Pages

Jezusi zgjedh dymbëdhjetë Apostujt

1 e Korintasve 6:1-11
Psalm 149:1-6, 9
Luka 6:12-19


1 e Korintasve 6:1-11

1 A do të guxojë ndokush prej jush, nëse ka ndonjë padi kundër ndonjë tjetri, të kërkojë të drejtën në gjyq para paganëve e jo para shenjtërve? 
2Po a nuk e dini se shenjtërit do ta gjykojnë botën? E, nëse ju do ta gjykoni botën, po a thua s’jeni të zotët t’i gjykoni gjërat më të vogla? 
3 Po a nuk e dini se do t’i gjykojmë edhe engjëjt e jo më gjërat e përditshme? 
4 E ju, kur keni ndonjë pleqësi për gjërat e përditshme, shkoni e më vini pleq disa që Kisha i mban për asgjë? 
5 Le t’ju vijë turp që më detyroni t’jua them këtë gjë! Kështu a? A thua nuk gjendet ndër ju asnjë i dijshëm, i cili do të mund të pleqëronte mes vëllezërve të vet? 
6 Por vëllai me vëlla paditet, madje para të pafeve?! 
7Po edhe vetë puna që paditeni me njëri-tjetrin është e metë për ju. Pse më mirë nuk e duroni padrejtësinë? Pse më mirë nuk duroni të plaçkiteni? 
8 Por, përkundrazi, ju vetë bëni padrejtësi dhe plaçkitni, e kë se? Vëllezërit! 
9 A thua nuk e dini se ata që bëjnë padrejtësi nuk do të kenë pjesë në Mbretërinë e Hyjit? Mos u tradhtoni! As fëlligështarët, as idhujtarët, as kurorëthyesit, as homoseksualët e çdo lloji, 
10 as vjedhësit, as pijanecët, as shpërralluesit, as cubat nuk do të kenë pjesë në Mbretërinë e Hyjit. 11 Pra, të tillë ishit disa, por u latë, por u shenjtëruat, por e fituat shfajësimin në saje të Emrit të Jezu Krishtit Zot dhe të Shpirtit të Hyjit tonë.

Psalm 149:1-6, 9

1. Aleluja. Këndojini Zotit një këngë të re, këndoni lavdinë e tij në kuvendin e shenjtorëve.
2. Le të ngazëllohet Izraeli tek ai që e ka bërë, le të ngazëllohen bijtë e Sionit te Mbreti i tyre.
3. Le të lëvdojnë emrin e tij me valle, të këndojnë lavdet e tij me dajre dhe me qeste,
4. sepse Zoti kënaqet me popullin e tij; ai i kurorëzon me shpëtim njerëzit e përulur.
5. Le të ngazëllohen shenjtorët në lavdi, le të këndojnë nga gëzimi mbi shtretërit e tyre.
6. Le të kenë në gojën e tyre lavdet e Perëndisë dhe në dorën e tyre një shpatë që pret nga të dy anët;
9. për të zbatuar mbi ta gjykimin e shkruar. Ky është nderi që u rezervohet mbarë shenjtorëve të tij. Aleluja.

Luka 6:12-19

Jezusi zgjedh dymbëdhjetë Apostujt
(Mt 10, 1‑4; Mk 3, 13‑19)

12 Ndër ato ditë Jezusi shkoi në një mal për t’u lutur. Natën e kaloi duke iu lutur Hyjit. 13 Kur zbardhi drita, i thirri nxënësit e vet e prej tyre zgjodhi dymbëdhjetë, të cilët edhe i quajti apostuj: 14 Simonin, të cilin e quajti edhe Pjetër, Andreun, vëllanë e tij, Jakobin e Gjonin, Filipin e Bartolomeun, 15 Mateun, e Tomën, Jakobin e Alfeut, Simonin që quhej Zelltar, 16 Judën e Jakobit edhe Judën Iskariot, i cili u bë tradhtar.
Shërbim popullit
(Mt 4, 23‑25)
17 Pastaj zbriti bashkë me ta e zuri vend në rrafshinë. Ishte aty një shumicë e madhe nxënësish të tij dhe një turmë e madhe e popullit prej mbarë Judesë, prej Jerusalemit dhe prej bregut të detit të Tirit e të Sidonit, 18 që kishin ardhur për ta dëgjuar e për t’u shëruar prej sëmundjeve të veta. Shëroheshin edhe ata që i mundonin shpirtrat e ndytë. 19 Të gjithë këta njerëz kërkonin ta preknin, sepse prej tij dilte një fuqi që shëronte gjithkënd.



