi të gjithë profetët: në fuqi të Emrit të tij i jepet falja e mëkateve secilit që beson në Të.”

Psalm: Psalm 118:1-2, 16-17, 22-23

1 ALELUJA!
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë,
sepse e amshuar është dashuria e tij!
2 Le të thotë tashti Izraeli, sepse është i mirë,
e amshuar është dashuria e tij!
16 “E djathta e Zotit u madhërua!
E djathta e Zotit më lartësoi!
E djathta e Zotit u madhërua”!
17 S’do të vdes, të jetoj dua,
do t’i kumtoj veprat e Zotit!
22 Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit,
erdhi e u bë guri i këndit;
23 Zoti e bëri këtë gjë:
sa mrekulli për sytë tanë!

Leximi i dytë: Kolosianëve 3:1-4 ose 1 e Korintasve 5:6-8

1 Nëse, pra, u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni çka është lart, ku gjendet Krishti ndenjur në fron në të djathtën e Hyjit! 2 Dëshironi gjërat që janë lart e jo këto përmbi tokë! 3 Sepse vdiqët dhe jeta juaj është e fshehur me Krishtin në Hyjin. 4 E kur të duket Krishti ‑ Jeta juaj, atëherë edhe ju bashkë me Të do të shfaqeni plot lavdi.

UNGJILLI: Gjoni 20:1-9

1 Ditën e parë të javës, në mëngjes, ende pa dalë drita, erdhi Maria Magdalenë te varri dhe pa se guri ishte hequr prej varrit. 2 Atëherë erdhi me vrap te Simon‑Pjetri dhe tek ai nxënësi tjetër, të cilin Jezusi e donte dhe u tha: “E kanë marrë Zotërinë prej varrit e nuk dimë se ku e kanë vënë.”
3 Atëherë dolën Pjetri dhe ai nxënësi tjetër e u nisën drejt varrit. 4 Vraponin të dy bashkë, por ai nxënësi tjetër ia kaloi Pjetrit dhe arriti i pari te varri. 5 Ai u përkul dhe pa pëlhurat e vëna aty, por nuk hyri. Ndërkaq mbërriti edhe Simon‑Pjetri që po vinte pas tij dhe hyri në varr. I pa pëlhurat e vëna 7 dhe rizën që pati qenë në kokë të Jezusit. Kjo nuk ishte me pëlhura, por veçmas e palosur në një vend.
8 Atëherë hyri edhe ai nxënësi tjetër, që mbërriti i pari te varri, pa e besoi. 9Në të vërtetë, ende nuk e kishin kuptuar Shkrimin e shenjtë: se duhej që Ai të ngjallej së vdekuri.