Pages

Jesusi, Biri i Zotit - Leximi: 04 Dhjetor 12

E Martë, 4 Dhjetor 2012

Leximi i parë: Isaia 11:1-10
Psalm: Psalm 72:1-2, 7-8, 12-13, 17
Ungjilli: Luka 10:21-24
--------------------------------------------------------- 

Leximi i parë: Isaia 11:1-10

1 Pastaj një degëz do të dalë nga trungu i Isaias dhe një filiz do të mbijë nga rrënjët e tij.
2 Fryma e Zotit do të pushojë mbi të; fryma e diturisë dhe e zgjuarësisë, fryma e këshillës dhe e fuqisë, fryma e njohurisë dhe e frikës të Zotit.
3 I dashuri i tij do të qëndrojë në frikën nga Zoti, nuk do të gjykojë nga pamja, nuk do të japë vendime sipas fjalëve që thuhen,
4 por do t`i gjykojë të varfërit me drejtësi dhe do të marrë vendime të drejta për njerëzit e përulur të vendit. Do ta godasë vendin me shufrën e gojës së tij dhe me frymën e buzëve të tij do ta bëjë të vdesë të pabesin.
5 Drejtësia do të jetë brezi i ijëve të tij dhe besnikëria brezi i anëve të tij.
6 Ujku do të banojë bashkë me qengjin dhe leopardi do të rrijë me kecin; viçi, luani i vogël dhe bagëtia e majmur do të rrinë bashkë dhe do të udhëhiqen nga një fëmijë.
7 Lopa do të kullosë bashkë me arushen, të vegjëlit e tyre do të rrinë bashkë, dhe luani do të ushqehet me kashtë si kau.
8 Foshnja e gjirit do të lozë mbi vrimën e gjarpërit dhe fëmija e zvjerdhur do të vërë dorën e tij në çerdhen e nëpërkës.
9 Nuk do të bëhet asnjë e keqe, asnjë shkatërrim mbi tërë malin tim të shenjtë, sepse vendi do të mbushet me njohurinë e Zotit, ashtu si ujërat mbulojnë detin.
10 Atë ditë do të ndodhë që rrënja e Isaias do të ngrihet si një flamur për popujt; kombet do ta kërkojnë dhe vendi i prehjes së tij do të jetë i lavdishëm.


Psalm: Psalm 72:1-2, 7-8, 12-13, 17

1 O Perëndi, paraqit mendimet e tua mbretit dhe drejtësinë tënde birit të mbretit,
2 dhe ai do të gjykojë popullin tënd me drejtësi dhe të pikëlluarit e tu me saktësi.
7 Në ditët e tij i drejti do të lulëzojë dhe ka për të patur shumë paqe deri sa të mos ketë më hënë.
8 Ai do të mbretërojë nga një det te tjetri dhe nga lumi deri në skajet e tokës.
12 Sepse ai do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë.
13 Atij do t`i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve.
17 Emri i tij do të vazhdojë përjetë, emri i tij do të përhapet deri sa të ketë diell; dhe tërë kombet do të bekohen në të dhe do ta shpallin të lumtur.


Ungjilli: Luka 10:21-24

21 Në të njëjtën orë Jezusi ngazëlloi në frym dhe tha: ``Unë të lavdëroj, o Atë, Zot i qiellit dhe i tokës, sepse ua fshehe këto të urtëve dhe të zgjuarve dhe ua zbulove fëmijëve të vegjël. Po, o Atë, sepse kështu ty të pëlqeu.
22 Gjithçka më është dhënë në dorë nga Ati im; dhe askush nuk e di kush është Biri, përveç Atit, dhe kush është Ati, përveç Birit, dhe atij që Biri do t`ia zbulojë``.
23 Pastaj, si u kthye nga dishepujt, u tha atyre veçmas: ``Lum sytë që shohin ato që shihni ju,
24 sepse ju them se shumë profetë dhe mbretër dëshiruan të shohin ato që ju shihni, por nuk i panë, dhe të dëgjojnë ato që ju po dëgjoni, por nuk i dëgjuan``.


 “Detyra juaj e parë është që të jeni të pakënaqur me veten tuaj, të luftoni mëkatin dhe të transformoni veten tuaj në diçka më të mirë. Detyra juaj e dytë është që të përballoni sprovat dhe tundimet e kësaj botë që do tju vijnë nga ndryshimet në jetën tuaj dhe të rezistoni deri në fund në mes të këtyre gjërave.” - Shën Augustine

Besimi i madh tek Zoti - Leximi: 3 Dhjetor 2012

E Hënë, 3 Dhjetor 2012
Shën Francis Xavier, Prift (Memorial)
---------------------------------------------------------------------------- 
Leximi i parë: Isaia 2:1-5
Psalm: Psalm 122:1-9
Ungjilli: Mateu 8:5-11


Leximi i parë: Isaia 2:1-5

1 Fjala që Isaia, bir i Amotsit, pati si vegim lidhur me Judën dhe Jeruzalemin.
2 Në ditët e fundit do të vij që mali ku ndodhet shtëpia e Zotit do të vendoset në majën e maleve dhe do të ngrihet mbi disa kodra, dhe këtu do të vershojnë tërë kombet.
3 Shumë popuj do të vijnë duke thënë: "Ejani, të ngjitemi në malin e Zotit, në shtëpinë e Perëndisë të Jakobit; ai do të na mësojë rrugët e tij dhe ne do të ecim në shtigjet e tij". Sepse nga Sioni do të dalë ligji dhe nga Jeruzalemi fjala e Zotit.
4 Ai do të sigurojë drejtësi midis kombeve dhe do të qortojë shumë popuj. Do t`i farkëtojnë shpatat e tyre duke i kthyer në plugje dhe heshtat e tyre në drapinj; një komb nuk ka për të ngritur shpatën kundër një kombi tjetër dhe nuk do të mësojnë më luftën.
5 O shtëpi e Jakobit, ejani dhe të ecim në dritën e Zotit!

