Pages

Sot ky Shkrim u përmbush në veshët tuaja - E Djelë 24 Janar 2016

Leximi i parë: Nehemia 8:2-4, 5-6, 8-10
Psalmet 19:7-9, 14
Leximi i dytë: 1 e Korintasve 12:12-30
Ungjilli: Luka 1:1-4; 4:14-21


Leximi i parë: Nehemia 8:2-4, 5-6, 8-10

2. Ditën e parë të muajit të shtatë, prifti Ezdra solli ligjin para asamblesë së burrave, të grave dhe të gjithë atyre që ishin të aftë të kuptonin.
3. Pastaj e lexoi në sheshin që ndodhet përpara portës së Ujërave, nga agimi deri në mesditë përpara burrave, grave dhe atyre që ishin të aftë të kuptonin; dhe veshët e të gjithë popullit ndiqnin me vëmendje librin e ligjit.
4. Shkruesi Ezdra qëndronte mbi një tribunë prej druri që kishin bërë për këtë rast. Pranë tij ishin në të djathtë Matithiahu, Shema, Ananiahu, Uria, Hilkiahu dhe Maasejahu; në të majtë Pedajahu, Mishaeli, Malkijahu, Hashumi, Hashbadana, Zakaria dhe Meshulami.
5. Ezdra e hapi librin në prani të të gjithë popullit, sepse rrinte më lart se tërë populli; sa e hapi, tërë populli u ngrit në këmbë.
6. Ezdra bekoi Zotin, Perëndinë i madh, dhe tërë populli u përgjigj: "Amen, amen", duke ngritur duart; pastaj u përkulën dhe ranë përmbys me fytyrë për tokë përpara Zotit.
8. Ata lexonin në librin e ligjit të Perëndisë në mënyrë të qartë, duke shpjeguar domethënien e tij, me qëllim që të kuptonin atë që lexohej.
9. Nehemia, që ishte qeveritari, Ezdra, prift dhe shkrues, dhe Levitët që e mësonin popullin i thanë tërë popullit: "Kjo ditë i shenjtërohet Zotit, Perëndisë tuaj; mos mbani zi dhe mos qani!" Tërë populli qante kur dëgjonte fjalët e ligjit.
10. Pastaj Nehemia u tha atyre: "Shkoni, hani, ushqime shumë të shijshme dhe pini verëra të ëmbla, dhe u çoni racione atyre që nuk kanë përgatitur asgjë, sepse kjo ditë i është shenjtëruar Zotit tonë. Mos u trishtoni, sepse gëzimi i Zotit është fuqia juaj".

Psalmet 19:7-9, 14

7. Ligji i Zotit është i përsosur, ai e përtërin shpirtin; dëshmia e Zotit është e vërtetë dhe e bën të ditur njeriun e thjeshtë.
8. Porositë e Zotit janë të drejta dhe e gëzojnë zemrën; urdhërimet e Zotit janë te pastra dhe ndriçojnë sytë.
9. Frika e Zotit është e pastër, mbetet përjetë; gjykimet e Zotit janë të vërteta, të gjitha janë të drejta;
14. U miratofshin para teje fjalët e gojës sime dhe përsiatjet e zemrës sime, o Zot, kështjella ime dhe shpëtimtari im.

