Pages

Dite Solemne - Shpallja e Zotit tek Virgjera Mari - E Hene 8 Prill 2013


Leximi i parë: Isaia 7:10-14; 8:10
Psalm: Psalm 40:7-11
Leximi i dytë: Hebrenjve 10:4-10
UNGJILLI: Luka 1:26-38


Leximi i parë: Isaia 7:10-14; 8:10

10 Përsëri Zoti iu drejtua Akazit e i tha: 
11 ”Kërkoje prej Zotit, Hyjit tënd, një shenjë të mrekullueshme për ty, qoftë në thellësinë e Nëntokës qoftë në lartësinë në qiell.” 
12 Akazi u përgjigj: “Jo, s’do të kërkoj as s’do ta vë Zotin në provë!”
13 Atëherë Isaia tha: “Dëgjo, pra, shtëpia e Davidit: A thua pak ju duket t’ua mërzitni njerëzve e tani doni ta mërzitni edhe Hyjin tim?
14 Prandaj, vetë Zoti do t’ju japë një shenjë të mrekullueshme. Ja, virgjëra do të ngjizë e do të lindë një djalë e për me emër do ta quajë Emanuel!
10 Sendërgjoni synime ‑ kot e keni, nxirrni urdhëresa sa të doni ‑ s’do të zbatohen, sepse me ne është Zoti!

Psalm: Psalm 40:7-11

7. Atëherë unë thashë: "Ja, po vij. Në rrotullin e librit shkruhet për mua.
8. Perëndia im, unë gëzohem kur zbatoj vullnetin tënd dhe ligji yt është në zemrën time".
9. E shpalla drejtësinë tënde në kuvendin e madh; ja, unë nuk i mbaj buzët të mbyllura, o Zot, ti e di këtë.
10. Nuk e kam fshehur drejtësinë tënde në zemrën time; kam shpallur besnikërinë tënde dhe shpëtimin tënd; nuk e kam fshehur mirësinë tënde as të vërtetën tënde para kuvendit të madh.
11. Mos më moho, o Zot, mëshirën zemërbutë; mirësia jote dhe e vërteta jote më mbrofshin gjithnjë.

Leximi i dytë: Hebrenjve 10:4-10

4 Me anë të fesë Abeli i kushtoi Hyjit fli më të mirë se Kaini. Me anë të saj mori dëshminë se është i drejtë - Hyji u dha dëshmi dhuratave të tij - dhe, me anë të saj, edhe pse i vdekur, ende flet.
5 Me anë të fesë Henoku u ndërrua vendit që të mos e shohë vdekjen dhe më nuk u gjet, sepse Hyji i ndërroi vend. E njëmend, para mbartjes mori dëshminë se i kishte pëlqyer Hyjit. 
6 Por pa fe nuk është e mundshme t’i pëlqehet Hyjit, sepse ai që i afrohet duhet të besojë se Hyji është dhe se i shpërblen ata që e kërkojnë.
7 Me anë të fesë Noha, i mësuar prej Hyjit për gjëra që ende nuk shiheshin, i bindur në shpirt, e punoi arkën për shpërtimin e familjes së vet; me anë të së cilës e dënoi botën dhe u bë trashëgimtari i drejtësisë që vjen nga feja.
8 Me anë të fesë Abrahami, kur qe grishur, dëgjoi të çohet dhe të niset drejt vendit që do ta fitonte në trashëgim; e la vendin edhe pse nuk dinte se ku do të shkonte. 
9 Me anë të fesë erdhi të banojë në tokën e premtuar si në tokën e huaj dhe jetoi nën tenda me Izakun dhe me Jakobin, bashkëtrashëgimtarët e të njëjtit premtim, 
10 sepse priste Qytetin me themele të palëkundshme, arkitekti dhe ndërtuesi i të cilit është Hyji.

UNGJILLI: Luka 1:26-38

26 Në të gjashtin muaj, Hyji e dërgoi engjëllin Gabriel në një qytet të Galilesë, që quhet Nazaret, 
27 te një virgjër, që ishte e fejuar me një njeri, që quhej Jozef, prej fisit të Davidit. Virgjëra quhej Mari.
28 Engjëlli hyri tek ajo dhe i tha: “Të falem, o Hirplote! Zoti me ty!”
29 Kjo fjalë e shqetësoi Marinë dhe zuri të mendojë: ç’do të thotë kjo përshëndetje.
30 Por engjëlli i tha: “Mos ki frikë, o Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit!
31 Ja, do të mbetesh shtatzënë e do të nxjerrësh në dritë një djalë e ngjitja emrin Jezus. 
32 Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Hyjit tejet të lartë. Zoti Hyj do t’ia japë fronin e Davidit, atit të tij. 
33 Ai do të mbretërojë përgjithmonë mbi shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë mbarim.”
34 Atëherë Maria i tha engjëllit: “Si do të mund të ndodhë kjo, ndërsa unë jam virgjër?”
35 Engjëlli iu përgjigj: “Shpirti Shenjt do të zbresë në ty e fuqia e Hyjit të tejetlartë do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj ky Fëmijë do të jetë i shenjtë ‑ Biri i Hyjit. 
36 Dhe ja, Elizabeta, kushërira jote, edhe ajo, në pleqërinë e saj, pret t’i lindë djali. Ajo që mbahet beronjë, është në të gjashtin muaj. 
37 Vërtet, s’ka gjë të pamundshme për Hyjin!” 
38 Atëherë Maria tha: “Unë jam shërbëtorja e Zotit: Më ndodhtë siç the ti!”
Atëherë engjëlli u largua prej pranisë së saj.