Psalm: Psalm 122:1-9

1 U gëzova kur më thanë: "Shkojmë në shtëpinë e Zotit".
2 Këmbët tona u ndalën brenda portave të tua, o Jeruzalem.
3 Jeruzalemi është ndërtuar si një qytet i bashkuar mirë,
4 ku ngjiten fiset, fiset e Zotit, për të kremtuar emrin e Zotit.
5 Sepse aty janë vënë fronet për gjykimin, fronet e shtëpisë së Davidit.
6 Lutuni për paqen e Jeruzalemit, le të begatohen ata që të duan.
7 Pastë paqe brenda mureve të tua dhe begati në pallatet e tua.
8 Për hir të vëllezërve të mi dhe të miqve të mi tani do të them: "Paqja qoftë te ti".
9 Për hir të shtëpisë së Zotit, Perëndisë tonë, unë do të kërkoj të mirën tënde.

Ungjilli: Mateu 8:5-11

5 Kur Jezusi hyri në Kapernaum i erdhi një centurion duke iu lutur,
6 dhe duke thënë: ``O Zot, shërbëtori im rri shtrirë në shtëpi i paralizuar dhe po vuan shumë``.
7 Dhe Jezusi i tha: ``Do të vij dhe do ta shëroj``.
8 Centurioni duke u përgjigjur i tha: ``Zot, unë nuk jam i denjë që ti të hysh nën strehën time; por thuaj vetëm një fjalë dhe shërbëtori im do të shërohet.
9 Sepse unë jam një njeri nën urdhërin e të tjerëve, dhe i kam ushtarët nën vete; dhe, po t`i them dikujt: "Shko", ai shkon; dhe po t`i them një tjetri: "Eja", ai vjen; dhe po t`i them shërbëtorit tim: "Bëje këtë", ai e bën``.
10 Dhe Jezusi, kur i dëgjoi këto gjëra, u mrekullua dhe u tha atyre që e ndiqnin: ``Në të vërtetë po ju them, se askund në Izrael nuk e gjeta një besim aq të madh.
11 Unë po ju them se shumë do të vijnë nga lindja dhe nga perëndimi dhe do të ulen në tryezë me Abrahamin, me Isaakun dhe me Jakobin, në mbretërinë e qiejve,


“Mbusheni mëndjen tuaj me mendime të mira, sepse armiku do t’i mbushi ato me të këqija. Ato nuk mund të qëndrojnë bosh.” -- Shën Thomas More

  

Kungimi i Shenjte sipas Ungjillit

Kungimi i Shenjte sipas Ungjillit
E Diele, 12 Gusht 2012

Leximi i pare: 1 e Mbreterve 19:3-8
Psalm: Psalm 34:2-9
Leximi i dyte: Efesianeve 4:30 -- 5:2
Ungjilli: Gjoni 6:41-51
-------------------------------------------- 
Leximi i pare: 1 e Mbreterve 19:3-8

3 Kur dëgjoi këto fjalë, Elia u ngrit dhe iku për të shpëtuar. Arriti në Beer-Sheba, që i përket Judës, dhe la aty shërbëtorin e tij.
4 Përkundrazi u fut në shkretëtirë një ditë rrugë, shkoi të ulet poshtë një gjinestre dhe kërkoi të vdesë, duke thënë: "Tani mjaft, o Zot! Merr jetën time, se unë nuk jam më i mirë se etërit e mi".
5 Pastaj u shtri dhe e zuri gjumi poshtë gjinestrës, por ja që një engjëll e preku dhe i tha: "Çohu dhe ha".
6 Ai shikoi dhe pa pranë kokës së tij një kulaç të pjekur mbi gurë të nxehtë dhe një enë me ujë. Ai hëngri dhe piu, pastaj përsëri u shtri.
7 Engjëlli i Zotit u kthye për herë të dytë, e preku dhe i tha: "Çohu dhe ha, sepse rruga është tepër e gjatë për ty".
8 Ai u ngrit, hëngri dhe piu; pastaj me forcën që i dha ai ushqim eci dyzet ditë dhe dyzet netë deri sa arriti në malin e Perëndisë, në Horeb.

Psalm: Psalm 34:2-9
2 Shpirti im do të krenohet me Zotin; njerëzit e përulur do ta dëgjojnë dhe do të gëzohen.
3 Lartojeni Zotin bashkë me mua, dhe të lëvdojnë të gjithë emrin e tij.
4 Unë e kërkova Zotin, dhe ai m`u përgjigj dhe më çliroi nga të gjitha tmerret e mia.
5 Ata e shikuan atë dhe u ndriçuan, dhe fytyrat e tyre nuk u turpëruan.
6 Ky i pikëlluar klithi dhe Zoti e plotësoi, e shpëtoi nga të gjitha fatkeqësitë e tij.
7 Engjëlli i Zotit zë vend rreth atyre që kanë frikë prej tij dhe i çliron.
8 Provojeni dhe shihni sa i mirë është Zoti; lum ai njeri që gjen strehë tek ai.
9 Kini frikë nga Zoti, ju shenjtorë të tij, sepse asgjë nuk u mungon atyre që kanë frikë prej tij.

Leximi i dyte: Efesianeve 4:30 -- 5:2
30 Dhe mos e trishtoni Frymën e Shenjtë të Perëndisë, me të cilin u vulosët për ditën e shpengimit.
31 Le të flaket larg jush çdo hidhërim, zemërim, inat, trazirë dhe shpifje me çdo ligësi.
32 Por jini të mirë dhe të mëshirshëm njeri me tjetrin, duke e falur njëri-tjetrin, sikurse edhe Perëndia ju ka falur në Krishtin.
1 Bëhuni pra imitues të Perëndisë, si bij shumë të dashur,
2 edhe ecni në dashuri, sikurse edhe Krishti na deshi dhe e dha veten e tij për ne, si ofertë e flijim Perëndisë, si një parfum erëmirë.

