Leximi i parë:
Veprat e Apostujve 5:17-26
Psalm: Psalm
34:2-9
UNGJILLI: Gjoni
3:16-21
Leximi i parë:
Veprat e Apostujve 5:17-26
17. Atëherë u ngritën kryeprifti dhe të gjithë ata që ishin me të,
domethënë sekti i saducenjve, plot smirë,
18. dhe vunë dorë mbi apostujt dhe i futën në burgun publik.
19. Por një engjëll i Zotit, natën, i hapi dyert e burgut dhe, si
i nxori jashtë, tha:
20. ``Shkoni, paraqituni në tempull dhe i shpallni popullit të
gjitha fjalët e kësaj jete``.
21. Dhe ata, si i dëgjuan këto, hynë në tempull kur zbardhte dita
dhe mësonin. Por kryeprifti dhe ata që ishin me të, erdhën dhe thirrën bashkë
sinedrin dhe të gjithë pleqtë e bijve të Izraelit; pastaj dërguan rojet në burg
për t`i sjellë apostujt.
22. Por rojet, kur arritën në burg, nuk i gjetën; dhe kur u kthyen
bënë raportimin e tyre,
23. duke thënë: ``Ne e gjetëm burgun të mbyllur me kujdes dhe
rojet në këmbë përpara dyerve; por kur i hapëm, nuk gjetëm asnjeri brenda``.
24. Por kryeprifti, komandanti i rojeve të tempullit dhe krerët e
priftërinjve, kur i dëgjuan këto gjëra, mbetën të habitur lidhur me këtë, sepse
nuk dinin ç`donte të thoshte gjithë kjo punë.
25. Por erdhi dikush që u raportoi atyre duke thënë: ``Ja, këta
njerëz që ju i futët në burg janë në tempull dhe po mësojnë popullin``.
26. Atëherë komandanti shkoi me rojet dhe i solli, pa dhunë, nga
frika se mos populli i vriste me gurë.
Psalm: Psalm
34:2-9
2. Shpirti im do të krenohet me Zotin; njerëzit e përulur do ta
dëgjojnë dhe do të gëzohen.
3. Lartojeni Zotin bashkë me mua, dhe të lëvdojnë të gjithë emrin
e tij.
4. Unë e kërkova Zotin, dhe ai m`u përgjigj dhe më çliroi nga të
gjitha tmerret e mia.
5. Ata e shikuan atë dhe u ndriçuan, dhe fytyrat e tyre nuk u
turpëruan.
6. Ky i pikëlluar klithi dhe Zoti e plotësoi, e shpëtoi nga të
gjitha fatkeqësitë e tij.
7. Engjëlli i Zotit zë vend rreth atyre që kanë frikë prej tij dhe
i çliron.
8. Provojeni dhe shihni sa i mirë është Zoti; lum ai njeri që gjen
strehë tek ai.
9. Kini frikë nga Zoti, ju shenjtorë të tij, sepse asgjë nuk u
mungon atyre që kanë frikë prej tij.
UNGJILLI: Gjoni 3:16-21
16. Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të
vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të
përjetshme.
17. Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë
botën, por që bota të shpëtohet prej tij.
18. Ai që beson në të nuk dënohet, por ai që nuk beson tashmë
është dënuar, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë.
19. Tani gjykimi është ky: Drita erdhi në botë dhe njerëzit deshën
errësirën më tepër se dritën, sepse veprat e tyre ishin të mbrapshta.
20. Sepse kushdo që bën gjëra të mbrapshta e urren dritën dhe nuk
vjen te drita, që të mos zbulohen veprat e tij;
21. por kush bën të vërtetën vjen te drita, që veprat e tij të
zbulohen, sepse u bënë në Perëndinë``.