Pages

E Shtuna e Shenjte - Pse e kërkoni të Gjallin ndër të vdekur? - 30 Mars 2013


1) Zanafilla 1:1 - 2:2 ose Zanafilla 1:1, 26-31
Psalm 104:1-2, 5-6, 10, 12-14, 24, 35 ose Psalm 33:4-7, 12-13, 20-22

2) Zanafilla 22:1-18 ose Zanafilla 22:1-2, 9-13, 15-18
Psalm 16:5, 8-11

3) Eksodi 14:15 --15:1
(Ps) Eksodi 15:1-6, 17-18

4) Isaia 54:5-14
Psalm 30:2, 4-6, 11-13

5) Isaia 55:1-11
(Ps) Isaia 12:2-6

6) Baruku 3:9-15, 32 - 4:4
Psalm 19:8-11

7) Ezekieli 36:16-28
Psalm 42:3, 5; Psalm 43:3-4
(Ps) Isaia 12:2-6 ose Psalm 51:12-15, 18-19

8) Letrat: Romakeve 6:3-11
Psalm 118:1-2, 16-17, 22-23

9) UNGJILLI: Luka 24:1-12



1) Zanafilla 1:1 - 2:2 ose Zanafilla 1:1, 26-31

1 Në fillim Hyji krijoi qiellin e tokën. Toka ishte e shkretë dhe e zbrazët; terri e mbulonte humnerën dhe fryma e Hyjit endej përmbi ujëra. 3 Hyji tha: “Le të bëhet drita”! Dhe drita u bë. 4 Hyji pa se drita ishte gjë e mirë dhe e ndau dritën nga terri. 5 Hyji e quajti dritën ‘ditë’, kurse terrin ‘natë’. Dhe u bë mbrëmje e mëngjes ‑ dita e parë.

6 Hyji tha edhe: “Le të bëhet ndërmjet ujërave kupa e qiellit dhe le t’i ndajë ajo ujërat prej ujërave”. 7 Hyji bëri kupën e qiellit dhe i ndau ujërat që ishin nën kupën e qiellit prej atyre që ishin përmbi kupën e qiellit. Dhe u bë ashtu. 8Hyji e quajti kupën e qiellit ‘qiell’. Dhe u bë mbrëmje e mëngjes ‑ dita e dytë.

9 Hyji tha prapë: “Le të bashkohen ujërat, që janë nën qiell, në një vend të vetëm. E le të duket teriku!”. Dhe u bë ashtu. 10 Hyji terikun e quajti ‘tokë’ kurse ujërat e bashkuara i quajti ‘dete’. Dhe Hyji pa se ishte gjë e mirë. 11 Dhe Hyji tha: “Le të qesë toka bar të gjelbër e bar që qet farë e lëndë frytdhënëse që jep fryte sipas llojit të vet që ta ketë farën e vet në vetvete përmbi tokë”! E u bë ashtu. 12 Toka nxorri barin e gjelbër, barin që qet farë sipas llojit të vet, dhe lëndën frytdhënëse sipas llojit të vet, që ka më vetvete farën sipas llojit të vet. Hyji pa se ishte gjë e mirë. 13 Dhe u bë mbrëmje e mëngjes ‑ dita e tretë.

14 Hyji tha: “Le të bëhen ndriçues në kupën e qiellit, që ta ndajnë ditën e natën dhe të shërbejnë si shenja për stinë, ditë dhe vite: 15 që të ndriçojnë në kupën e qiellit dhe të ndrisin tokën”. Dhe u bë ashtu. 16 Hyji bëri dy dritëdhënës të mëdhenj: dritëdhënësin më të madh që të sundojë ditën e dritëdhënësin më të vogël që të sundojë natën dhe yjet. 17 Hyji i vendosi në kupën e qiellit që të ndriçojnë mbi tokë, 18 që ta sundojnë ditën dhe natën e ta ndajnë dritën prej errësirës. Hyji pa se ishte gjë e mirë. 19 Dhe u bë mbrëmje e mëngjes ‑ dita e katërt.

