Pages

Jesusi: "Shkoni e lajmëroni vëllezërit e Mi.." - E Hënë 1 Prill 2013


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 2:14, 22-33
Psalm: Psalm 16:1-2, 5, 7-11
UNGJILLI: Mateu 28:8-15



Leximi i parë: Veprat e Apostujve 2:14, 22-33

14 Atëherë Pjetri bashkë me të Njëmbëdhjetët u çua në këmbë, e ngriti zërin dhe tha: “Burra judeas dhe ju të gjithë që banoni në Jerusalem, mirë ta dini këtë gjë e me kujdes dëgjojini fjalët e mia!
22 Burra të Izraelit, dëgjojini këto fjalë: Jezusin Nazarenas ‑ njeri që Hyji e përforcoi para jush me vepra të madhërueshme, me mrekulli dhe me shenja, që siç e dini ‑ me anë të tij i bëri ndër ju; 23 këtë, të tradhtuar sipas vullnetit të caktuar dhe parapamjes së Hyjit ‑ ju e kryqëzuat dhe e vratë me duar të të pafeve. 24 Por Hyji e ngjalli duke e shpëtuar nga tmerri i vdekjes, sepse s’ishte e mundur që vdekja ta mbante nën sundimin e vet. 25 E njëmend, për të Davidi thotë: ‘Zotërinë e kam gjithmonë para sysh, sepse Ai më rri në anë të djathtë që të mos rrëzohem. 26 Prandaj galdon zemra ime dhe brohorit gjuha ime, po dhe trupi im do të pushojë me shpresë, 27 sepse Ti nuk do ta lësh shpirtin tim në Nëntokë as s’do të lejosh që Shenjti yt të kalbet.
28 Ti ma tregove udhën që shpie në jetë: në praninë tënde do të më mbushësh me gëzime.’
29 Vëllezër, më lejoni t’jua them haptas: Davidi patriark vdiq, u varros dhe varri i tij është edhe sot e kësaj dite ndër ne. 30 Por ai, pasi ishte profet dhe pasi e dinte se Hyji, iu përbetua me betimin se një nga pasardhësit e tij do të hipte në fronin e tij, 31 që më parë e parapa dhe paralajmëroi ngjalljen e Krishtit, kur tha: ‘Nuk qe lënë në Nëntokë as trupi i tij nuk e provoi kalbëzimin.’
32 Po këtë Jezus Hyji e ngjalli! Të gjithë ne e dëshmojmë këtë gjë! 33 E djathta e Hyjit, pra, e lartësoi, prej Atit e mori Premtimin ‑ Shpirtin Shenjt dhe e ndikoi ashtu siç po shihni e po dëgjoni [edhe] ju vetë. 

Psalm: Psalm 16:1-2, 5, 7-11

1 Miktam. I Davidit.
Më ruaj, o Hyj, sepse të kam rënë ndore!
2 I thashë Zotit: “Ti je Zoti im,
tjetër të mirë nuk kam veç teje”!
5 Zoti është pjesa e trashëgimit tim dhe gota,
në dorën tënde është fati im!
6 Shorti më ra në më të mirën tokë:
pjesa e trashëgimit tim më pëlqen shumë!
7 E bekoj Zotin që më dha kuptim,
edhe natën veshkat e mia më mësojnë.
8 Zotin e kam gjithmonë para sysh,
më rri në të djathtë, nuk kam sesi të rrëzohem!
9 Prandaj galdon zemra ime, gëzon shpirti im,
mbarë trupi im pushon në qetësi.
10 S’do të ma lësh shpirtin në Nëntokë,
as s’do të lejosh që Shenjti yt të kalbet në dhe.
11 Ti do të ma tregosh udhën e jetës,
gëzimin e plotë para fytyrës sate,
kënaqjen e amshueshme në të djathtën tënde.


UNGJILLI: Mateu 28:8-15

8 Ato menjëherë u larguan nga varri me frikë e njëherësh me gëzim të madh; shkuan me nxitim t’u lajmërojnë nxënësve të tij. 9 Dhe ja, u doli Jezusi përpara e u tha: “Ju falem!” Ato u afruan, e përqafuan dhe e adhuruan.
10 Atëherë Jezusi u tha: “Mos kini frikë! Shkoni e lajmëroni vëllezërit e mi të shkojnë në Galile. Atje do të më shohin.”

Rojtarët lajmërojnë ngjalljen e Jezusit
11 Ndërsa gratë po shkonin, dhe ja, disa nga rojtarët arritën në qytet dhe i lajmëruan kryepriftërinjtë për krejt çka ndodhi. 12 Këta u tubuan në këshillim me pleqtë, morën shumë të holla, ua dhanë ushtarëve 13 dhe u thanë:
“Thoni: nxënësit e tij erdhën natën e, ndërsa ne po flinim, e vodhën. 14 Po qe se kjo fjalë i shkon në vesh qeveritarit, ne do të kujdesemi t’ia mbushim mendjen e juve s’do t’ju ndodhë asnjë e keqe.”
15 Ata i morën paratë e bënë ashtu si i mësuan. Kjo përrallë është e përhapur ndër judenj edhe sot e kësaj dite.