Pages

Jesusi shëron të shtunën - E Marte 12 Mars 2013


Leximi i parë: Ezekieli 47:1-9, 12
Psalm: Psalm 46: 2-3, 5-6, 8-9
UNGJILLI: Gjoni 5:1-16
--------------------------------------------

Leximi i parë: Ezekieli 47:1-9, 12

1. Ai më çoi përsëri në hyrje të tempullit, dhe ja disa ujëra dilnin nga poshtë pragut të tempullit në drejtim të lindjes, sepse fasada e tempullit shikonte nga lindja; ujërat zbrisnin poshtë anës së djathtë të tempullit, në jug të altarit.

2. Pastaj më çoi jashtë nëpërmjet portës veriore dhe më bëri të sillem jashtë deri në portën e jashtme, që shikon nga lindja; dhe ja, ujërat buronin nga ana e djathtë.

3. Burri eci deri drejt lindjes me një litar të hollë në dorë dhe mati njëmijë kubitë; pastaj më bëri të kapërcej ujërat, të cilat më arrinin deri te kyçet e këmbëve.

4. Mati katërmijë kubitë të tjerë, pastaj më bëri të kapërcej ujërat; më arrinin te kyçet e këmbëve. Mati katërmijë kubitë të tjerë, pastaj më bëri të kaloj ujërat: më arrinin deri te ijët.

5. Mati njëmijë kubitë të tjerë: ishte një lumë që nuk mund ta kapërceja, sepse ujërat e tij ishin shtuar; ishin ujëra në të cilat duhet të notoja; një lumë që nuk mund të kapërcehej.

6. Ai më tha: "E pe, bir njeriu?". Pastaj më ktheu përsëri në bregun e lumit.

7. Pas kthimit tim, ja mbi bregun e lumit shumë drurë nga një anë dhe nga ana tjetër.

8. Pastaj më tha: "Këto ujëra drejtohen për në krahinën lindore, zbresin në Arabah dhe do të derdhen në det; me të hyrë në det, ujërat e tij do të shëndoshen.

9. Dhe do të ndodhë që çdo qenie e gjallë që lëviz do të jetojë, kudo që arrin lumi; do të ketë bollëk të madh peshqish, sepse vijnë këto ujëra dhe shëndoshin ujërat e tjera; kudo që arrin lumi gjithçka ka për t`u gjallëruar.

12. Gjatë lumit, mbi të dyja brigjet e tij, do të rritet çdo lloj druri që jep fryte, fletët e tyre nuk do të fishken dhe frytet e tij nuk do të mungojnë kurrë. Do të mbajnë fryte çdo muaj, sepse ujërat e tyre dalin nga shenjtërorja, fryti i tyre do të shërbejë për ushqim dhe fletët e tyre për mjekim".


Psalm: Psalm 46: 2-3, 5-6, 8-9

2. Prandaj ne nuk do të kemi frikë edhe sikur toka të luajë dhe malet të hidhen në mes të detit,

3. dhe ujërat e tij të tërbohen dhe të shkumojnë, dhe malet të dridhen në fryerjen e tij. (Sela)

5. Perëndia është në mes të tij, ai nuk do të luajë nga vendi; Perëndia do ta ndihmojë në dritat e para të mëngjesit.

6. Kombet do të ziejnë, mbretëritë do të tronditen; ai dërgoi jashtë zërin e tij, toka u shkri.

8. Ejani dhe admironi veprat e Zotit, që ka bërë mrekulli mbi tokë.

9. Ai bën që të pushojnë luftërat deri në skajet e tokës; ai prish harqet dhe thyen shtizat, dhe djeg qerret me zjarr.


UNGJILLI: Gjoni 5:1-16

1. Pas këtyre ngjarjeve ishte një festë e Judenjve dhe Jezusi u ngjit në Jeruzalem.

2. Në Jeruzalem, afër portës së dhenve, është një pellg që në hebraisht quhet Betesda, dhe ka pesë portikë.

3. Nën to dergjeshin një numër i madh të lënguarish: të verbër, të çalë dhe të paralizuar, të cilët prisnin lëvizjen e ujit.

4. Sepse një engjëll, kohë pas kohe, zbriste në pellg dhe e lëvizte ujin; dhe i pari që hynte, mbasi uji ishte lëvizur, shërohej nga çfarëdo sëmundje që të kishte.

5. Aty ishte një njeri i lënguar prej tridhjetë e tetë vjetësh.

6. Jezusi, duke e parë shtrirë dhe duke ditur se prej shumë kohe ishte në atë gjendje, i tha: ``A dëshiron të shërohesh?``.

7. I lënguari u përgjigj: "Zot, unë s`kam njeri që, kur lëviz uji, të më fusë në pellg; dhe, ndërsa unë po shkoj, një tjetër zbret para meje``.

8. Jezusi i tha: ``Çohu, merr vigun tënd dhe ec!``.

9. Njeriu u shërua në çast, mori vigun e tij dhe eci. Atë ditë ishte e shtunë.

10. Prandaj Judenjtë i thanë atij që u shërua: ``Éshtë e shtunë; nuk është e ligjshme për ty të ngresh vigun tënd!``.

11. Ai iu përgjigj atyre: ``Ai që më shëroi më tha: "Merre vigun tënd dhe ec!"``.

12. Atëherë ata e pyetën: ``Kush është ai njeri që të tha: "Merre vigun tënd dhe ec"?``.

13. Por ai që ishte shëruar nuk e dinte kush ishte, sepse Jezusi ishte larguar për shkak të turmës që ishte në atë vend.

14. Më vonë Jezusi e gjeti në tempull dhe i tha: ``Ja, ti u shërove; mos mëkato më që të mos të të bëhet një gjë më e keqe``.

15. Ai njeri shkoi dhe u tregoi Judenjve se Jezusi ishte ai që e shëroi.

16. Për këtë Judenjtë e përndiqnin Jezusin dhe kërkonin ta vrisnin, sepse bënte këto gjëra të shtunave.