Pages

Atëherë Zoti Hyj tha: “Ja, njeriu u bë gati si njëri prej nesh duke e njohur të mirën e të keqen


Leximi i pare: Zanafilla 3:9-24
Psalmet 90:2-6, 12-13
Ungjilli: Marku 8:1-10

Leximi i pare: Zanafilla 3:9-24

9 Zoti Hyj e thirri njeriun e i tha: “Ku je”? 
10 Ky iu përgjigj: “Dëgjova zërin tënd në kopsht e u tremba, sepse jam lakuriq e u fsheha”. 
11 Ai i tha: “Kush të tregoi se je lakuriq? A mos hëngre frutat nga pema prej së cilës të kam urdhëruar të mos hash”? 
12 Njeriu u përgjigj: “Gruaja që ma dhe për shoqe, ajo më dha frut prej pemës dhe hëngra”. 
13 Atëherë Zoti Hyj i tha gruas: “Pse e bëre këtë”? Gruaja u përgjigj: “Më gënjeu gjarpri dhe hëngra”.

14 Atëherë Zoti Hyj i tha gjarprit:
“Pasi e bëre këtë gjë
qofsh mallkuar ndër të gjitha bagëtitë
dhe kafshët e egra!
Do të ecësh përmbi barkun tënd
dhe do të hash pluhur në të gjitha ditët e jetës sate!
15 Armiqësi do të vë ndërmjet teje e gruas,
ndërmjet farës sate e farës së saj:
fara e saj do të ta ndrydhë kokën,
kurse ti do t’ia sulmosh themrën”.

16 E gruas i tha:
“Do t’i shtoj mundimet e shtatzënisë sate,
në mundime do t’i lindësh fëmijët,
dëshirimi yt do të të shtyjë kah burri yt
e ai do të sundojë mbi ty.”

17 Kurse njeriut i tha:
“Pasi e dëgjove zërin e gruas sate
dhe hëngre frutin prej pemës që ta pata ndaluar ta hash:
Për shkak tëndin qoftë mallkuar toka!
Prej saj me mund do ta nxjerrësh kafshatën
për çdo ditë të jetës sate.
18 Do të të prodhojë ferra e halluga
dhe do të ushqehesh me barishte toke.
19 Me djersë të ballit tënd do ta hash bukën
derisa të mos kthehesh në dhe
prej të cilit qe nxjerrë,
sepse pluhur je dhe në pluhur do të kthehesh”!

20 Njeriu e quajti gruan e vet Evë, sepse ajo është nëna e të gjithë të gjallëve.
21 Zoti Hyj ia bëri njeriut e gruas së tij petkat prej lëkure dhe i veshi. 

22Atëherë Zoti Hyj tha: “Ja, njeriu u bë gati si njëri prej nesh duke e njohur të mirën e të keqen; tani, pra, s’do të ishte mirë ta shtrijë dorën e të marrë prej pemës së jetës e të hajë dhe të jetojë për amshim”.
23 Zoti Hyj e dëboi njeriun prej kopshtit të Edenit që ta punojë tokën prej së cilës qe krijuar. 
24 E dëboi njeriun dhe, në lindjen e kopshtit të Edenit, i vendosi kerubinët e shpatën flakëruese e vringëlluese për ta ruajtur shtegun e pemës së jetës.

Psalmet 90:2-6, 12-13

2 Para se të lindnin malet,
para se të bëhej toka dhe rruzulli,
prej amshimit të amshimit ti je Hyj!

3 Ti e kthen njeriun në pluhur
duke thënë: “Kthehuni, bijtë e Adamit!”

4 Sepse mijëra vjet për sy të tu
janë si dita e djeshme që kaloi,
porsi ndërresa e rojës së natës!

5 Ti i zhduk në gjasim të gjumit

6 që në mëngjes kalon si bari;
lulëzon në mëngjes edhe gjelbëron,
në mbrëmje korret edhe vyshket!

12 Na mëso ashtu t’i numërojmë ditët tona
që zemra jonë dijes t’ia mbërrijë.

13 Kthehu, o Zot! Deri kur kështu?
Deh, ki mëshirë për shërbëtorët e tu!

Ungjilli: Marku 8:1-10

1 Ndër ato ditë u bashkua përsëri turmë e madhe populli. Pasi s’kishin çka të hanë, Jezusi i thirri nxënësit e u tha:
2 “Po më dhimbsen këta njerëz se ja, ka tri ditë që po rrinë me mua e nuk kanë çka të hanë. 
3 Nëse i nisi të shkojnë të uritur në shtëpitë e veta, do të mbesin udhës. Disa prej tyre kanë ardhur prej së largu.”
4 Nxënësit e tij iu përgjigjën:
“E si mund t’i ngijë kush me bukë këtu, në këtë vend të shkretë?”
5 Ai i pyeti:
“Sa bukë keni?”
“Shtatë! ‑ iu përgjigjën ata.
6 Atëherë i urdhëroi turmës së popullit të ulet për tokë, i mori shtatë bukët, u falënderua, i ndau dhe ua dha nxënësve të vet t’ua vënë para. Ata ia dhanë popullit. 
7 Kishin edhe pak peshq të vegjël. I bekoi edhe ata dhe u urdhëroi t’ua ndajnë.
8 Hëngrën dhe u nginë. Çuan copa që tepruan shtatë shporta. 
9 Ishin rreth katër mijë vetë. Atëherë i përcolli të shkojnë. 
10 Menjëherë hyri në barkë me nxënësit e vet e shkoi në rrethinën e Dalmanutës.