Ungjilli: Gjoni 6:41-51
41 Judenjtë, pra, murmurisnin për të, sepse kishte thënë: ``Unë jam buka që zbriti nga qielli``,
42 dhe thoshnin: ``Vallë, a nuk është ky Jezusi, biri i Jozefit, të cilit ia njohim babanë dhe nënën? Si thotë, pra, ky: "Unë zbrita nga qielli"?``.
43 Atëherë Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: ``Mos murmurisni midis jush.
44 Askush nuk mund të vijë tek unë, po qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit.
45 Në profetët është shkruar: "Të gjithë do të jenë të mësuar nga Perëndia". Çdo njeri, pra, që ka dëgjuar dhe mësuar nga Ati, vjen tek unë.
46 Jo s`e ka parë ndonjë Atin, përveç atij që është nga Perëndia; ky e ka parë Atin.
47 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Kush beson në mua ka jetë të përjetshme.
48 Unë jam buka e jetës.
49 Etërit tuaj hëngrën manën në shkretirë dhe vdiqën.
50 Kjo është buka që zbret nga qielli, që një mund të hajë e të mos vdesë.
51 Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli; nëse një ha nga kjo bukë do të jetojë përjetë; buka që unë do të jap është mishi im, që unë do ta jap për jetën e botës``.


 “Secili le ta mendoj se ai do te bej progres ne te gjitha gjerat shpirterore vetem nese e heq prej vetes dashurine per vetveten, mendjemadhesine dhe egoizmin.”
-- Shen. Ignatius i Loyolas

Jesusi:"Ku jam Une, do te jete dhe sherbetori Im" - E Premte, 10 Gusht 2012

E Premte, 10 Gusht 2012

Leximi i pare: 2 e Korintasve 9:6-10
Psalm: Psalm 112:1-2, 5-9
Ungjilli: Gjoni 12:24-26
----------------------------------------- 
Leximi i pare: 2 e Korintasve 9:6-10

6 Dhe ju them këtë: Ai që mbjell me kursim, do të korrë po me kursim; dhe ai që mbjell dorëhapur edhe do të korrë dorëhapur.
7 Secili le të veprojë ashtu si ka vendosur në zemrën, as me keqardhje as nga shtrëngimi, sepse Perëndia do një dhurues të gëzuar.
8 Dhe Perëndia mund të bëjë që gjithë hiri të teprojë për ju, aq sa mbasi të keni gjithnjë mjaft në çdo gjë, t`ju tepërojë për çfarëdo pune të mirë,
9 sikurse është shkruar: ``Ai ndau, u ka dhënë të varfërve, drejtësia e tij mbetet në përjetësi``.
10 Edhe ai që i jep farën mbjellësit dhe bukë për të ngrënë, ju dhëntë dhe e shumoftë farën tuaj, dhe i bëftë të rriten frytet e drejtësisë suaj;

Psalm: Psalm 112:1-2, 5-9
1 Aleluja. Lum njeriu që ka frikë nga Zoti dhe gjen një gëzim të madh në urdhërimet e tij.
2 Pasardhësit e tij do të jenë të fuqishëm mbi tokë, brezat e njerëzve të drejtë do të jenë të bekuar.
5 Do të jetë i lumtur njeriu që ka dhemshuri dhe jep hua, dhe i drejton punët e tij me drejtësi,
6 sepse nuk do të lëvizet kurrë; i drejti do të kujtohet gjithnjë.
7 Ai nuk do t`u trëmbet lajmeve të këqia; zemra e tij është e fortë, me besim tek Zoti.
8 Zemra e tij është e sigurt; ai nuk do të ketë fare frikë, deri sa të mos shikojë triumfues mbi armiqtë e tij.
9 Ai ka shpërndarë lirisht, u ka dhënë nevojtarëve, drejtësia e tij vazhdon përjetë dhe fuqia e tij do të ngrihet në lavdi.

Ungjilli: Gjoni 12:24-26
24 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Nëse kokrra e grurit e rënë në dhe nuk vdes, ajo mbetet e vetme; por, po të vdesë, jep shumë fryt!
25 Kush e do jetën e vet do ta humbasë; dhe kush e urren jetën e vet në këtë botë, do ta ruajë për jetën e përjetshme.
26 Në qoftë se dikush më shërben, të më ndjekë; dhe ku jam unë, atje do të jetë dhe shërbëtori im; në qoftë se dikush më shërben, Ati im do ta nderojë.


"Unë ju them se keni për të vuajtur më pak po të ndiqni Kryqin, sesa t’i shërbeni botës dhe kënaqësive të saj."
-- Shën. John Vianney



Pjetri, Papa i Pare - E Enjte, 9 Gusht 2012

E Enjte, 9 Gusht 2012

Leximi i pare: Jeremia 31:31-34
Psalm: Psalm 51:12-15, 18-19
Ungjilli: Mateu 16:13-23
---------------------------------------- 
Leximi i pare: Jeremia 31:31-34

31 Ja do të vijnë ditët", thotë Zoti, "në të cilat do të vendos një besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit dhe me shtëpinë e Judës;
32 jo si besëlidhja që kam vendosur me etërit e tyre ditën kur i zura për dore për t`i nxjerrë nga vendi i Egjiptit, sepse ata e shkelën besëlidhjen time, ndonëse unë isha Perëndia i tyre", thotë Zoti.
33 "Por kjo është besëlidhja që do të vendos me shtëpinë e Izraelit mbas atyre ditëve", thotë Zoti: "Do ta shtie ligjin tim në mendjen e tyre dhe do ta shkruaj mbi zemrën e tyre, dhe unë do të jem Zoti i tyre dhe ata do të jenë populli im.
34 Ata nuk do të mësojnë secili të afërmin e tij dhe secili vëllanë e tij, duke thënë: "Njihni Zotin!", sepse të gjithë do të më njohin, nga më i vogli e deri te më i madhi", thotë Zoti. "Sepse unë do ta fal paudhësinë e tyre dhe nuk do ta kujtoj më mëkatin e tyre".