20 Hyji tha edhe: “Le të vlojnë ujërat vrumull me qenie të gjalla e shpendët le të fluturojnë përmbi tokë, nën kupën e qiellit”! 21 Hyji krijoi përbindësh të mëdhenj deti dhe çdo lloj qenie të gjallë që lëviz rrëshqanthi e gëlojnë sipas llojit të vet si edhe çdo shpend sipas llojit të vet. Hyji pa se ishte gjë e mirë.
22 Hyji i bekoi dhe tha: “Shtohuni e shumohuni, mbushni ujërat e detit; po edhe shpendët le të shumohen përmbi tokë”! 23 Dhe u bë mbrëmje e mëngjes ‑ dita e pestë.

24 Përsëri Hyji tha: “Le të prodhojë toka qenie të gjalla, secilën sipas llojit të vet: bagëti, zvarranikë dhe egërsira sipas llojit të tyre”! Dhe u bë ashtu. 25Hyji krijoi çdo lloj egërsire, bagëtie dhe zvarraniku të tokës. Hyji pa se ishte gjë e mirë. 26 Hyji tha: “Le ta bëjmë njeriun në shëmbëlltyrën e në përngjasimin tonë që të jetë zotërues i peshqve të detit, i shpendëve të qiellit, i kafshëve, i mbarë tokës, dhe i çdo zvarraniku që zvarritet mbi tokë”!
27 Hyji krijoi njeriun në përngjasimin e vet, e krijoi në përngjasimin e Hyjit;
i krijoi mashkull e femër. 28 Hyji i bekoi dhe u tha: “Shtohuni e shumohuni e mbusheni tokën dhe sundojeni atë! Bëhuni zotëruesit e peshqve të detit, të shpendëve të qiellit dhe të çdo gjallese që lëviz përmbi tokë”! 29 Hyji tha edhe: “Ja, çdo bimë që qet farë mbi tokë dhe të gjitha pemët që kanë në vetvete frytin e pemës që qet farë: le të jenë ushqimi juaj”! 30 Të gjitha kafshëve mbi tokë, çdo shpendi të qiellit e çdo gjëje që lëviz mbi tokë, në të cilat është fryma e jetës, i jap për ushqim të gjitha barërat e gjelbëra. Dhe u bë ashtu. 31 Hyji shikoi gjithçka kishte bërë dhe, ja, ishin shumë të mira!” Dhe u bë mbrëmje e mëngjes ‑ dita e gjashtë.

1 Kështu u kryen qielli e toka dhe mbarë ushtria e tyre. 2 Të shtatën ditë Hyji e kreu punën e vet që kishte bërë. Të shtatën ditë pushoi nga çdo punë që kishte bërë.

Psalm 104:1-2, 5-6, 10, 12-14, 24, 35 ose Psalm 33:4-7, 12-13, 20-22

1 Bekoje, shpirti im, Zotin! O Zot, Hyji im, sa i madh je! I veshur me madhëri e me bukuri,
2 i mbështjellë me dritë porsi me petk! E ngreh qiellin porsi tendë,
5 Tokën e vendose mbi qëndrueshmërinë e saj, nuk do të lëkundet në shekuj të shekujve.
6 E mbulove si me petk me ujërat e humnerave, majat e maleve i mbulonin ujërat:
10 Burimet ti i kthen në përrenj, rrjedhin përmes malesh;
12 Përskaj tyre banojnë zogjtë e ajrit, degë më degë ia thonë këngës së vet.
13 Ti i ujit malet nga pallatet e tua, toka ngihet me frytet e duarve të tua.
14 Ti bën të mbijë bar për kafshë, bimë të tjera të nevojshme për njeriun,
për të nxjerrë prej tokës bukën
24 Sa të shumta janë, o Zot, veprat e tua! Të gjitha i ke bërë me urti të madhe: plot është toka me krijesat e tua.
35 U zhdukshin mëkatarët nga faqja e dheut e keqbërës askurrë më mos pastë mbi tokë! Bekoje, shpirti im, Zotin!