Mos u brengosni, duke thënë: ‘Çka do të hamë?’ e ‘Çka do të pimë?’

Zanafilla 2:4-9, 15
Psalm 90:2-5, 12-14, 16
Mateu 6:31-34

Zanafilla 2:4-9, 15

4 Kjo është zanafilla e qiellit dhe e tokës, kur qenë krijuar.
Atë ditë, kur Zoti Hyj krijoi tokën e qiellin 5 para se të mbinte në tokë ndonjë shkurre fushe, para se të gjelbëronte ndonjë bimë tokësore: sepse Zoti Hyj nuk kishte lëshuar ende shi mbi tokë e nuk kishte njeri që ta punonte tokën;6 megjithatë, një burim dilte nga toka dhe e ujiste mbarë sipërfaqën e saj,7 atëherë Zoti Hyj e formoi prej pluhurit të tokës njeriun dhe nëpër hundë i futi frymën e jetës e njeriu u bë qenie e gjallë.
8 Zoti Hyj mbolli një kopsht në Eden, në lindje e në të e vendosi njeriun që e kishte krijuar. 9 Zoti Hyj bëri që prej toke të mbijë çdo lloj peme, e bukur për t’u parë dhe e shijshme për t’u ngrënë e në mes të parrizit pemën e jetes e pemën e dijes të mirës e të së keqes. 15 Zoti Hyj e mori njeriun dhe e vendosi në kopshtin Eden që ta punojë e ta ruajë atë.

Psalm 90:2-5, 12-14, 16

2 Para se të lindnin malet, para se të bëhej toka dhe rruzulli,
prej amshimit të amshimit ti je Hyj!
3 Ti e kthen njeriun në pluhur duke thënë:
“Kthehuni, bijtë e Adamit!”
4 Sepse mijëra vjet për sy të tu janë
si dita e djeshme që kaloi,
porsi ndërresa e rojës së natës!
5 Ti i zhduk në gjasim të gjumit
12 Na mëso ashtu t’i numërojmë ditët tona
që zemra jonë dijes t’ia mbërrijë.
13 Kthehu, o Zot! Deri kur kështu?
Ki mëshirë për shërbëtorët e tu!
14 Na e trego në mëngjes mëshirën tënde
e do të gëzohemi e do të galdojmë
të gjitha ditët e jetës sonë.
16 Vepra jote të shfaqet në shërbëtorë të tu,
shkëlqimi yt mbi bijtë e tyre!

Mateu 6:31-34


 31 Mos u brengosni, prandaj, duke thënë: ‘Çka do të hamë?’ e ‘Çka do të pimë?’ ‘Me çka do të vishemi?’ 32 ‑ këto gjëra i kërkojnë paganët ‑ sepse Ati juaj qiellor e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto. 33 Kërkoni, pra, më së pari, Mbretërinë dhe drejtësinë e tij e të gjitha këto do t’ju jepen si shtesë! 34 Prandaj: mos u brengosni për të nesërmen, sepse e nesërmja do të kujdeset vetë për vete. Secilës ditë i del mjaft mundimi i vet!”

“Biri i njeriut është zotëria i të shtunës.”

1 e Korintasve 4:6-15
Psalm 145:17-21
Luka 6:1-5

1 e Korintasve 4:6-15

6 Me këto fjalë, vëllezër, e mora për shembull veten e Apolin për mësimin tuaj, që në ne ta kuptoni fjalën. Jo përtej asaj që është e shkruar!’ që të mos krenoheni me njërin kundër tjetrit. 7 E njëmend, kush ta jep ty përparësinë? Çka ke që nuk e ke marrë? E, nëse e ke marrë prej tjetërkujt, pse krenohesh sikur s’e ke marrë? Tani u ngitë! Tani u bëtë të pasur! Pa ne u bëtë mbretër! Ku të merrej ai fat, të bëheshit vërtet mbretër, që të mbretëronim edhe ne me ju!
9 E pra, unë mendoj se Hyji ne, apostujve, na ka vënë në vendin e fundit, si të dënuar për vdekje: lojë për botën, për engjëjt e për njerëzit;
10 ne të marrë për shkak të Krishtit, ju të urtë në Krishtin,
‑ ne të dobët, ju të fortë,
ju të nderuar e ne të përbuzur,
11 deri tani s’ngihemi me bukë as me ujë, jemi të zhveshur e të shtypur, të paplëng e të pashtëpi, 12 lodhemi duke punuar me duart tona.
Na shajnë e ne flasim mirë për ta,
na salvojnë e ne durojmë;
13 na shpifen e ne ngushëllojmë.
U bëmë deri më sot porsi plehrat e botës, porsi mbeturinat e gjithkujt!
14 Nuk po jua shkruaj këto që t’ju turpëroj, por që t’ju qortoj si fëmijët e mi të dashur. 15 Sepse, edhe po t’i kishit në Krishtin dhjetë mijë mësues, nuk do të kishit shumë etër, sepse, me anë të Ungjillit, unë ju linda në Jezu Krishtin.