Psalm: Psalm 51:12-15, 18-19

12 Kthemë gëzimin e shpëtimit dhe përkahmë me frymë dashamirës.
13 Atëherë do t`u mësoj rrugët e tua shkelësve dhe mëkatarët do të kthehen drejt teje.
14 Çliromë nga gjaku i derdhur, o Perëndi, Perëndi i shpëtimit tim, dhe gjuha ime do të kremtojë tërë gaz drejtësinë tënde.
15 O Zot, hap buzët e mia, dhe goja ime do të shpallë lëvdimin tënd.
18 Bëj të mirën Sionit për dashamirësinë tënde, ndërto muret e Jeruzalemit.
19 Atëherë do të gëzohesh në flijimet e drejtësisë, në olokaustet dhe në ofertat që digjen tërësisht; atëherë do të ofrohen dema të rinj mbi altarin tënd. 

Ungjilli: Mateu 16:13-23

13 Pastaj Jezusi, mbasi arriti në krahinën e Cezaresë së Filipit, i pyeti dishepujt e vet: ``Kush thonë njerëzit se jam unë, i Biri i njeriut?``.
14 Dhe ata thanë: ``Disa Gjon Pagëzori, të tjerë Elia, të tjerë Jeremia, ose një nga profetët``.
15 Ai u tha atyre: ``Po ju, kush thoni se jam unë?``.
16 Dhe Simon Pjetri duke u përgjigjur tha: ``Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë``.
17 Dhe Jezusi duke përgjigjur u tha: ``I lumur je ti, o Simon, bir i Jonas, sepse këtë nuk ta zbuloi as mishi as gjaku, por Ati im që është në qiej.
18 Dhe unë po të them gjithashtu se ti je Pjetri, dhe mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kishën time dhe dyert e ferrit nuk do ta mundin atë.
19 Dhe unë do të të jap çelësat e mbretërisë së qiejve; gjithçka që të kesh lidhur mbi tokë, do të jetë lidhur në qiej, dhe gjithçka që të kesh zgjidhur mbi tokë, do të jetë zgjidhur në qiej``.
20 Atëherë i urdhëroi dishepujt e vet që të mos i thonin askujt se ai ishte Jezusi, Krishti.
21 Që nga ai çast Jezusi filloi t`u sqarojë dishepujve të vet se i duhej të shkonte në Jeruzalem, të vuante shumë për shkak të pleqve, të krerëve të priftërinjve dhe të skribëve, se do të vritej dhe do të ringjallej të tretën ditë.
22 Atëherë Pjetri e mori mënjanë dhe nisi ta qortojë duke thënë: ``O Zot, të shpëtoftë Perëndia; kjo nuk do të të ndodhë kurrë``.
23 Por ai u kthye dhe i tha Pjetrit: ``Shporru prej meje, o Satan! Ti je një skandal për mua, sepse s`ke ndër mënd punët e Perëndisë, por punët e njerëzve``.

Jesusi ecen mbi uje - E Marte, 7 Gusht 2012

E MARTE, 7 Gusht 2012

Leximi i pare: Jeremia 30:1-2, 12-15, 18-22
Psalm: Psalm 102:16-21, 22-23
Ungjilli: Mateu 14:22-36
------------------------------------------------------- 
Leximi i pare: Jeremia 30:1-2, 12-15, 18-22

1. Fjala që iu drejtua Jeremias nga ana e Zotit, duke thënë:
2. "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: Shkruaj në një libër tërë fjalët që të kam thënë.
12. Kështu thotë Zoti: "E keqja jote është e pashërueshme, plaga jote është e rëndë.
13. Askush nuk e mbron çështjen tënde; kështu nuk ka asnjë mjekim për plagën tënde dhe asnjë shërim për ty.
14. Tërë dashnorët e tu të kanë harruar dhe nuk kujdesen më për ty, sepse të kam qëlluar me një goditje prej armiku, me një ndëshkim të një njeriu mizor, për madhësinë e paudhësisë sate, për morinë e mëkateve të tua.
15. Pse bërtet për shkak të së keqes sate? Dhembja jote është e pashërueshme. Unë të bëra këto gjëra për madhësinë e paudhësisë sate, për morinë e mëkateve të tua.
18. Kështu thotë Zoti: "Ja, unë do të kthej nga robëria çadrat e Jakobit dhe do të më vijë keq për banesat e tij; qyteti do të rindërtohet mbi gërmadhat e tij dhe pallati do të rivendoset në vendin e tij të saktë.
19. Prej andej do të dalin këngë falënderimi dhe zëra njerëzish që festojnë; unë do t`i shumoj dhe jo t`i pakësoj; do t`i bëj të nderuar dhe nuk do të poshtërohen më.
20. Bijtë e tij do të jenë si më parë dhe kuvendi i tij do të bëhet i qëndrueshëm para meje, por do të ndëshkoj gjithë shtypësit e tyre.
21. Princi i tij do të jetë një prej tyre, dhe sunduesi i tij do të dalë nga mesi i tyre; unë do të bëj që ai të afrohet dhe ai do të vijë afër meje. Kush, pra, do të porosiste zemrën e tij që të më afrohet?", thotë Zoti.
22. "Ju do të jeni populli im, dhe unë do të jem Perëndia juaj".

Psalm: Psalm 102:16-21, 22-23

16 kur Zoti do të rindërtojë Sionin dhe do të duket në lavdinë e tij.
17 Ai do të dëgjojë lutjen e njerëzve të braktisur dhe nuk do ta përbuzë lutjen e tyre.
18 Kjo do të shkruhet për brezin e ardhshmëm, dhe populli që do të krijohet do të lëvdojë Zotin,
19 sepse ai shikon nga lartësia e shenjtërores së tij; nga qielli Zoti këqyr dheun,
20 për të dëgjuar vajtimin e robërve, për të çliruar të dënuarit me vdekje;
21 me qëllim që në Sion të shpallin emrin e Zotit dhe në Jeruzalem lavdinë e tij,
22 kur popujt dhe mbretëritë do të mblidhen bashkë për t`i shërbyer Zotit.
23 Rrugës ai ka pakësuar fuqinë time dhe ka shkurtuar ditët e mia.