2) Zanafilla 22:1-18 ose Zanafilla 22:1-2, 9-13, 15-18

1 Pas këtyre ngjarjeve Hyji e vuri në provë Abrahamin e i tha: “Abraham”! Ai iu përgjigj: “Tek jam”! 2 I tha: “Merre djalin tënd të dëshirit, Izakun, të cilin e do e shko në trevën Moria, e atje ma kushto fli shkrumbimi mbi njërin ndër malet që do të ta tregoj”. 3 Abrahami u ngrit heret në mëngjes, e shiloi gomarin e vet, mori me vete dy shërbëtorë të vet dhe Izakun, djalin e vet. Pasi më parë i preu drutë për fli shkrumbimi, u nis për në atë vend që Hyji i kishte treguar. 4 Të tretën ditë, pasi Abrahami i lartësoi sytë, e vështroi atë vend prej së largu. 5 U tha shërbëtorëve të vet: “Ju pritni këtu me gomar. Unë e djali po shkojmë deri atje për të adhuruar dhe do të kthehemi te ju”. 6 Mori edhe drutë e flisë së shkrumbimit e ia ngarkoi Izakut, birit të vet, kurse ai mbante në dorë zjarrin e thikën. Ndërsa të dy po ecnin së bashku, 7 Izaku i tha Abrahamit, babait të vet: “Baba!” Ai u përgjigj: “Çka do, biro? ‑ Qe ‑ tha ‑ zjarri e drutë, po ku është flia e shkrumbimit”? 8 Abrahami iu përgjigj: “Vetë Hyji do ta gjejë flinë e shkrumbimit për vete, biri im”! Dhe të dy vazhduan udhën së bashku. 9 Kur arritën në vendin që Hyji ia kishte dëftuar, Abrahami aty e ndërtoi lterin dhe mbi të i renditi drutë. Pastaj e lidhi Izakun, djalin e vet, e vendosi mbi lter mbi turrën e druve, 10 shtriu dorën dhe e mori thikën për ta flijuar djalin e vet.11 Dhe ja, prej qiellit bërtiti engjëlli i Zotit: “Abraham, Abraham”! Ky iu përgjigj: “Urdhëro”! 12 Engjëlli i tha: “Mos e ço dorën tënde mbi fëmijën tënd dhe mos i bëj farë dëmi! Tani po e shoh se ia ke drojën Hyjit dhe për shkakun tim nuk e kurseve as djalin tënd të dëshirit”.
13 Abrahami i çoi sytë lart dhe e pa një dash të ngatërruar për brirësh në një shkurre. E mori këtë dhe e kushtoi fli shkrumbimi në vend të të birit. 14 Atë vend e quajti: “Zoti sheh.” Këndej edhe sot e kësaj dite thuhet: “Në malin Zoti shihet”. 15 Engjëlli i Zotit e thirri Abrahamin për të dytën herë prej qiellit e i tha: 16“Pasha mua ‑ është fjala e Zotit ‑ pasi e bëre këtë gjë dhe nuk t’u dhimbs djali yt i dëshirit, 17 unë po ta fal bekimin tim dhe do të bëj që pasardhësit e tu të shtohen porsi yjet e qiellit, porsi rëra në bregun e detit. Ndërsa pasardhësit e tu do t’i pushtojnë dyert e armiqve të vet 18 dhe në farën tënde do të jenë të bekuar të gjithë popujt e tokës pasi ti ma dëgjove fjalën”.

Psalm 16:5, 8-11

5 Zoti është pjesa e trashëgimit tim dhe gota, në dorën tënde është fati im!
8 Zotin e kam gjithmonë para sysh, më rri në të djathtë, nuk kam sesi të rrëzohem!
9 Prandaj galdon zemra ime, gëzon shpirti im, mbarë trupi im pushon në qetësi.
10 S’do të ma lësh shpirtin në Nëntokë, as s’do të lejosh që Shenjti yt të kalbet në dhe.
11 Ti do të ma tregosh udhën e jetës, gëzimin e plotë para fytyrës sate,
kënaqjen e amshueshme në të djathtën tënde.

