Pages

E Enjte e Shenjtë - Jesusi: "Sikurse ju bëra Unë juve, të bëni edhe ju" - 28 Mars 2013


Leximi i parë: Eksodi 12:1-8, 11-14
Psalm: Psalm 116:12-13, 15-18
Leximi i dytë: 1 e Korintasve 11:23-26
UNGJILLI: Gjoni 13:1-15



Leximi i parë: Eksodi 12:1-8, 11-14

1 Zoti i tha Moisiut e Aronit në dheun e Egjiptit: 2 “Ky muaj do të jetë për ju fillimi i muajve, më i pari ndër muajt e vitit. 3 Flisni me tërë bashkësinë e bijve të Izraelit e thojuni: Të dhjetën ditë të këtij muaji, le ta marrë secili për shtëpi një qengj për familjen e vet. 4 Por, po qe se numri i anëtarëve është më i vogël sesa do të mund të mjaftonte për ta ngrënë qengjin, le të marrë të afërmin e vet, që është më afër shtëpisë së tij, sipas numrit të frymëve që mjafton për të ngrënë qengjin. 5 Qengji le të jetë i patëmetë, mashkull, i një viti. Mund të merrni qengj ose edh. 6 Ruajeni deri të katërmbëdhjetën ditë të këtij muaji: atëherë, në muzg le ta flijojë e tërë bashkësia e bijve të Izraelit. 7 Le të marrin prej gjakut të tij dhe le t’i lyejnë të dy shtalkat dhe ballzinat e dyerve të shtëpive, në të cilat do ta hanë qengjin. 8Mishin e pjekur në zjarr le ta hanë atë natë me të pabrume dhe me barishte të hidhura. 11 Dhe hajeni kështu: me ijë të ngjeshura, me sandale në këmbë dhe shkop në dorë: hajeni me shpejti, sepse, janë Pashkët /d. m. th. kalimi i/ e Zotit! 12 Atë natë do të kaloj nëpër dheun e Egjiptit dhe do të vras çdo të parëlindur në dheun e Egjiptit që nga njeriu e deri në bagëti dhe do t’i ndëshkoj të gjitha hyjnitë e Egjiptit; unë Zoti ! 13 Gjaku do t’ju shërbejë si shenjë se në të cilën shtëpi jeni: unë do ta shoh gjakun dhe ju do t’ju kaloj. Kështu ndër ju nuk do të ketë shuplakë farosjeje, kur unë do t’i sulem dheut të Egjiptit. 14 Kijeni këtë ditë përkujtim dhe kremtojeni festë në nder të Zotit brez pas brezi me sjellje fetare të përhershme.

Psalm: Psalm 116:12-13, 15-18

12 Si do t’ia shpërblej Zotit
për të gjitha të mirat që m’i ka dhënë?
13 Do të ngre gotën e shëlbimit
e me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
15 E çmueshme është para Zotit
vdekja e shenjtërve të tij.
16 O Zot, unë jam shërbëtori yt,
shërbëtori yt dhe biri i shërbëtores sate.
Ti i këpute hekurat e mia:
17 ty do të ta kushtoj flinë e lavdit,
me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
18 Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit
në praninë e mbarë popullit të tij,

Leximi i dytë: 1 e Korintasve 11:23-26

23 Vërtet atë mësim që mora prej Zotit, atë edhe juve jua mësova, domethënë se Zoti Jezus, atë natë që po tradhtohej, mori bukën, 24 falënderoi, e theu dhe tha: “Ky është Trupi im ‑ për ju. Bëjeni këtë në përkujtimin tim!” 25 Po ashtu, pasi u krye darka, mori edhe kelkun e tha: “Ky Kelk është Besëlidhja e re në Gjakun tim. Bëjeni këtë, gjithsaherë që të pini, në përkujtimin tim!” 26 Për të vërtetë, kurdo të hani këtë bukë e ta pini këtë kelk, lajmëroni vdekjen e Zotit, derisa Ai të vijë.

UNGJILLI: Gjoni 13:1-15

1 Ishte para festës së Pashkëve. Jezusi, duke ditur se i erdhi koha të kalojë prej kësaj bote tek Ati, pasi i deshi të vetët ‑ ata që ishin në botë ‑ i deshi deri në pikën e fundit. 2 Dhe, gjatë darkës ‑ pasi djalli ia kishte mbushur mendjen Judës, birit të Simon Iskariotit, ta tradhtonte ‑ 3 Jezusi, që e dinte se Ati i la gjithçka në dorë, se erdhi prej Hyjit dhe se tek Hyji po kthente ‑ 4 u ngrit nga darka, hoqi petkun e sipërm, mori një peshqir dhe u ngjesh. 5Qiti ujë në legen dhe filloi t’ua lajë këmbët nxënësve dhe t’ua fshijë me peshqirin, me të cilin ishte ngjeshur. 6 Arriti kështu te Simon Pjetri. Ai i tha: “Zotëri, ti të m’i lash këmbët?”
7 “Ç’po bëj unë ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ ti tani nuk e kupton, do ta kuptosh më vonë.”
8 Pjetri iu përgjigj:“Nuk do të m’i lash këmbët kurrë e për këtë jetë!”
“Nëse nuk do të laj ‑ i tha Jezusi ‑ nuk do të kesh pjesë me mua.”
9 Simon Pjetri iu përgjigj:“Atëherë, Zotëri, jo veç këmbët e mia, por edhe duart, edhe kokën!”
10 Jezusi i tha:Kush është i larë, nuk i duhet të lajë tjetër përveç këmbët ‑ dhe është krejtësisht i pastër. Edhe ju jeni të pastër, por jo të gjithë.”
11 Ngase e dinte se kush do ta tradhtojë, këndej edhe tha: “Nuk jeni të gjithë të pastër.”
12 Pasi ua lau këmbët, mori petkun e sipërm të vetin, u ul prapë në tryezë dhe u tha: “A e kuptoni çka ju bëra? 13 Ju më quani: Mësues e Zotëri. Mirë thoni, sepse unë jam. 14 Nëse, pra, unë ‑ Zotëria dhe Mësuesi ‑ ju lava këmbët, duhet që edhe ju t’ia lani këmbët njëri‑tjetrit. 15 Ju dhashë shembull që, sikurse ju bëra unë juve, të bëni edhe ju.