Ungjilli: Mateu 14:22-36

22 Fill pas kësaj Jezusi i detyroi dishepujt e vet të hyjnë në barkë dhe t`i prijnë në bregun tjetër, deri sa ai t`i lëshojë turmat.
23 Mbasi i nisi ato, u ngjit vetëm mbi mal për t`u lutur. Dhe kur u ngrys ai gjëndej aty, i vetëm fare.
24 Ndërkaq barka ndodhej në mes të detit; dhe përplasej nga valët sepse era i ishte e kundërt.
25 Në rojën e katërt të natës, Jezusi shkoi drejt tyre, duke ecur mbi det.
26 Dishepujt duke parë atë që po ecte mbi det, u trembën dhe thanë: ``Éshtë një fantazmë!``. Dhe filluan të bërtasin nga frika;
27 por menjëherë Jezusi u foli atyre duke thënë: ``Qetësohuni; jam unë, mos kini frikë!``.
28 Dhe Pjetri, duke u përgjigjur tha: ``Zot, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujëra``.
29 Ai tha: ``Eja!``. Dhe Pjetri zbriti nga barka dhe eci mbi ujëra, për të shkuar te Jezusi.
30 Por, duke parë erën e fortë, kishte frikë, dhe duke filluar të fundosej, bërtiti duke thënë: ``O Zot, shpëtomë!``.
31 Dhe Jezusi ia zgjati menjëherë dorën, e zuri dhe i tha: ``O njeri besimpak, pse dyshove?``.
32 Pastaj, kur hynë në barkë, era pushoi.
33 Atëherë ata që ishin në barkë erdhën dhe e adhuruan, duke thënë: ``Me të vërtetë ti je Biri i Perëndisë!``.
34 Pastaj, mbasi dolën në bregun tjetër, erdhën në krahinën e Gjenezaretit.
35 Dhe njerëzit e atij vendi, sapo e njohën, e përhapën fjalën në gjithë krahinën përreth; dhe i sollën të gjithë të sëmurët;
36 dhe iu lutën që të mund t`i preknin të paktën cepin e rrobes së tij; dhe të gjithë ata që e prekën u shëruan plotësisht.

----------------------------------------------------------
 “Zoti kryesisht deshiron qe ne duhet te jemi plotesisht te perkryer, qe ne mund te jemi te plote nje me Ate. Le ta veme qellimin tone ne ate qe na duhet per ta arritur kete.”
-- Shen. Teresa



Shperfytyrimi i Zotit ne mal - E Hene, 6 Gusht 2012

E HENE, 6 Gusht 2012
Shperfytyrimi i Zotit (Feste)

Leximi i pare: Danieli 7:9-10, 13-14
Psalm: Psalm 97:1-2, 5-6, 9
Leximi i dyte: 2 e Piterit 1:16-19
Ungjilli: Marku 9:2-10
----------------------------------------------- 
Leximi i pare: Danieli 7:9-10, 13-14

9. Unë vazhdova të shikoj deri sa u vendosën fronet dhe i Lashti i ditëve u ul. Veshja e tij ishte e bardhë si bora, flokët e kokës së tij ishin si leshi i pastër; froni i tij ishte si flokët e zjarrit dhe rrotat e tij si zjarr përvëlues.
10. Një lumë zjarri rridhte, duke dalë nga prania e tij; mijëra e mijëra njerëz i shërbenin dhe mori dhe mori qëndronin përpara tij. Gjykimi u bë dhe librat u hapën.
13. Unë shikoja disa vegime nate, dhe ja mbi retë e qiellit po vinte dikush që i ngjante një Biri njeriu; ai arriti deri te i Lashti i ditëve dhe iu afrua atij.
14. Atij iu dha sundimi, lavdia dhe mbretëria, me qëllim që gjithë popujt, kombet dhe gjuhët t`i shërbenin; sundimi i tij është një sundim i përjetshëm që nuk do të kalojë, dhe mbretëria e tij është një mbretëri që nuk do shkatërrohet kurrë".

Psalm: Psalm 97:1-2, 5-6, 9
1. Zoti mbretëron; le të gëzohet toka dhe le të ngazëllohen ishujt e mëdhenj.
2. Re dhe terr e mbështjellin; drejtësia dhe e drejta janë në themel të fronit të tij.
5. Malet shkrihen si dylli përpara Zotit, përpara Zotit të të gjithë tokës.
6. Qiejtë shpallin drejtësinë e tij dhe tërë popujt shohin lavdinë e tij.
9. Sepse ti, o Zot, je Shumë i Larti mbi tërë tokën, ty të përlëvdojmë mbi gjithë perënditë e tjera.

Leximi i dyte: 2 e Piterit 1:16-19

16. Sepse nuk jua bëmë të njohur fuqinë dhe ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht, duke shkuar pas përralla të sajuara me mjeshtri, por sepse jemi dëshmitarë okular e madhështisë së tij.
17. Sepse ai mori nder dhe lavdi nga Perëndia Atë, kur i erdhi ky zë nga lavdia e madhërishme: ``Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur``.
18. Dhe ne e dëgjuam këtë zë që vinte nga qielli, kur qemë bashkë me të në malin e shenjtë.
19. Ne e kemi edhe më të vërtetuar fjalën profetike, të cilën bëni mirë ti kushtoni kujdes, si një kandil që ndriçon në një vend të errët, derisa të zbardhë dita dhe ylli i dritës të lindë në zemrat tuaja,

Ungjilli: Marku 9:2-10

2. Mbas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin dhe i çoi në vetmi, vetëm ata, mbi një mal të lartë; dhe u shpërfytyrua përpara tyre.
3. Dhe rrobat e tij u bënë të shndritshme dhe krejt të bardha, si bora, më të bardha nga sa nuk mund t`i zbardhojë asnjë rrobalarës mbi tokë.
4. Dhe atyre iu shfaqën Elia me Moisiun, që po bisedonin me Jezusin.
5. Atëherë Pjetri e mori fjalën dhe i tha Jezusit: ``Mësues, për ne është mirë të jemi këtu; bëjmë, pra, tri çadra: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elian!``.
6. Në fakt ai nuk dinte çfarë thoshte, sepse ata ishin të trembur.
7. Pastaj erdhi një re dhe i mbuloi me hijen e vet; dhe nga reja doli një zë që tha: ``Ky është Biri im i dashur; dëgjojeni!``.
8. Dhe menjëherë ata shikuan rreth e qark, por nuk panë më asnjëri, përveçse Jezusi fill i vetëm me ta.
9. Tani kur po zbrisnin nga mali, Jezusi i urdhëroi të mos i tregojnë askujt gjërat që kishin parë, derisa i Biri i njeriut të ringjallej prej së vdekuri.
10. Ata e mbajtën porosinë dhe diskutonin mes tyre se ç`do të thoshte të ringjallesh prej së vdekuri.


