Pages

Në Emër të Tij do të predikohet kthimi dhe falja e mëkateve - E Enjte 4 Prill 2013


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 3:11-26
Psalm: Psalm 8:2, 5-9
UNGJILLI: Luka 24:35-48



Leximi i parë: Veprat e Apostujve 3:11-26

11 Pasi i shëruari nuk ndahej prej Pjetrit e Gjonit, mbarë populli, i mbrekulluar, vraponin tek ata në tremen që quhet e Salomonit. 
12 Pjetri, kur i pa, iu drejtua popullit: “Burra të Izraelit, pse po çuditeni për këtë gjë? Pse po na shikoni thuajse ne me fuqinë tonë dhe me përshpirtërinë tonë kemi bërë që ky të ecë? 
13 ‘Hyji i Abrahamit, [Hyji] i Izakut, [Hyji] i Jakobit, Hyji i etërve tanë e lavdëroi Shërbëtorin e vet Jezusin, të cilin ju e dorëzuat në vdekje dhe i ratë mohit përpara Pilatit, kur ky kishte vendosur ta lironte. 
14 Ju i ratë mohit Shenjtit dhe të Drejtit, e kërkuat që t’ju falej gjakësori 
15 kurse Jetëdhënësin e vratë. Por Atë Hyji e ngjalli prej të vdekurve, për çka ne jemi dëshmitarë.
16 Dhe në saje të fesë në Emrin e Jezusit, pikërisht Emri i Jezusit i dha forcë këtij njeriu që ju e njihni e po e shihni. Feja në Të ia ktheu shëndetin e plotë këtij njeriu në sy të të gjithë juve.
17 Por tani, o vëllezër, unë e di se, si ju si krerët tuaj, e bëtë atë gjë prej padijes. 
18 Por në këtë mënyrë Hyji e çoi në vend atë që e kishte paralajmëruar me gojë të të gjithë profetëve: se Mesia i tij do të pësonte. 
19 Pendohuni, pra, e kthehuni, që t’ju shlyhen mëkatet. 
20 Atëherë Zoti do të çojë ditë ngushëllimi e do t’ju dërgojë Mesinë që për ju e kishte paracaktuar, d. m. th. Jezusin. 
21 Tani për tani Jezusi duhet të qëndrojë në qiell deri në kohën e ripërtëritjes së gjithmbarshme, për të cilën Hyji ka folur përmes gojës së profetëve të vet të shenjtë ‑ që prej kohërave të lashta.
22 Edhe vetë Moisiu tha: ‘Zoti, Hyji juaj, do të ngrejë prej mesit të vëllezërve tuaj një profet sikurse mua; dëgjojeni atë gjithçka t’ju thotë! 
23 Kushdo që s’ka për ta dëgjuar atë Profet, le të çrrënjoset prej popullit.’
24 Po edhe të gjithë profetët ‑ që folën që prej Samuelit e këtej ‑ gjithashtu i paralajmëruan këto ditë.
25 Ju jeni bij profetësh dhe bij të Besëlidhjes që Hyji bëri me etërit tuaj, kur i tha Abrahamit: ‘Në saje të pasardhësve të tu do të bekohen të gjitha fiset e tokës.’ 
26 Për ju, pra, më së pari Hyji e ngriti Shërbëtorin e vet dhe e dërgoi për t’ju bekuar ‑ që secili prej jush t’u shmanget veprave të veta të këqija.”

Psalm: Psalm 8:2, 5-9

2 O Zot, Zoti ynë,
sa i mrekullueshëm është Emri yt mbi mbarë dheun!
Me madhëri e tejkalon edhe qiellin!
5 çka është atëherë njeriu që ta kujtosh,
biri i Adamit që të përkujdesesh për të?
6 E pra, e bëre pak më të vogël se engjëjt,
e kurorëzove me lavdi e shkëlqim,
7 i dhe pushtet mbi veprat e duarve të tua.
Gjithçka vure nën këmbët e tija:
8 delet e kafshët të gjitha,
për më tepër edhe egërsirat e fushës,
9 shpëndët e ajrit dhe peshqit e detit,
të gjitha që përshkojnë udhët e detit!


UNGJILLI: Luka 24:35-48

35 Atëherë edhe këta u treguan çka u ngjau udhës dhe si e njohën kur ndau bukën.
36 Ndërsa këta ende po bisedonin për këto ngjarje, vetë Jezusi zuri vend në mes të tyre dhe tha: “Paqja me ju!”
37 Të tmerruar dhe të frikësuar, mendonin se po shihnin ndonjë shpirt. 38Jezusi u tha:Pse po trembeni? Pse po dyshoni në zemrat tuaja? 
39 Shikojini duart e mia e këmbët e mia: unë jam! Vetë! Më prekni e vërtetojeni! Shpirti s’ka mish dhe eshtra, si po shihni se unë kam!”
40 Si u tha kështu, u dëftoi duart e këmbët. 
41 Pasi ata, prej gëzimit nuk mundën të besojnë, por kishin mbetur të habitur, Jezusi u tha: “A keni këtu ndonjë gjë për të ngrënë?”
42 Ata i sollën një kurm peshku të pjekur. 
43 Jezusi e mori dhe e hëngri para tyre.
44 Atëherë u tha: “Këtë vështrim kishin fjalët që ju thosha kur ende isha me ju: ‘Duhet të shkojë në vend gjithçka u shkrua për mua në Ligjin e Moisiut, në Profetët e në Psalme. ’“
45 Atëherë ua shndriti mendjen që t’i kuptonin Shkrimet 
46 dhe u tha: “Kështu është në Shkrimin e shenjtë: ‘Mesisë i duhet të pësojë e të ngjallet së vdekuri të tretën ditë. 
47 Në Emër të tij do të predikohet ndër të gjithë popujt, duke filluar prej Jerusalemit, kthimi dhe falja e mëkateve. 
48 Ju jeni dëshmitarët e kësaj gjëje.