Psalm 145:17-21

17 Zoti është i drejtë në të gjitha rrugët e tij dhe dashamirës në të gjitha veprat e tij.
18 Zoti është pranë gjithë atyre që kërkojnë, pranë gjithë atyre që e kërkojnë në të vërtetë.
19 Ai kënaq dëshirën e atyre që kanë frikë prej tij, dëgjon britmën dhe i shpëton.
20 Zoti mbron të gjithë ata që e duan dhe do të shkatërrojë të gjithë të pabesët.
21 Goja ime do të tregojë lëvdimin e Zotit, dhe çdo qënie do të bekojë emrin e tij të shenjtë përjetë.

Luka 6:1-5

1 Një të shtunë, kur Jezusi po kalonte nëpër të mbjella, nxënësit e tij këputnin kallinj, i shkokëlonin në dorë dhe i hanin. 2 Atëherë disa farisenj thanë:
“Pse bëni çka s’është e lejueshme të bëhet të shtunën?”
3 Jezusi iu përgjigj:
“A nuk keni lexuar çfarë bëri Davidi kur u urit ai dhe përcjellësit e tij? 4 [Si] hyri në Shtëpinë e Hyjit, i mori bukët e kushtimit, hëngri vetë dhe u dha të hanë edhe atyre që ishin me të, bukët, që s’kishte leje t’i hajë askush tjetër përveç priftërinjve?”
5 Dhe u tha: “Biri i njeriut është zotëria i të shtunës.”



Çështja e agjërimit

1 e Korintasve 4:1-5
Psalm 37:3-6, 27-28, 39-40
Luka 5:33-39

1 e Korintasve 4:1-5

1 Prandaj, gjithkush le të na mbajë për shërbëtorë të Krishtit e për mbarështues të mistereve të Hyjit. 2 Tashti, në fund të fundit, prej mbarështuesve kërkohet që secili të jetë besnik. 3 Sa për mua, aspak nuk shqetësohem se më gjykoni ju apo çfardo gjyqi njerëzor. Por as vetë nuk e gjykoj vetveten. 4 Vërtet, ndërgjegjja ime nuk më padit për asgjë, por nuk është kjo që më bën të drejtë, sepse gjykatësi im është Zoti. 5 Prandaj, mos gjykoni para kohe, para se të vijë Zoti! Ai do të qesë në dritë çka është e fshehur në errësirë dhe do t’i zbulojë synimet e zemrave. Atëherë gjithkush do të marrë prej Hyjit lavdinë që i përket.

Psalm 37:3-6, 27-28, 39-40

3 Ki besim tek Zoti dhe bëj të mira; bano vendin dhe shto besnikërinë.
4 Gjej kënaqësinë tënde në Zotin dhe ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate.
5 Vendose fatin tënd tek Zoti, ki besim tek ai dhe ai ka për të vepruar.
6 Ai do të bëjë të shkëlqejë drejtësia jote si drita dhe ndershmëria e saj si mesdita.
27 Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën, dhe do të kesh një banesë të përjetshme.
28 Sepse Zoti e do drejtësinë dhe nuk ka për t’i braktisur kurrë shenjtorët e tij; ata do të ruhen përjetë, ndërsa pasardhësit e të pabesëve do të shfarosen.
39 Por shpëtimi i të drejtëve vjen nga Zoti; ai është kështjella e tyre në kohën e fatkeqësisë.
40 Dhe Zoti i ndihmon dhe i çliron; i çliron nga të pabesët dhe i shpëton, sepse kanë gjetur strehë tek ai.

