Pages

Dyshimi i njerëzve - E Shtunë 23 Mars 2013


Leximi i parë: Ezekieli 37:21-28
Psalm: Jeremia 31:10-13
UNGJILLI: Gjoni 11:45-56



Leximi i parë: Ezekieli 37:21-28

21 e thuaju: Kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë po i bashkoj bijtë e Izraelit nga popujt ku janë të tretur, do t’i mbledh prej gjithandej e do t’i kthej në tokën e tyre 
22 dhe do t’i bëj një popull të vetëm në tokën e tyre, në malet e Izraelit; të gjithë do të kenë një mbret, më nuk do të jenë dy popuj dhe më nuk do të jenë të ndarë në dy mbretëri. 
23 Më nuk do të përlyhen me idhujt e tyre, me turpësitë e tyre e me të gjitha paudhësitë e tyre, do t’i shpëtoj nga të gjitha kryeneçësitë e tyre me të cilat mëkatuan, do t’i pastroj; ata do të jenë populli Im e Unë do të jem Hyji i tyre. 
24 Mbret do ta kenë shërbëtorin tim Davidin e të gjithë do të kenë një bari të vetëm. Do të jetojnë në gjyqet e mia dhe do t’i kryejnë urdhërimet e Mia e me jetë do t’i zbatojnë. 
25 Do të banojnë në tokën që ia dhurova Jakobit, shërbëtorit tim, në të cilën banuan etërit tuaj. Në të do të banojnë ata e fëmijët e tyre edhe bijtë e bijve të tyre përgjithmonë. Davidi shërbëtori Im, do të jetë prijësi i tyre përgjithmonë. 
26 Me ata do të lidh Besëlidhje paqeje ‑ një Besëlidhje të përhershme me ta. Do t’i vendos e do të bëj të shtohen me shumicë. Në mesin e tyre do ta bëj Shenjtëroren time të përhershme. 
27 Banesa ime e përhershme do të jetë mes tyre: do të jem Hyji i tyre e ata do të jenë populli im. 
28 Atëherë popujt do ta marrin vesh se unë jam Zoti, Shenjtëruesi i Izraelit, kur ta vendos për përgjithmonë Shenjtëroren time në mesin e tyre.”

Psalm: Jeremia 31:10-13
10 Dëgjojeni, o popuj, fjalën e Zotit,
shpalleni ndër ishuj të largët!
Thoni:“Ai që e shpërndau Izraelin
përsëri po e bashkon,
do ta ruajë porsi bariu grigjën e vet”.
11 Sepse Zoti e shpërbleu Jakobin,
e çliroi nga dora e më të fortit.
12 Do të vijnë e do të këndojnë lavde
në malin e Sionit,
do të rendin drejt të mirave të Zotit,
drejt drithit, verës e vajit,
drejt grigjave e drejt lorive.
Shpirti i tyre do të jetë kopsht i ujitur,
urinë kurrë më s’do ta sprovojnë!
13 Atëherë vajzat do të galdojnë ndër valle,
djelmoshat së bashku me pleq.
Zinë e tyre në galdim do ta kthej,
do t’i ngushëlloj e do t’i gëzoj pas vuajtjes.

UNGJILLI: Gjoni 11:45-56

45 Atëherë shumë judenj që kishin ardhur te Maria, kur panë çka bëri Jezusi, besuan në të. 
46 Disa prej tyre shkuan te farisenjtë dhe u treguan çka bëri Jezusi. 
47 Atëherë kryepriftërinjtë dhe farisenjtë thirrën Këshillin në kuvend. Thoshin: “Çka të bëjmë? Ky njeri po bën shumë mrekulli! 
48 Nëse e lëmë kështu, të gjithë do të besojnë në të, atëherë do të vijnë romakët e do të na e rrënojnë Vendin e shenjtë dhe .”
49 Njëri prej tyre, Kajfa ‑ kryeprifti i atij viti ‑ u tha: “Ju s’po dini asgjë! 
50 Nuk mendoni se është më mirë për ju të vdesë vetëm një njeri, se të mbarojë krejt populli!”
51 Nuk i tha këto fjalë prej vetvetes, por, pse ishte kryeprifti i atij viti ‑ profetizoi se Jezusi do të vdiste për popull. 
52 Madje, jo vetëm për popull, por edhe që bijtë e Hyjit të shpërndarë t’i bashkojë në një. 
53 Po atë ditë vendosën ta vrasin.
54 Për këtë arsye Jezusi nuk dilte më botërisht ndër judenj, por shkoi prej andej në një vend afër shkretëtirës, në qytetin që quhet Efraim dhe aty banoi për disa kohë bashkë me nxënësit.
55 Ishin afër Pashkët e judenjve. Shumë vetë nga ai vend u ngjitën në Jerusalem para Pashkëve për t’u pastruar. 
56 E kërkonin Jezusin dhe, ndërsa qëndronin në Tempull, i thoshin njëri‑tjetrit: “Çka ju thotë mendja: a thua ai nuk ka ndërmend të vijë për Festë?”