3) Eksodi 14:15 --15:1

15 Zoti i tha Moisiut: “Përse po lëshon klithma kah unë? Urdhëroju bijve të Izraelit të nisen! 16 Ndërkaq, ti çoje shkopin tënd dhe shtrije dorën tënde përmbi det e ndaje, kështu që bijtë e Izraelit të kalojnë përmes detit nëpër terik. 17 Unë do t’ua guroj zemrën egjiptianëve që t’ju përndjekin. Unë do ta dëftoj madhërinë time në faraonin e në mbarë ushtrinë e tij, në karroca dhe në kalorës të tij. 18 Kështu egjiptianët do ta kuptojnë se unë jam Zoti, kur të jem madhëruar në faraonin, në karrocat e kalorësit e tij”. 19 Engjëlli i Hyjit, që u printe çetave të Izraelit, doli pas tyre, po ashtu me të edhe shtylla e resë, prej përpara doli prapa. 20 Zuri vend ndërmjet ushtrisë së egjiptianëve e të izraelitëve. Reja ishte e errët për egjiptianë, kurse izraelitëve ua ndriçonte natën. Kështu nuk mundën t’i afrohen njëri‑tjetrit krejt natën. 21 Atëherë Moisiu e shtriu dorën mbi det. Zoti e shtyri gjithë natën detin me anë të një ere të fortë e të nxehtë dhe e thau: ujërat u ndanë. 22 Bijtë e Izraelit hynë përmes detit nëpër terik: sepse uji ishte bërë pothuajse mur në të djathtë e në të majtë të tyre. 23 Edhe egjiptianët, që po i ndiqnin, hynë pas tyre, mbarë kaloria e faraonit, karroca e tij e kalorësit në mes të detit. 24Kishte ardhur koha e rojës së mëngjesit dhe, ja, Zoti ia lëshoi një sy prej shtyllës së zjarrit e të resë ushtrisë së egjiptianëve, e pështjelloi, 25 ia frenoi rrotat e karrocave saqë mezi mund të lëviznin. Atëherë thanë egjiptianët: “Të ikim prej izraelitëve! Zoti po lufton për ta kundër nesh”! 26 Zoti i tha Moisiut: “Shtrije dorën mbi det: ujërat le të hidhen mbi egjiptianët, mbi karroca dhe kalorës të tyre”. 27 Kur Moisiu e shtriu dorën drejt detit, në mëngjes, heret, deti u kthye në vendin e mëparshëm. Egjiptianët, duke u munduar të ikin, ujërat u vinin drejt tyre. Kështu Zoti i mbuloi me tallaze në mes të detit. 28 Ujërat u kthyen dhe i mbuluan karroca e kalorës të mbarë ushtrisë së faraonit, të cilët për të ndjekur izraelitët kishin hyrë në det. S’shpëtoi prej tyre as një për be! 29 Kurse bijtë e Izraelit kishin udhëtuar mes të detit për terik dhe ujërat për ta ishin bërë si mur në të djathtë e në të majtë të tyre. 30 Po në këtë ditë Zoti e shpëtoi Izraelin prej duarve të egjiptianëve. I panë egjiptianët e vdekur përmbi bregun e detit 31 dhe dorën e fortë që e ushtroi Zoti kundër egjiptianëve. Populli i dha nderim Zotit, e vuri besimin e vet në Zotin dhe në Moisiun, shërbëtorin e tij. 1 Atëherë Moisiu dhe bijtë e Izraelit e kënduan këtë këngë në nder të Zotit e thanë: “Le t’i këndojmë Zotit, sepse mbrekullisht ngadhënjeu: kalë e kalorës plandosi në fund t’detit!

(Ps) Eksodi 15:1-6, 17-18

1 Atëherë Moisiu dhe bijtë e Izraelit e kënduan këtë këngë në nder të Zotit e thanë: “Le t’i këndojmë Zotit, sepse mrekullisht ngadhënjeu: kalë e kalorës
plandosi në fund t’detit!
2 Zoti është forca dhe fuqia ime, Ai, veç Ai, më shpëtoi! Ai është Hyji im,
Atë lavdëroj! Është Hyji i atit tim: Atë e lartësoj!
3 Zotin askush s’e mund, Jahve emrin e ka!
4 Qerre e ushtri të faraonit në det i plandosi! Luftëtarët e tij të zgjedhur
Deti i Kuq i mbuloi!
5 Pellgu i përpiu, humbën si spata në pus!
6 E djathta jote, o Zot, fuqi e tmerrueshme: e djathta jote
e goditi armikun!
17 Do ta shtish dhe do ta mbjellësh në malin e trashëgimit tënd, në banesën tënde të përhershme, që ti vetë e përgatite, o Zot, shenjtërore, o Zot,
me duar të tua të përftuar!
18 Zoti do të sundojë përgjithmonë e mot të jetës”!