“Dashuria e Zonjes Sone eshte si ajo rrekeja qe e ka burimin ne Themelet e Perjetshme, e shuan etjen e te gjitheve, nuk mund te thahet kurre dhe gjithmone kthehet tek Burimi i vet.”
-- Shen. Marguerite Bourgeoys

Festa e Trupit dhe e Gjakut me te Shenjte e Jesusit - E Diel, 10 Qershor 2012

E Diel, 10 Qershor 2012
Festa e Trupit dhe Gjakut me te Shenjte e Krishtit

Leximi i pare: Eksodi 24:3-8
Psalm: Psalm 116:12-13, 15-18
Leximi i dyte: Hebrenjve 9:11-15
Ungjilli: Marku 14:12-16, 22-26
-------------------------------------------- 
Leximi i pare: Eksodi 24:3-8
3 Atëherë Moisiu erdhi dhe i tregoi popullit tërë fjalët e Zotit dhe tërë ligjet. Dhe gjithë populli u përgjigj me një zë dhe tha: "Ne do të bëjmë tërë gjërat që Zoti ka thënë".
4 Dhe Moisiu i shkroi tërë fjalët e Zotit; pastaj u ngrit herët në mëngjes dhe ngriti në këmbët e malit një altar dhe dymbëdhjetë shtylla për të dymbëdhjetë fiset e Izraelit.
5 Pastaj dërgoi bij të rinj të Izraelit për të ofruar olokauste dhe për të flijuar dema të rinj si theror falënderimi ndaj Zotit.
6 Dhe Moisiu mori gjysmën e gjakut dhe e vuri në legenë; dhe gjysmën tjetër të gjakut e shpërndau mbi altar.
7 Pastaj mori librin e besëlidhjes dhe ia lexoi popullit, i cili tha: "Ne do të bëjmë tërë ato që ka thënë Zoti, dhe do t`i bindemi".
8 Pastaj Moisiu mori gjakun, spërkati popullin me të dhe tha: "Ja gjaku i besëlidhjes që Zoti ka lidhur me ju sipas tërë këtyre fjalëve".

Psalm: Psalm 116:12-13, 15-18
12 Ç`do t`i jap Zotit në këmbim të të gjitha të mirave që më ka bërë?
13 Unë do të ngre kupën e shpëtimit dhe do të thërres emrin e Zotit.
15 Éshtë e çmueshme në sytë e Zotit vdekja e të shenjtëve të tij.
16 Unë jam me të vërtetë shërbëtori yt, o Zot, jam shërbëtori yt, bir i shërbëtores sate; ti i këpute lidhjet e mia.
17 Unë do të të ofroj një flijim falenderimi dhe do të përmend emrin e Zotit.
18 Do t`i plotësoj zotimet e mia Zotit në prani të të gjithë popullit të tij

Leximi i dyte: Hebrenjve 9:11-15
11 Por Krishti, që erdhi si kryeprift i të mirave që do të vijnë në të ardhmen, duke kaluar nëpër një tabernakull më të madh e më të përkryer, që s`është bërë me dorë, pra, që nuk është e kësaj krijese,
12 hyri një herë e përgjithmonë në shenjtërore, jo me gjakun e cjepve dhe të viçave, por me gjakun e vet, dhe fitoi një shpëtim të amshuar.
13 Sepse, në qoftë se gjaku i demave dhe i cjepve dhe hiri i një mëshqerre i spërkatur mbi të ndoturit, i shenjtëron, duke i pastruar në mish,
14 aq më shumë gjaku i Krishtit, i cili me anë të Frymës së Shenjtë e dha veten e tij të papërlyer nga asnjë faj ndaj Perëndisë, do ta pastrojë ndërgjegjen tuaj nga veprat e vdekura për t`i shërbyer Perëndisë së gjallë!
15 Për këtë arsye ai është ndërmjetësi i Besëlidhjes së re që, me anë të vdekjes që u bë për shpërblimin e shkeljeve që u kryen gjatë Besëlidhjes së parë, të thirrurit të marrin premtimin e trashëgimisë së amshuar.

Ungjilli: Marku 14:12-16, 22-26
12 Tani në ditën e parë të festës së të Ndormëve, kur flijohej Pashka, dishepujt e vet i thanë: ``Ku don të shkojmë dhe të përgatisim për ta ngrënë Pashkën?``.
13 Atëherë ai dërgoi dy nga dishepujt e vet duke u thënë: ``Shkoni në qytet dhe atje do të takoni një njeri, që bart një kanë plot me ujë; ndiqeni atë.
14 Dhe atje ku ai do të hyjë, i thoni të zotit të shtëpisë: "Mësuesi pyet: Ku është dhoma ku mund të ha Pashkën me dishepujt e mi?".
15 Atëherë ai do t`ju tregojë lart një sallë të madhe të mobiluar dhe gati; aty përgatitni për ne``.
16 Dishepujt e tij shkuan, arritën në qytet dhe gjetën ashtu siç ai u kishte thënë; dhe përgatitën Pashkën.
22 Dhe, ndërsa ata po hanin, Jezusi mori buken, e bekoi, e theu dhe ua dha atyre duke thënë: ``Merrni, hani; ky është trupi im``.
23 Pastaj mori kupën, e falënderoi, ua dha atyre dhe të gjithë pinë prej saj.
24 Atëherë u tha: ``Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, që derdhet për shumë veta.
25 Në të vërtetë unë po ju them se nuk do të pi më prej frytit të hardhisë deri në atë ditë kur do ta pi të ri në mbretërinë e Perëndisë``.
26 Dhe, mbasi kënduan një himn, dolën dhe u drejtuan nga mali i Ullinjve.

