Leximi i parë:
Veprat e Apostujve 11:19-26
Psalm: Psalm
87:1-7
UNGJILLI: Gjoni
10:22-30
Leximi i parë:
Veprat e Apostujve 11:19-26
19. Ndërkaq ata që ishin shpërndarë për shkak të përndjekjes që
nisi me Stefanin, arritën deri në Feniki, në Qipro dhe në Antioki, duke mos ia
shpallur fjalën asnjë tjetri, përveç Judenjve.
20. Por disa prej tyre me origjinë nga Qipro dhe nga Kirenea, kur
arritën në Antioki, filluan t'u flasin Grekëve, duke shpallur Zotin Jezus.
21. Dhe dora e Zotit ishte me ta; dhe një numër i madh besoi dhe u
kthye te Zoti.
22. Lajmi i kësaj arriti në vesh të kishës që ishte në Jeruzalem;
dhe ata dërguan Barnabën, që të shkonte deri në Antioki.
23. Kur ai arriti, shikoi hirin e Perëndisë, u gëzua dhe i nxiti
të gjithë t`i qëndrojnë besnikë Zotit, me dëshirën e zemrës,
24. sepse ai ishte njeri i mirë, plot me Frymë të Shenjtë dhe
besim. Dhe një numër i madh personash iu shtua Zotit.
25. Pastaj Barnaba u nis
për në Tars për të kërkuar Saulin dhe, si e gjeti, e çoi në Antioki.
26. Dhe plot një vit ata u bashkuan me atë kishë dhe mësuan një
numër të madh njerëzish; dhe, për të parën herë në Antioki, dishepujt u quajtën
të Krishterë.
Psalm: Psalm
87:1-7
1. Ai i vuri themelet e tij mbi malet e shenjta.
2. Zoti i do portat e Sionit më tepër se të gjitha banesat e
Jakobit.
3. Gjëra të lavdishme thuhen për ty, o qytet i Perëndisë. (Sela)
4. Do të përmend Egjiptin dhe Babiloninë ndër ata që më njohin. Ja
Filistia dhe Tiro, së bashku me Etiopinë: "Ky ka lindur atje".
5. Dhe do të thuhet për Sionin: "Ky dhe ai kanë lindur tek
ai; dhe vetë Shumë i Larti do ta bëjë të qëndrueshëm".
6. Zoti duke shqyrtuar popujt, do të regjistrojë: "Ky ka
lindur atje". (Sela)
7. Dhe këngëtarët dhe ata që u bien veglave do të thonë: "Të
gjitha burimet e mia të jetës dhe të gëzimit janë te ti".
UNGJILLI: Gjoni
10:22-30
22. U kremtua festa e Kushtimit në Jeruzalem, dhe ishte dimër.
23. Dhe Jezusi po ecte në tempull, nën portikun e Salomonit.
24. E rrethuan, pra, Judenjtë dhe i thanë: ``Deri kur do të na
mbash pezull? Nëse je Krishti, na e thuaj haptas``.
25. Jezusi u përgjigj atyre: ``Unë jua kam thënë, por ju nuk
besoni; veprat që bëj në emër të Atit tim, janë ato që dëshmojnë për mua.
26. Por ju nuk besoni, sepse nuk jeni nga delet e mia, siç jua kam
thënë.
27. Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më
ndjekin;
28. dhe unë u jap atyre jetën e përjetshme dhe nuk do të humbasin
kurrë, e askush nuk do t`i rrëmbejë nga dora ime.
29. Ati im, që m`i dha, është më i madh se të gjithë; dhe askush
nuk mund t`i rrëmbejë nga dora e Atit tim.
30. Unë dhe Ati jemi një``.
Përderisa të
gjitha gjërat shtrihet të hapura para syve dhe veshëve të Tij, le ta kemi Atë
frikë dhe të pastrojmë veten nga dëshirat e papastra për të bërë punën e të
ligut, me qëllim që të mund të jemi të mbrojtur prej mëshirës së Tij nga ndëshkimi
që do të vij. Kush nga ne do të mund t'i shpëtonte
dorës së Tij të fuqishme?
-- Papa Shën.
Clement