4) Isaia 54:5-14

5 Sepse Krijuesi yt do të jetë fati yt, emri i tij është Zoti i Ushtrive; Shpërblyesi yt Shenjti i Izraelit, Ai quhet Hyji i mbarë tokës,
6 Sepse si një grua të lënë që vuan në shpirt të thirri Zoti:
‘Gruaja e vjetëve të rinisë a mund të përbuzet?’ ka thënë Hyji yt.
7 Për pak kohë të lashë, por po të rimarr me dashuri të madhe.
8 Në momentin e zemërimit e fsheha pakëz prej teje fytyrën time, por me dashuri të amshuar pata dhimbje për ty, tha Zoti Shpërblyesi yt.
9 Tashti është për mua si në ditët e Noehit, kur u përbetova se ujërat e Noehit më nuk do të vërshojnë tokën, po ashtu u përbetova se më nuk do të të hidhërohem e nuk do të të kërcënohem.
10 Malet mund të zhduken, kodrat mund të tranden, porse dashuria ime s’do të zhduket prej teje as besëlidhja e paqes sime nuk do të trandet, thotë Zoti që pati mëshirë për ty.

Jerusalemi i ri
11 Varfanjakja ime, stuhish e rrahur, e pa farë ngushëllimi, ja, në vend të gurëve do të vë karbunkull, e themelet do t’i qes mbi safirë.
12 Pirgjet e tua prej jaspisit, dyert e tua gurësh të paçmueshëm, muret rrethuese të tuat gurë stolie!
13 Të gjithë bijtë e tu do të jenë nxënës të Zotit e madhe do të jetë lumturia e bijve të tu.
14 Do të jesh i themeluar në drejtësi, larg do të jesh nga ndrydhja, s’do të kesh pse të trembesh, larg nga frika, sepse s’do të afrohet.

Psalm 30:2, 4-6, 11-13

2 Të madhëroj, o Zot, pse më shpëtove e nuk lejove të ngihen armiqtë e mi mbi mua.
4 ti, o Zot, ma nxore shpirtin nga Nëntoka, më ktheve në jetë që të mos zbres në varr.
5 Këndoni Zotit ju, o besimtarët e tij, falenderojeni Emrin e shenjtë të tij!
6 Sepse një çast zgjat hidhërimi i tij e tërë jetën dashamirësia e tij!
Mbrëmja vjen me lot, e mëngjesi plot hare!
11 Më dëgjoi Zoti e pati mëshirë për mua, Zoti u bë ndihmëtari im.
12 Ti vajin ma ktheve në valle, ma zhveshe grathoren time e më ngjeshe me hare,
13 që shpirti im të të këndojë e të mos pushojë: “O Zot, Hyji im, do të të lavdëroj për amshim”!

5) Isaia 55:1-11

1 O ju të gjithë që jeni të etshëm, ejani tek ujët, le të vijnë gjithashtu edhe ata që s’kanë para! Bleni drithë e hani; ejani e bleni pa para e pa pagesë verë e qumësht!
2 Pse t’i shpenzoni paratë në atë që s’është bukë dhe mëditjen tuaj në gjëra që nuk ngijnë? Nëse më dëgjoni mua do të hani çka është e mirë,
e do të shijoni ushqime të shijshme! 3 Ma vini veshin e ejani tek unë,
më dëgjoni e shpirti juaj do të jetojë!

Besëlidhja
Me ju do të lidh Besëlidhje të përhershme, po, do t’i ruaj të mirat e Davidit.
4 Ja, atë e bëra dëshmitar për fise, prijës e urdhërues për paganë.
5 Ja, do të thërrasësh një popull që s’e njihje, te ti do të vrapojnë popuj që s’të njihnin, për shkak të Zotit, Hyjit tënd, të Shenjtit të Izraelit
që ty të madhëroi!

Afërsia e Zotit
6 Kërkojeni Zotin deri sa mund të gjendet, thirreni në ndihmë deri sa është afër!
7 Le ta lërë i patenzoni udhën e vet, njeriu i keq synimet e veta, le të kthehet te Zoti e ai do të ketë mëshirë për të, tek Hyji ynë që është bujar në falje.
8 Sepse mendimet tuaja, nuk janë mendimet e mia, as udhët tuaja nuk janë udhët e mia ‑ thotë Zoti.
9 Sepse, sikurse qielli që është i lartë në krahasim me tokën: po ashtu edhe udhët e mia janë të larta në krahasim me udhët tuaja dhe mendimet e mia
në krahasim me mendimet tuaja!

