Pages

Jesusi: "Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli" - E Enjte 18 Prill 2013


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 8:26-40
Psalm: Psalm 66:8-9, 16-17, 20
UNGJILLI: Gjoni 6:44-51



Leximi i parë: Veprat e Apostujve 8:26-40

26. Dhe një engjëll i Zotit i foli Filipit, duke i thënë: ``Çohu dhe shko drejt jugut, në rrugën që nga Jeruzalemi zbret në Gaza; ajo është e shkretë``.

27. Ai u ngrit dhe u nis; dhe ja, një njeri Etiopas, eunuk, një zyrtar i lartë i Kandaces, mbretëreshës së Etiopisë, përgjegjës i të gjitha thesareve të saj, i cili kishte ardhur në Jeruzalem për të adhuruar.

28. Tani ai po kthehej dhe, i ulur në karrocën e vet, lexonte profetin Isaia.

29. Dhe Fryma i tha Filipit: ``Afrohu dhe arrije atë karrocë!``.

30. Filipi iu turr afër dhe, duke dëgjuar se po lexonte profetin Isaia, i tha: ``A e kupton atë që lexon?``.

31. Ai tha: ``E si do të mundja, po s`pata një që të më udhëzojë?``. Pastaj iu lut Filipit të hipë dhe të ulet pranë tij.

32. Por pjesa e Shkrimit që ai po lexonte ishte kjo: ``Atë e çuan si delja në thertore; dhe ashtu si qengji është memec përpara qethtarit, kështu ai nuk e hapi gojën e vet.

33. Në përuljen e tij iu mohua çfarëdolloj drejtësie; po kush do të mund ta përshkruajë brezin e tij? Sepse jeta e tij u hoq nga toka``.

34. Dhe eunuku iu kthye Filipit dhe tha: ``Të lutem, për kë e thotë profeti këtë? Për veten e vet apo për ndonjë tjetër?``.

35. Atëherë e mori fjalën Filipi dhe, duke filluar nga ky Shkrim, i shpalli Jezusin.

36. Dhe, ndërsa po vazhdonin rrugën, arritën në një vend me ujë. Dhe eunuku tha: ``Ja uji! Çfarë më pengon të pagëzohem?``.

37. Dhe Filipi tha: ``Nëse ti beson me gjithë zemër, mund ta bësh``. Dhe ai u përgjigj duke thënë: ``Unë besoj se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë``.

38. Urdhëroi atëherë të ndalet karroca, dhe të dy, Filipi dhe eunuku, zbritën në ujë dhe ai e pagëzoi.

39. Kur dolën nga uji, Fryma e Zotit e rrëmbeu Filipin dhe eunuku nuk e pa më; por e vazhdoi rrugën e tij me plot gëzim.

40. Por Filipi u gjet në Azot; dhe, duke vazhduar, ungjillëzoi të gjitha qytetet, derisa arriti në Cezare.

Psalm: Psalm 66:8-9, 16-17, 20

8. Ju o popuj, bekoni Perëndinë tonë; dhe shpallni me zë të lartë lëvdimin e tij.

9. Ai na mban gjallë dhe nuk lejon që këmbët tona të pengohen.

16. Ejani dhe dëgjoni, ju të gjithë që i trëmbeni Perëndisë, dhe unë do t`ju tregoj atë që ai bëri për shpirtin tim.

17. I thirra atij me gojën time dhe e përlëvdova me gjuhën time.

20. Qoftë i bekuar Perëndia, që nuk e hodhi poshtë lutjen time dhe nuk më mohoi mirësinë e tij.


UNGJILLI: Gjoni 6:44-51

44. Askush nuk mund të vijë tek unë, po qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit.

45. Në profetët është shkruar: "Të gjithë do të jenë të mësuar nga Perëndia". Çdo njeri, pra, që ka dëgjuar dhe mësuar nga Ati, vjen tek unë.

46. Jo s`e ka parë ndonjë Atin, përveç atij që është nga Perëndia; ky e ka parë Atin.

47. Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Kush beson në mua ka jetë të përjetshme.

48. Unë jam buka e jetës.

49. Etërit tuaj hëngrën manën në shkretirë dhe vdiqën.

50. Kjo është buka që zbret nga qielli, që një mund të hajë e të mos vdesë.

51. Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli; nëse një ha nga kjo bukë do të jetojë përjetë; buka që unë do të jap është mishi im, që unë do ta jap për jetën e botës``.



Largoje zemrën tënde nga bota para se Zoti ta marri trupin tënd prej saj

-- I Bekuari Gjoni i Avilas