Pages

Jesusi po ecte mbi det - E Shtune 13 Prill 2013


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 6:1-7
Psalm: Psalm 33:1-2, 4-5, 18-19
UNGJILLI: Gjoni 6:16-21



Leximi i parë: Veprat e Apostujve 6:1-7

1. Por në ato ditë, duke u shumuar numri i dishepujve, lindi një murmuritje nga ana e Helenistëve kundër Hebrenjve, sepse vejushat e tyre po liheshin pas dore në shërbimin e përditshëm.

2. Atëherë të dymbëdhjetët, pasi mblodhën numrin e madh të dishepujve, thanë: ``Nuk është mirë që ne të lëmë fjalën e Perëndisë për të shërbyer nëpër tryeza.

3. Prandaj, vëllezër, kërkoni midis jush shtatë burra, me dëshmi të mirë, të mbushur me Frymën e Shenjtë dhe me urtësi, të cilëve do t`ua besojmë këtë detyrë.

4. Kurse ne do të vazhdojmë t`i kushtohemi lutjes dhe shërbesës së fjalës``.

5. Ky propozim u pëlqeu gjithë dishepujve. Dhe zgjodhën Stefanin, njeri plot besim dhe Frymë të Shenjtë, Filipin, Prohorin, Nikanorin, Timonin, Parmenin dhe Nikollën, një prozelit nga Antiokia.

6. I paraqitën pastaj përpara apostujve, të cilët, mbasi u lutën, vunë duart mbi ta.

7. Ndërkaq fjala e Perëndisë po përhapej, dhe numri i dishepujve po shumohej fort në Jeruzalem, edhe një numër i madh priftërinjsh i bindej besimit.

Psalm: Psalm 33:1-2, 4-5, 18-19

1. Ngazëlloni, o njerëz të drejtë, tek Zoti; lëvdimi u shkon për shtat njerëzve të drejtë.

2. Kremtojeni Zotin me qeste; këndojini atij me harpën me dhjetë tela.

4. Sepse fjala e Zotit është e drejtë dhe të gjithë veprat e tij janë bërë me saktësi.

5. Ai e do drejtësinë dhe barazinë; toka është e mbushur nga mirësitë e Zotit.

18. Ja, syri i Zotit është mbi ata që kanë frikë para tij, mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij,

19. për ta çliruar shpirtin e tyre nga vdekja dhe për t`i mbajtur të gjallë në kohë urie.

UNGJILLI: Gjoni 6:16-21

16. Kur u ngrys, dishepujt e tij zbritën drejt detit.

17. Hipën në barkë dhe shkuan përtej detit, drejt Kapernaumit; tashmë ishte errët dhe Jezusi ende nuk kishte ardhur tek ata.

18. Deti ishte i trazuar, sepse frynte një erë e fortë.

19. Dhe pasi kishin vozitur rreth njëzet e pesë ose tridhjetë stade, panë Jezusin që po ecte mbi det dhe po i afrohej barkës dhe patën frikë.

20. Por ai u tha atyre: ``Jam unë, mos druani!``.

21. Ata, pra, deshnin ta merrnin në barkë, dhe menjëherë barka u bregëzua në atë vend ku ishin drejtuar.


Kjo sintezë e besimit nuk u krijua të përshtatej me opinionet njerëzore por për më tepër çfarë ishte e një rëndësie të madhe u mblodh nga të gjitha Shkrimet, për të paraqitur të vetmin mësim të besimit në plotësinë e vet. Dhe ashtu si fara e mustardës përmban një numër të madh degësh në një kokërr të vogël, po ashtu edhe kjo përmbledhje e besimit përfshiu në pak fjalë tërë njohurinë e fesë së vërtetë e përmbajtur në Testamentin e Vjetër dhe të Ri.

-- Shën. Cyril i Jerusalemit