Leximi i dytë: 1 e Korintasve 12:12-30

12. Sepse ashtu si trupi është një, por ka shumë gjymtyrë, dhe të gjitha gjymtyrët e të njëtit trup, megjithse janë shumë, formojnë një trup të vetëm, kështu është edhe Krishti.
13. Sepse të gjithë ne jemi pagëzuar në një Frym të vetëm në të njëjtin trup, qofshin Hebrenjtë apo Grekët, qofshin skllevërit a të liruarit, dhe të gjithë jemi bërë të pimë në të njëjtin Frymë.
14. Sepse edhe trupi nuk është një gjymtyrë e vetme, por shumë.
15. Sikur të thoshte këmba: ``Mbasi nuk jam dorë, unë nuk jam pjesë e trupit``, mos për këtë nuk është pjesë e trupit?
16. Dhe sikur veshi të thoshte: ``Mbasi nuk jam sy, unë nuk jam pjesë e trupit``, mos për këtë nuk është pjesë e trupit?
17. Po të ishte gjithë trupi sy, ku do të ishte dëgjimi? Po të ishte gjithë dëgjim, ku do të ishte të nuhaturit?
18. Por Perëndia ka vënë çdo gjymtyrë të trupit si ka dashur.
19. Po të ishin të gjitha gjymtyrët një gjymtyrë e vetme, ku do të ishte trupi?
20. Kështu, pra, janë shumë gjymtyrë, por një trup i vetëm.
21. Dhe syri nuk mund t`i thotë dorës: ``Unë nuk kam nevojë për ty``; dhe po ashtu koka nuk mund t`u thotë këmbëve: ``Unë nuk kam nevojë për ju``.
22. Madje, gjymtyrët e trupit që duken se janë më të dobëta, janë shumë më të nevojshme se të tjerat;
23. dhe ato që ne i konsiderojmë më pak të nderuara, pikërisht ata rrethojmë me më shumë nderim; dhe të pahijshmet tona kanë më tepër hijë.
24. Por gjymtyrët tona të hijshme nuk kanë nevojë. Por Perëndia e ndërtoi trupin duke i dhënë më tepër nder asaj pjese që e kishte mangut,
25. që të mos kishte përçarje në trup, por të gjitha gjymtyrët të kenë të njëjtin kujdes për njera-tjetrën.
26. Dhe nëse vuan një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët vuajnë; kurse po të nderohet një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët gëzohen bashkë me të.
27. Dhe ju jeni trupi i Krishti dhe gjymtyrët e tij, veç e veç.
28. Dhe Perëndia i vuri disa në kishë, së pari apostuj, së dyti profetë, së treti mësues; pastaj vepra të fuqishme; pastaj dhuntitë e shërimit, të ndihmës e të qeverisjes dhe të larmive të gjuhëve.
29. A janë vallë të gjithë apostuj? Janë të gjithë profetë? Janë të gjithë mësues?
30. A kanë të gjithë dhuntinë e veprave të fuqishme? A kanë të gjithë dhuntitë e shërimeve? A flasin të gjithë gjuhë të ndryshme? A interpretojnë të gjithë?

Ungjilli: Luka 1:1-4; 4:14-21

1. Mbasi shumë vetë ndërmorën të renditin tregimin e ngjarjeve që ndodhën në mesin tonë,
2. ashtu si na i përcollën ata që ishin bërë nga fillimi dëshmitarë okularë dhe shërbyes të fjalës,
3. m`u duk e mirë edhe mua, pasi i hetova të gjitha gjërat me kujdes që nga fillimi, të t`i shkruaj sipas radhës, fort i nderuari Teofil,
4. që ti të njohësh vërtetësinë e gjërave që të kanë mësuar.
14. Dhe Jezusi, në fuqinë e Frymës, u kthye në Galile dhe fama e tij u përhap në mbarë krahinën përreth.
15. Dhe ai mësonte në sinagogat e tyre, i nderuar nga të gjithë.
16. Pastaj erdhi në Nazaret, ku ishte rritur, dhe si e kishte zakon ditën e shtunë, hyri në sinagogë dhe u ngrit për të lexuar.
17. I dhanë në dorë librin e profetit Isaia; e hapi dhe gjeti vendin ku ishte shkruar:
18. ``Fryma e Zotit është mbi mua, sepse ai më vajosi për të ungjillizuar të varfërit; ai më dërgoi për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer, për të shpallur çlirimin e të burgosurve dhe kthimin e të parit të verbërve, për të çliruar përsëri të shtypurit,
19. dhe për të predikuar vitin e pranueshëm të Zotit``.
20. Pastaj, si e mbylli librin dhe ia dha shërbyesit, u ul; dhe sytë e të gjithëve në sinagogë u drejtuan mbi të.
21. Atëherë ai nisi të thotë: ``Sot ky Shkrim u përmbush në veshët tuaja``.

Leximi marre nga: