Pages

Trupi dhe Gjaku i Krishtit - E Premte 19 Prill 2013


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 9:1-20
Psalm: Psalm 117:1-2
UNGJILLI: Gjoni 6:52-59


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 9:1-20

1. Ndërkaq Sauli, duke shfryrë akoma kërcënime dhe kërdi kundër dishepujve të Zotit, shkoi te kryeprifti,

2. dhe kërkoi nga ai letra për sinagogat e Damaskut, me qëllim që, po të gjente ndonjë ithtar të Udhës, burra o gra, të mund t`i sillte të lidhur në Jeruzalem.

3. Por ndodhi që, ndërsa po udhëtonte dhe po i afrohej Damaskut, befas rreth tij vetëtiu një dritë nga qielli.

4. Dhe, si u rrëzua përtokë, dëgjoi një zë që i thoshte: ``Saul, Saul, përse më përndjek?``.

5. Dhe ai tha: ``Kush je, Zot?``. Dhe Zoti tha: ``Unë jam Jezusi, që ti e përndjek; është e rëndë për ty të godasësh me shkelm kundër gjembave``.

6. Atëherë ai, duke u dridhur i tëri dhe i trembur, tha: ``Zot, ç`don ti të bëj unë?``. Dhe Zoti: ``Çohu dhe hyr në qytet, dhe do të të thuhet ç`duhet të bësh``.

7. Dhe njerëzit që udhëtonin me të ndaluan të habitur, sepse dëgjonin tingullin e zërit, por nuk shikonin njeri.

8. Pastaj Sauli u çua nga toka, por, kur i çeli sytë, nuk shihte asnjeri; atëherë e morën për dore dhe e çuan në Damask.

9. Dhe mbeti tri ditë pa të parit, as hëngri as piu.

10. Në Damask ishte një dishepull me emër Anania, të cilit Zoti i tha në vegim: ``Anania!``. Dhe ai u përgjigj: ``Ja ku jam, Zot!``.

11. Dhe Zoti i tha: ``Çohu dhe shko në rrugën e quajtur E drejtë, dhe kërko në shtëpinë e Judës një njeri nga Tarsi me emër Saul, i cili po lutet;

12. ai ka parë në vegim një njeri, me emër Anania, duke hyrë dhe duke i vënë duart për t`ia kthyer dritën e syve``.

13. Atëherë Anania u përgjigj: ``O Zot, nga shumë veta kam dëgjuar për këtë njeri se sa të këqija u ka bërë shenjtorëve të tu në Jeruzalem.

14. Dhe ai ka këtu një autorizim nga krerët e priftërinjve për të burgosur të gjithë ata që thërrasin emrin tënd``.

15. Por Zoti i tha: ``Shko, sepse ai është vegla që unë kam zgjedhur për ta sjellë emrin tim përpara johebrenjve, mbretërve dhe bijve të Izraelit.

16. Sepse unë do t`i tregoj atij sa shumë i duhet të vuajë për emrin tim``.

17. Atëherë Anania shkoi dhe hyri në atë shtëpi; dhe, duke i vënë duart, tha: ``Vëlla Saul, Zoti Jezus, që të është shfaqur në rrugën nëpër të cilën ti po vije, më ka dërguar që të kesh përsëri dritën e syve dhe të mbushesh me Frymën e Shenjtë``.

18. Në këtë çast i ranë nga sytë disa si luspa, dhe ai fitoi përsëri të parit; pastaj u ngrit dhe u pagëzua.

19. Dhe, mbasi mori ushqim, ai u ripërtëri në forcë. Pastaj Sauli qëndroi disa ditë me dishepujt që ishin në Damask.

20. Dhe filloi menjëherë të predikojë Krishtin në sinagoga se ai është Biri i Perëndisë.

Psalm: Psalm 117:1-2

1. Lëvdoni Zotin, ju gjithë kombet! Kremtojini, ju gjithë popujt!

2. Sepse e madhe është dhemshuria e tij ndaj nesh, dhe besnikëria e Zotit vazhdon përjetë. Aleluja.


UNGJILLI: Gjoni 6:52-59

52. Atëherë Judenjtë filluan të diskutojnë njeri me tjetrin duke thënë: ``Si mundet ky të na japë të hamë mishin e tij?``.

53. Prandaj Jezusi u tha atyre: ``Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se, po të mos hani mishin e Birit të njeriut dhe të mos pini gjakun e tij, nuk keni jetën në veten tuaj.

54. Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të përjetshme, dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit.

55. Sepse mishi im është me të vërtetë ushqim dhe gjaku im është me të vërtetë pije.

56. Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, mbetet në mua dhe unë në të.

57. Sikurse Ati i gjallë më ka dërguar dhe unë jetoj për shkak të Atit, ashtu edhe ai që më ha mua do të jetojë edhe ai për shkakun tim.

58. Kjo është buka që zbriti nga qielli; nuk është si mana që hëngrën etërit tuaj dhe vdiqën; kush ha këtë bukë do të jetojë përjetë``.

59. Këto gjëra tha Jezusi në sinagogë, duke mësuar në Kapernaum.




Gabimet e fëmijve nuk janë gjithmonë faji i prindërve, sidomos kur ata i kanë udhëzuar dhe kanë dhënë shëmbull të mirë. Zoti ynë, Ndërhyrja e Tij e mbrekullueshme, i lejon fëmijët të thyejnë zemrat e baballarëve dhe nënave të devotshme. Prandaj vendimet që kanë marrë fëmijët tuaj nuk bëjnë që ju të jeni të dështuar si prindër në sytë e Zotit. Ju keni të drejtë të ndjeni trishtim, por jo kryesisht faj. Mos ndaloni së luturi për fëmijët tuaj; hiri i Zotit mund të preki një zemër të ngurtësuar. Përmëndini fëmijët tuaj tek Zemra e Papërlyeme e Marias. Kur prindërit të thonë lutjen e Rozares, në fund të çdo dekade ata duhet ta mbajnë Rozaren lart dhe t'i thonë asaj, “Me këto rruaza bashkoi fëmijët e mi tek Zemra jote e Papërlyme”, ajo do të jetë e pranishme në shpirtrat e tyre.

-- Shën. Louise de Marillac