“Largojeni gjithe urrejtjen dhe kushtojini pak vemendje vetvetes. Kujtoni se ai per te cilin po flisni eshte vellai juaj dhe, ngaqe eshte drejt udhes se shpetimit, Zoti mund ta bej nje Shenjtor, pavaresisht nga dobesia e tij e tanishme.”
-- Shen. Thomasi i Villanovas

Dite Feste: Ngritja e Jesusit ne Qiell - E Diele, 20 Maj 2012

Ngritja e Jesusit ne Qiell (Dite Feste)
------------------------------------------------------ 
Leximi i pare: Veprat e Apostujve 1:1-11
Psalm: Psalm 47:2-3, 6-9
Leximi i dyte: Efesianeve 1:17-23 ose 4:1-13 ose 4:1-7, 11-13
Ungjilli: Marku 16:15-20
------------------------------------------------------- 
Leximi i pare: Veprat e Apostujve 1:1-11
1 Tregimin e parë e bëra, o Teofil, mbi të gjitha gjërat që Jezusi nisi të bëjë dhe të mësojë,
2 deri në ditën në të cilën u muarr në qiell, pasi u kishte dhënë urdhërime nëpërmjet Frymës së Shenjtë apostujve që ai kishte zgjedhur.
3 Atyre, pasi pati vuajtur, iu paraqit i ngjallur me shumë prova bindëse, duke u parë prej tyre për dyzet ditë dhe duke folur për gjërat e mbretërisë së Perëndisë.
4 Dhe, duke u gjendur bashkë me ta, i urdhëroi ata që të mos largoheshin nga Jeruzalemi, por të prisnin premtimin e Atit: ``Që, tha ai, e keni dëgjuar nga unë,
5 sepse Gjoni pagëzoi me ujë, por ju do të pagëzoheni me Frymën e Shenjtë, mbas jo shumë ditësh``.
6 Kështu ata që ishin mbledhur bashkë e pyetën, duke thënë: ``Zot, a do ta rivendosësh në këtë kohë mbretërinë e Izraelit?``.
7 Por ai u tha atyre: ``Nuk ju takon juve të dini kohët dhe momentet e përshtatshme, që ka përcaktuar Ati me autoritetin e vet.
8 Ju do të merrni fuqi kur Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ju dhe do të bëheni dëshmitarët e mi në Jeruzalem dhe në gjithë Judenë, në Samari dhe deri në skajin e dheut``.
9 Mbasi i tha këto gjëra, ndërsa ata po e vështronin, u ngrit lart; dhe një re e përfshiu dhe ua hoqi prej syve të tyre.
10 Dhe, si ata po i mbanin sytë e ngulitur në qiell, ndërsa ai po largohej, ja dy burra në rroba të bardha iu paraqitën atyre,
11 dhe thanë: ``Burra Galileas, pse qëndroni e shikoni drejt qiellit? Ky Jezus, që u është marrë në qiell nga mesi juaj, do të kthehet në të njëjtën mënyrë, me të cilën e keni parë të shkojë në qiell``.

Psalm: Psalm 47:2-3, 6-9
2 Sepse Zoti, Shumë i Larti, është i tmerrshëm, një mbret i madh mbi gjithë dheun.
3 Ai do të na nënshtrojë popujt dhe kombet do t`i vërë nën këmbët tona.
6 Këndojini lavde Perëndisë tonë, këndojini lavde! Këndojini lavde mbretit tonë, këndojini lavde!
7 Sepse Perëndia është mbreti i gjithë dheut, këndojini lavde me zotësi.
8 Perëndia mbretëron mbi kombet; Perëndia ulet mbi fronin e tij të shenjtë.
9 Princat e popujve, populli i Perëndisë të Abrahamit, janë mbledhur bashkë; sepse Perëndisë i përkasin mburojat e tokës; atë e lëvdojnë me të madhe.

Leximi i dyte: Efesianeve 1:17-23 ose 4:1-13 ose 4:1-7, 11-13
17 që Perëndia i Zotit tonë Jezu Krisht, Ati i lavdisë, t`ju japë juve Frymën e diturisë dhe të zbulesës, në njohurinë e tij,
18 dhe t`u ndriçojë sytë e mendjes suaj, që të dini cila është shpresa e thirrjes së tij dhe cilat janë pasuritë e lavdisë së trashëgimisë së tij në shenjtorët,
19 dhe cila është madhështia e jashtëzakonshme e fuqisë së tij ndaj nesh, që besojmë sipas veprimit të forcës së fuqisë së tij,
20 të cilën e vuri në veprim në Krishtin, duke e ringjallur prej së vdekurish dhe duke e vënë të ulej në të djathtën e tij në vendet qiellore,
21 përmbi çdo principatë, pushtet, fuqi, zotërim dhe çdo emër që përmendet jo vetëm në këtë epokë, por edhe në atë të ardhme,
22 dhe vuri çdo gjë nën këmbët e tij, edhe ia dha për krye përmbi çdo gjë kishës,
23 e cila është trupi i tij, plotësia i atij që mbush çdo gjë në të gjithë.

Ose 4:1-13

1 Unë, pra, i burgosuri për Zotin, ju bëj thirrje që të ecni denjësisht sipas thirrjes për të cilën u thirrët,
2 me çdo përulësi e zemërbutësi, me durim, duke e duruar njëri-tjetrin në dashuri,
3 duke u përpjekur të ruani unitetin e Frymës në lidhjen e paqes.
4 Éshtë një trup i vetëm dhe një Frym i vetëm, sikurse ju u thirrët në shpresën e vetme të thirrjes suaj.
5 Éshtë një Zot i vetëm, një besim i vetëm, një pagëzim i vetëm,
6 një Perëndi i vetëm dhe Atë i të gjithëve, që është përmbi të gjithë, në mes të të gjithëve dhe në ju të gjithë.
7 Po secilit nga ne iu dha hiri sipas masës së dhuntisë së Krishtit.
8 Për ç`ka Shkrimi thotë: ``Kur ai u ngjit lart, ai e burgosi burgosjen dhe u dha dhurata njerëzve``.
9 Tani kjo: ``Ai u ngjit``, ç`do të thotë tjetër përveç se ai më parë edhe kishte zbritur në pjesët më të ulta të dheut?
10 Ai që zbriti është po ai që edhe u ngjit përmbi të gjithë qiejt, për të përmbushur të gjitha gjërat.
11 Dhe ai vetë i dha disa si apostuj, të tjerë si profetë, të tjerë si ungjilltarë dhe të tjerë si barinj e mësues,
12 për përsosjen e shenjtorëve, për veprën e shërbimit dhe për ndërtimin e trupit të Krishtit,
13 derisa të arrijmë të gjithë te uniteti i besimit dhe të njohjes së Birit të Perëndisë, te një njeri i përsosur, në masën e shtatit të plotësisë së Krishtit,