Fuqia e fjalës së Zotit
10 Dhe sikurse zbret shiu e bora nga qielli e atje nuk kthehet, por e ujit tokën, e zbrun dhe i jep fuqi të blerojë, i jep bujkut farën dhe bukën për ushqim,
11 kështu edhe fjala ime që del prej gojës sime, s’do të kthehet tek unë pa fryt, pa pasë kryer gjithçka më pëlqen dhe pa pasë zbatuar atë për çka e nisa.

(Ps) Isaia 12:2-6

2 Ja, Hyji Shëlbuesi im, kam besim e nuk kam frikë, sepse fuqia ime e mburrja ime është Zoti, Ai është shpëtimi im.”
3 Me galdim do të merrni ujë nga burimet e shëlbimit.
4 Edhe thoni atë ditë: “Falënderojeni Zotin, thirreni Emrin e tij, shpallini ndër popuj veprat e tij, kumtojeni madhërinë e Emrit të tij!
5 Këndojini Zotit, sepse krijoi mrekulli, le ta marrë vesh bota mbarë!
6 Brohoritni e këndoni lavde, ju banorët e Sionit, sepse i madhërishëm është në mesin tuaj Shenjti i Izraelit!”


6) Psalm 19:8-11

8 I përsosur është Ligji i Zotit, shpirtin përtërin; për t’u besuar është Dëshmia e Zotit, të miturve u jep dijen.
9 Urdhërimet e Zotit janë të drejta, kënaqin zemrën; urdhri i Zotit është i qartë, dritë u jep syve.
10 E panjollë është frika e Zotit, nuk ndërron në shekuj të shekujve;
gjyqet e Zotit janë të vërteta, të gjitha njësoj të drejta.
11 Më të çmueshme se ari, se më i pastri ar, më të ëmbla se mjalti,
se hoja që rrjedh mjaltë.


7) Ezekieli 36:16-28

16 Fjala e Zotit më qe drejtuar e më tha: 17 ”Biri i njeriut, kur shtëpia e Izraelit banonte në tokën e vet, e pati përdhosur atë me sjelljen e vet e me veprat e veta: sjellja e tyre ishte para syve të mi porsi papastërtia e gruas së papastër.18 Unë atëherë e zbraza zemërimin tim mbi ta për shkak të gjakut që derdhën përmbi tokë dhe për shkak të idhujve, me të cilët e ndotën. 19 I shpërndava ndër paganë dhe i treta në vende të ndryshme: i dënova sipas sjelljes së tyre dhe sipas veprave të tyre. 20 Por edhe në popujt, ndër të cilët u shpërndanë, te të cilët shkuan, e përdhosën emrin tim të shenjtë, sepse flitej për ta: ‘Ky është populli i Zotit e iu desh të dalë prej tokës së tij!’ 21 Por unë pata nderim për emrin tim të shenjtë që e çnderoi shtëpia e Izraelit në popujt ndër të cilët shkoi. 22 Prandaj, kështu thuaji shtëpisë së Izraelit: Kështu thotë Zoti Hyj: S’e bëj këtë për ju, o shtëpia e Izraelit, por për shkak të emrit tim të shenjtë, që u çnderua në popujt te të cilët shkuat. 23 Unë do ta shenjtëroj emrin tim të madhërueshëm, të cilin ju e çnderuat ndër popuj, e ndotët në mesin e tyre, që paganët ta dinë se unë jam Zoti ‑ thotë Zoti Hyj, kur të dëftohem i shenjtë ndër ju e para syve të tyre. 24 Do t’ju heq prej paganëve e do t’ju bashkoj nga të gjitha vendet dhe do t’ju sjell në vendin tuaj. 25 Atëherë do të zbraz mbi ju një ujë të pastër dhe do të pastroheni nga të gjitha ndyrësitë tuaja. Do t’ju pastroj nga të gjithë idhujt tuaj! 26 Unë do t’ju jap një zemër të re, një shpirt të ri do ta fus në ju, do ta nxjerr nga mishi juaj zemrën e gurtë e do t’ju jap një zemër mishi. 27 Shpirtin tim do ta fus në ju e do të bëj që të ecni urdhërimeve të mia e t’i zbatoni e t’i vini në veprim gjyqet e mia. 28 Do të banoni në tokën që ua dhurova etërve tuaj: ju do të jeni populli im e unë do të jem Hyji juaj. 

