Pages

Jezusi: "Është Fryma që jep jetë" - E Shtunë 20 Prill 2013


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 9:31-42
Psalm: Psalm 116:12-17
UNGJILLI: Gjoni 6:60-69



Leximi i parë: Veprat e Apostujve 9:31-42

31. Kështu në mbarë Judenë, në Galile dhe në Samari kishat kishin paqe dhe ndërtoheshin. Dhe duke ecur në druajtjen e Zotit dhe në ngushëllimin e Frymës së Shenjtë, shumoheshin.

32. Por ndodhi që, ndërsa Pjetri po e përshkonte gjithë vendin, erdhi edhe te shenjtorët që banonin në Lida.

33. Aty ai gjeti një njeri me emër Enea, i cili tashmë prej tetë vjetësh dergjej në shtrat, sepse ishte i paralizuar.

34. Pjetri i tha: ``Enea, Jezusi, Krishti, të shëron; çohu dhe ndreqe shtratin``. Dhe ai u ngrit menjëherë.

35. Dhe të gjithë banorët e Lidës dhe të Saronit e panë dhe u kthyen te Zoti.

36. Por në Jopë ishte një dishepull me emër Tabitha, që do të thotë Gazelë; ajo bënte shumë vepra të mira dhe jepte shumë lëmoshë.

37. Por në ato ditë ndodhi që ajo u sëmur dhe vdiq. Pasi e lanë, e vunë në një dhomë në katin e sipërm.

38. Dhe, duke qenë se Lida është afër Jopës, dishepujt, kur morën vesh se Pjetri ndodhej atje, i dërguan dy burra që ta lutnin të vijë tek ata pa vonesë.

39. Atëherë Pjetri u ngrit dhe u nis bashkë me ta. Sapo arriti, e çuan në dhomën lart; të gjitha gratë e veja i dolën atij duke qarë dhe i treguan tunikat dhe veshjet që kishte punuar Gazela, sa ishte bashkë me to.

40. Atëherë Pjetri, mbasi i nxori jashtë të gjithë, u ngjunjëzua dhe u lut. Pastaj iu kthye trupit dhe tha: ``Tabitha, çohu!``. Dhe ajo i hapi sytë dhe, si pa Pjetrin, u ngrit ndenjur.

41. Ai i dha dorën dhe e ndihmoi të ngrihet; dhe, si thirri shenjtorët dhe gratë e veja, ua tregoi të gjallë.

42. Kjo u muar vesh në mbarë Jopën, dhe shumë veta besuan në Zotin.

Psalm: Psalm 116:12-17

12. Ç`do t`i jap Zotit në këmbim të të gjitha të mirave që më ka bërë?

13. Unë do të ngre kupën e shpëtimit dhe do të thërres emrin e Zotit.

14. Do të plotësoj zotimet e mia ndaj Zotit në prani të të gjithë popullit të tij.

15. Është e çmueshme në sytë e Zotit vdekja e të shenjtëve të tij.

16. Unë jam me të vërtetë shërbëtori yt, o Zot, jam shërbëtori yt, bir i shërbëtores sate; ti i këpute lidhjet e mia.

17. Unë do të të ofroj një flijim falenderimi dhe do të përmend emrin e Zotit.


UNGJILLI: Gjoni 6:60-69

60. Kur i dëgjuan këto, shumë nga dishepujt e tij thanë: “Kjo e folur është e rëndë, kush mund ta kuptojë?”.

61. Por Jezusi, duke e ditur në vetvete se dishepujt e vet po murmurisnin për këtë, u tha atyre: “Kjo ju skandalizon?

62. Ç`do të ishte po ta shihnit, pra, Birin e njeriut duke u ngjitur atje ku ishte më parë?

63. Është Fryma që jep jetë; mishi nuk vlen asgjë; fjalët që po ju them janë frymë dhe jetë.

64. Por janë disa midis jush që nuk besojnë”; në fakt Jezusi e dinte që në fillim kush ishin ata që nuk besonin, dhe kush ishte ai që do ta tradhtonte;

65. dhe thoshte: “Për këtë arsye ju thashë se askush nuk mund të vijë tek unë, nëse nuk i është dhënë nga Ati im”.

66. Që nga ai moment shumë nga dishepujt e vet u tërhoqën dhe nuk shkuan më me të.

67. Atëherë Jezusi u tha të dymbëdhjetëve: “A doni edhe ju të largoheni?”.

68. Dhe Simon Pjetri iu përgjigj: “Zot, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përjetshme.

69. Ne kemi besuar dhe kemi njohur se ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë”.