Pages

Jesusi: "Kushdo bën mëkat është skllav i mëkatit" - E Mërkurë 20 Mars 2013


Leximi i parë: Danieli 3:14-20, 91-92, 95
Psalm: Danieli 3:52-56
UNGJILLI: Gjoni 8:31-42



Leximi i parë: Danieli 3:14-20, 91-92, 95

14. Duke turfulluar Nabukodonozori i pyeti: “A është e vërtetë, o Sedrak, Mizak e Abdenago, se nuk i nderoni zotat e mi dhe se truporen e artë që unë e ndërtova, nuk e adhuroni?

15. A jeni tani të gatshëm që, posa ta dëgjoni zërin e borisë, zamares, qestes, sambukës, psalterit, të orkestrës e të veglave muzikore të çdo lloji të përkuleni e ta adhuroni truporen që vetë e kam ndërtuar? Por, po qe se nuk e adhuroni, po në atë çast do të hidheni në furrën e skuqur me zjarr: e ku është ai zot që të mund t’ju nxjerrë prej dorës sime?”

16. Sedraku, Misaku, Abdenagoja u përgjigjën e i thanë mbretit Nabukodonozor: “S’kemi nevojë as të përgjigjemi për këtë gjë:

17. në qoftë se Hyji ynë, të cilin e ardhurojmë, mund të na shpëtojë nga furra e skuqur me zjarr e nga dora jote, o mbret, Ai do të na lirojë.

18. Por, nëse nuk do të dojë, le ta dish, o mbret, se nuk i adhurojmë zotat e tu as nuk e adhurojmë truporen e artë që ti e ke ngritur.”

19. Atëherë Nabukodonozori, plot furi, i mërrolur në fytyrë kundër Sedrakut, Misakut e Abdenagos foli e urdhëroi të ndizej furra shtatë herë më tepër se ishte zakon të skuqej.

20. Atëherë, disa njerëzve, ndër më të fortit e ushtrisë së vet, i urdhëroi t’i lidhin Sedrakun, Misakun e Abdenagon e t’i hedhin në furrën e skuqur me zjarr.

91. Atëherë mbreti Nabukodonozor mbeti i habitur dhe u ngrit me nxitim. I pyeti bujarët e vet: “Po a nuk i hodhëm tre vetë të lidhur në zjarr?” Ata iu përgjigjën mbretit: “Po, o mbret!”

92. Ai vazhdoi: “Po unë po shoh katër vetë të zgjidhur duke ecur në mes të zjarrit pa u bërë asnjë të keqe e i katërti e ka pamjen si djalë zotash.”

95. Atëherë Nabukodonozori brohoriti: “Qoftë bekuar Hyji i tyre: i Sedrakut, i Misakut e i Abdenagos, i cili e dërgoi engjëllin e vet dhe i shpëtoi shërbëtorët e vet që besuan në të e nuk e dëgjuan urdhrin e mbretit, por e dhanë trupin e vet të digjet për të mos u shërbyer e për të mos i adhuruar hyjnitë e tjera, përveç Hyjit të vet!

Psalm: Danieli 3:52-56

52. “I bekuar je, o Zot, Hyji i etërve tanë, i lavdishëm e tejet i lartësishëm në shekuj! I bekuar emri shenjt i lavdisë sate, tejet i lavdishëm e tejet i madhërueshëm në shekuj!
53. I bekuar je në Tempullin e lavdisë sate të shenjtë, tejet i lavdishëm e tejet i madhërueshëm në shekuj!
54. I bekuar je në fronin e mbretërisë sate, tejet i lavdishëm e tejet i madhërueshëm në shekuj!
55. I bekuar je, ti që shqyrton humnerat e që rri mbi kerubinë, i lavdishëm e tejet i madhërueshëm në shekuj!
56. I bekuar je në kupën qiellore, i lavdishëm e i madhërueshëm në shekuj!

UNGJILLI: Gjoni 8:31-42

31. Pastaj Jezusi u tha atyre judenjve që besuan në të: “Nëse do ta mbani fjalën time, vërtet do të jeni nxënësit e mi;

32. do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë njerëz të lirë.”

33. Ata iu përgjigjën: “Ne jemi pasardhës të Abrahamit dhe askurrë askujt nuk i qemë robër. Si po thua ti: ‘Do të bëheni të lirë?’“

34. Jezusi u përgjigj: “Për të vërtetë, për të vërtetë po ju them: kushdo bën mëkat është skllav (i mëkatit).

35. Skllavi nuk rri përgjithmonë në shtëpi, ndërsa djali rri përgjithmonë në shtëpi.

36. Nëse, pra, biri do t’ju çlirojë, me të vërtetë do të jeni të lirë.

37. E di se jeni pasardhës të Abrahamit, e megjithatë kërkoni të më vritni,
sepse fjala nuk gjen vend në ju.

38. Unë flas çka pashë tek Ati e ju bëni çka dëgjuat prej atit [tuaj].” Babai juaj është djalli

39. Ata iu përgjigjën: “Ati ynë është Abrahami.” Jezusi u tha: “Po të ishit bijtë e Abrahamit, do të bënit veprat e Abrahamit!

40. Dhe, ja, kërkoni të më vritni mua, që ju fola të vërtetën, që e dëgjova prej Hyjit. Një gjë të tillë Abrahami s’e bëri kurrë.

41. Ju bëni veprat e babait tuaj.” [Atëherë] i thanë: “Ne s’kemi lindur nga fëlligështia - kemi vetëm një baba - Hyjin”

42 Jezusi iu përgjigj: “Po ta kishit Hyjin Atë, do të më donit edhe mua, sepse unë prej Hyjit dola dhe erdha; nuk erdha prej vetvetes, por Ai më dërgoi.