Psalm 42:3, 5; Psalm 43:3-4

3 Shpirti im ka etje për Hyjin, për Hyjin e gjallë: oh, e kur do të shkoj
e do të dal para fytyrës së Hyjit?!
5 Mallëngjehet shpirti im kur më bie ndërmend si shtegtoja në krye të turmës, ‑ si prijës ‑ drejt banesës së Hyjit me brohori e këngë lavdi
në procesion kremtues!
3 Dërgoje dritën tënde dhe të vërtetën tënde: ato le të më prijnë, le të më përcjellin në malin tënd të shenjtë, në Tendën tënde.
4 Atëherë do të hyj te lteri i Hyjit, tek Hyji i gëzimit të galdimit tim.
Do të galdoj, do të të këndoj me harpë, ty, o Hyj, Hyji im!

8) Letrat: Romakeve 6:3-11

3 Po a nuk e dini se të gjithë sa jemi pagëzuar në Jezu Krishtin, jemi pagëzuar në vdekjen e tij? 4 Me anë të pagëzimit, pra, bashkë me Të jemi varrosur në vdekje që, sikurse Krishti u ngjall në lavdinë e Atit prej të vdekurve, po ashtu edhe ne të jetojmë në jetën e re.
5 Pra, pasi jemi krejtësisht të bashkuar me Të, me një vdekje të ngjashme me të tijën, me siguri do të bëhemi plotësisht një me Të me përngjasimin e ngjalljes së Tij. 6 Le ta kemi parasysh këtë gjë: njeriu ynë i vjetër është kryqëzuar bashkë me Të që të shkatërrohet ky trup i mëkatit, kështu që të mos i robërojmë më mëkatit , 7 sepse i vdekuri është i lirë nga mëkati.
8 E në qoftë se vdiqëm bashkë me Krishtin, besojmë se edhe do të jetojmë bashkë me Të, 9 pasi e dimë se Krishti i ngjallur nga të vdekurit, nuk vdes më: vdekja nuk ka më pushtet mbi Të. 10 Vdekja e tij qe vdekje njëherë e përgjithmonë për mëkatin, kurse jeta e Tij është jetë për Hyjin. 11 Po kështu edhe ju: mbajeni veten [se jeni] të vdekur për kah mëkati, e të gjallë për Hyjin në Jezu Krishtin!

Psalm 118:1-2, 16-17, 22-23

1 ALELUJA! Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, sepse e amshuar është dashuria e tij!
2 Le të thotë tashti Izraeli, sepse është i mirë, e amshuar është dashuria e tij!
16 “E djathta e Zotit u madhërua! E djathta e Zotit më lartësoi! E djathta e Zotit u madhërua”!
17 S’do të vdes, të jetoj dua, do t’i kumtoj veprat e Zotit!
22 Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit, erdhi e u bë guri i këndit;
23 Zoti e bëri këtë gjë: sa mrekulli për sytë tanë!


9) UNGJILLI: Luka 24:1-12

1 Të parën ditë të javës, fort heret, shkuan te varri me erërat e mira që i përgatitën. 2 Gjetën gurin e rrokullisur prej varrit. 3 Hynë, por nuk e gjetën trupin e Jezusit [Zot]. 4 E, ndërsa po rrinin ashtu, marrë mendsh nga kjo punë, dhe ja, afër tyre, u paraqitën dy burra të veshur me petka të ndritshme. 5 E kur ato, të tmerruara, i ulën sytë për dhe, këta u thanë: Pse e kërkoni të Gjallin ndër të vdekur? 6 Ai s’është këtu! U ngjall! Le t’ju bjerë në mend çka ju pati thënë kur ishte në Galile: 7 ‘Duhet ‑ thoshte ai ‑ që Biri i njeriut t’u dorëzohet njerëzve mëkatarë; ta kryqëzojnë dhe të tretën ditë të ngjallet!’“
8 Atëherë u ranë në mend fjalët e tij. 9 U kthyen nga varri dhe i njoftuan mbi të gjitha këto të Njëmbëdhjetët e të gjithë të tjerët. 10 Ishin: Maria Magdalenë, Gjonia e Maria e Jakobit. Po edhe gratë e tjera që ishin me to, u treguan apostujve të njëjtën gjë. 11 Por apostujt këto fjalë i morën për trillime e nuk u besuan. 12 Megjithatë Pjetri u çua, shkoi me vrap te varri, u përkul dhe pa vetëm pëlhurat. U kthye në shtëpi i çuditur për krejt çka kishte ndodhur.