Luka 5:33-39

Çështja e agjërimit
(Mt 9, 14‑17; Mk 2, 18‑22)

33 Atëherë ata i thanë:
“Nxënësit e Gjonit agjërojnë shpesh dhe luten, po ashtu edhe ata të farisenjve ‑ përkundrazi, të tutë hanë e pinë.”
34 Jezusi u përgjigj:
“A mund t’i bëni dasmorët të agjërojnë derisa dhëndri është me ta? 35 Tani vijnë ditët kur do t’ua rrëmbejnë dhëndrin, atëherë, në ato ditë do të agjërojnë.”
36 U tregoi edhe krahasimin:
“Askush nuk e pret një copë prej petkut të ri për t’ia vënë petkut të vjetër, përndryshe shqyen petkun e ri, kurse copa prej petkut të ri nuk përkon me petkun e vjetër. 37 Askush nuk e shtie verën e re në rrëshiqa të vjetër, sepse vera e re i pëlcet rrëshiqat kështu që edhe vera derdhet edhe rrëshiqat prishen: 38 por vera e re duhet të hidhet në rrëshiqa të rinj.
39 Askush, duke pirë verë të vjetër, s’i lakmon verës së re, sepse thotë: “E vjetra është më e mirë!”


Jezusi i tha Simonit: “Mos ki frikë! Tani e tutje do të zësh njerëz.”

1 e Korintasve 3:18-23
Psalm 24:1-6
Luka 5:1-11

1 e Korintasve 3:18-23

18 Askush mos ta gënjejë vetveten! Në qoftë se ndokush prej jush kujton se është i mençur sipas parimeve të shekullit, le të bëhet i marrë për të qenë i urtë. 19 Sepse dija e kësaj bote është marri para Hyjit, sepse Shkrimi i shenjtë thotë:
‘Ai i zë të dijshmit në dredhitë e tyre.’
20 dhe përsëri:
‘Zoti i njeh mendimet e të mençurve,
e di se janë të kota.’
21 Prandaj, askush prej jush mos ta vërë mburrjen e vet në njerëz, sepse gjithçka është juaja: 22 Pali, Apoli, Kefa, bota, jeta, vdekja, e tashmja, e ardhmja! Gjithçka është juaja, 23 ju jeni të Krishtit e Krishti është i Hyjit!

Psalm 24:1-6

Liturgjia e hyrjes në Shenjtërore
1 Psalm. I Davidit.

E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka, rruzulli mbarë e të gjithë banorët e tij.
2 Ai vetë e themeloi mbi dete, dhe e bëri të qëndrueshme mbi lumenj.
3 Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?
4 Ai që duart i ka të pafajshme e zemrën të pastër, ai që nuk e drejtoi shpirtin e vet në kotësi, ai që nuk betohet në gënjeshtër.
5 Ky do ta marrë bekimin prej Zotit, shfajësimin e Hyjit, Shëlbuesit të vet.
6 E tillë është breznia e atyre që kërkojnë Zotin, e atyre që kërkojnë fytyrën e Hyjit të Jakobit.

Luka 5:1-11

1 Jezusi një ditë ishte në bregun e liqenit të Gjenezaretit e, ndërsa populli po shtyhej rreth tij për të dëgjuar fjalën e Hyjit, 2 pa dy lundra buzë bregut të liqenit: peshkatarët kishin dalë e po lanin rrjetat. 3 Hyri në njërën prej atyre lundrave ‑ në atë që ishte e Simonit ‑ dhe iu lut ta largonte pakëz prej tokës. U ul e, prej lundrës, mësonte turmën.
4 Kur pushoi së foluri, i tha Simonit:
“Grahi në ujë të thellë e hidhni rrjetat tuaja për të zënë peshk.”
5 Simoni i tha:
“Mësues, gjithë natën u përpoqëm e nuk zumë asgjë; por pasi po thua ti, do t’i hedh rrjetat.”
6 Si bënë kështu, zunë një sasi të madhe peshqish ‑ gati po u shqyheshin rrjetat. 7 Atëherë u dhanë shenjë shokëve në lundrën tjetër të vinin e t’u ndihmonin. Ata erdhën dhe i mbushën të dy lundrat aq sa gati u fundosën.
8 Kur pa Simon Pjetri, i ra ndër këmbë Jezusit dhe i tha:
“Largohu prej meje, Zotëri, se jam njeri mëkatar!”
9 Vërtet, për arsye të peshkut që zunë, mbeti shtang prej habisë ai dhe të gjithë të tjerët që ishin me të; 10 gjithashtu edhe Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, bashkëgjuetarë të Simonit. Jezusi i tha Simonit:
“Mos ki frikë! Tani e tutje do të zësh njerëz.”
11 Ata, si i sollën lundrat në breg, lanë gjithçka e shkuan pas tij.