Ungjilli: Marku 16:15-20
15 Pastaj u tha atyre: ``Dilni në mbarë botën dhe i predikoni ungjillin çdo krijese;
16 ai që beson dhe është pagëzuar, do të jetë i shpëtuar; por ai që nuk ka besuar, do të jetë i dënuar.
17 Dhe këto janë shenjat që do t`i përcjellin ata që do të besojnë: në emrin tim ata do t`i dëbojnë demonët, do të flasin gjuhë të reja;
18 do t`i kapin me dorë gjarpërinjtë, edhe nëse do të pijnë diçka që shkakton vdekjen, nuk do t`u bëjë asnjë të keqe; do t`i vënë duart mbi të sëmurët dhe këta do të shërohen``.
19 Zoti Jezus, pra, mbasi u foli, u ngrit në qiell dhe u ul në të djathtë të Perëndisë.
20 Pastaj ata dolën dhe predikuan kudo, ndërsa Zoti bashkëvepronte me ta dhe e vërtetonte fjalën me shenjat që e shoqëronin. Amen.


 “Une shoh tek fqinji im Personin Jesu Krisht.” -- Shen. Gerard Majella

Ardhja e Dyte e Jesu Krishtit - E Marte, 15 Maj 2012

Leximi i pare: Veprat e Apostujve 16:22-34
Psalm: Psalm 138:1-3, 7-8
Ungjilli: Gjoni 16:5-11
------------------------------------------------ 
Leximi i pare: Veprat e Apostujve 16:22-34
22 Atëherë turma u lëshua e gjitha bashkë kundër tyre: dhe pretorëve, ua grisën atyre rrobat dhe urdhëruan t`i rrahin me kamxhik.
23 Dhe si i rrahën me shumë goditje, i futën në burg duke urdhëruar rojtarin e burgut t`i ruajë me kujdes.
24 Ky, si mori një urdhër të tillë, i futi në pjesën më të brendshme të burgut dhe ua shtrëngoi këmbët në dru.
25 Aty nga mesnata Pali dhe Sila po luteshin dhe i këndonin himne Perëndisë; dhe të burgosurit i dëgjonin.
26 Befas u bë një tërmet i madh, saqë u tundën themelet e burgut; dhe në atë çast u hapën të gjitha dyert dhe të gjithëve iu zgjidhën prangat.
27 Rojtari i burgut, kur u zgjua dhe pa dyert e burgut të hapura, nxori shpatën dhe donte të vriste veten, duke menduar se të burgosurit kishin ikur.
28 Por Pali thirri me zë të lartë: ``Mos i bëj ndonjë të keqe vetes, sepse ne të gjithë jemi këtu``.
29 Atëherë ai kërkoi një dritë, u turr brenda dhe duke u dridhur i tëri u ra ndër këmbë Palit dhe Silës;
30 pastaj i nxori jashtë dhe tha: ``Zotërinj, ç`duhet të bëj unë që të shpëtohem?``.
31 Dhe ata i thanë: ``Beso në Zotin Jezu Krisht dhe do të shpëtohesh ti dhe shtëpia jote``.
32 Pastaj ata i shpallën fjalën e Zotit atij dhe gjithë atyre që ishin në shtëpinë e tij.
33 Dhe ai i mori që në atë orë të natës dhe ua lau plagët. Dhe ai dhe të gjithë të tijtë u pagëzuan menjëherë.
34 Mbasi i çoi në shtëpinë e vet, ua shtroi tryezën dhe u gëzua me gjithë familjen e tij që kishte besuar në Perëndinë.

Psalm: Psalm 138:1-3, 7-8
1 Unë do të të kremtoj me gjithë zemër, përpara perëndive do të këndoj lavdet e tua.
2 Do të adhuroj i kthyer nga tempulli yt i shenjtë dhe do të kremtoj emrin tënd për mirësinë tënde dhe vërtetësinë tënde, sepse ti ke përlëvduar fjalën tënde dhe emrin tënd përmbi çdo gjë tjetër.
3 Ditën në të cilën të kërkova, ti m`u përgjigje dhe e rrite fuqinë e shpirtit tim.
7 Edhe sikur unë të eci në mes të fatkeqësisë, ti do të më ruash të gjallë; ti do të zgjatësh dorën kundër zemërimit të armiqve të mi, dhe dora jote e djathtë do të më shpëtojë.
8 Zoti do të kryejë veprën e tij tek unë; o Zot, mirësia jote vazhdon përjetë; mos i braktis veprat e duarve të tua.

Ungjilli: Gjoni 16:5-11
5 Por tani unë po shkoj tek ai që më ka dërguar, dhe askush nga ju s`po më pyet: "Ku po shkon?".
6 Madje, për shkak se ju thashë këto gjëra, trishtimi e ka mbushur zemrën tuaj.
7 Megjithatë unë ju them të vërtetën: është mirë për ju që unë të shkoj, sepse, po nuk shkova, nuk do të vijë te ju Ngushëlluesi; por, po shkova, unë do t`jua dërgoj.
8 Dhe kur të ketë ardhur, ai do ta bindë botën për mëkat, për drejtësi dhe për gjykim.
9 Për mëkat, sepse nuk besojnë në mua;
10 për drejtësi, sepse unë po shkoj tek Ati dhe nuk do të më shihni më;
11 për gjykim, sepse princi i kësaj bote është gjykuar.