Pages

Jezusi: "Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t`ju mësojë çdo gjë" - E Hene, 29 Prill 2013


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 14:5-18
Psalm: Psalm 115:1-4, 15-16
UNGJILLI: Gjoni 14:21-26


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 14:5-18

5. Por kur u bë një orvatje nga ana e johebrenjve dhe e Judenjve me krerët e tyre për t`i keqtrajtuar apostujt dhe për t`i vrarë me gurë,

6. ata e morën vesh dhe ikën në qytetet e Likaonisë: në Listra, në Derbë dhe në krahinën përreth,

7. dhe atje vazhduan të ungjillëzonin.

8. Dhe në Listra ishte një njeri me këmbë të paralizuara, që rrinte gjithnjë ndenjur dhe nuk kishte ecur kurrë, sepse ishte sakat që nga barku i së ëmës.

9. Ky e dëgjoi duke folur Palin, i cili nguli sytë mbi të dhe pa se ai kishte besim për t`u shëruar,

10. dhe tha me zë të lartë: ``Çohu në këmbë!``. Dhe ai hovi lart dhe nisi të ecë.

11. Turma, kur pa ç`kishte bërë Pali, e ngriti zërin duke thënë në gjuhën likaonike: ``Perënditë zbritën ndër ne, në trajtë njeriu``.

12. Dhe e quanin Barnabën Jupiter, Palin Mërkur, sepse ai fliste më shumë.

13. Atëherë prifti i Jupiterit, që e kishte tempullin në hyrje të qytetit të tyre, solli dema me kurora pranë portave dhe donte të ofronte një flijim bashkë me turmën.

14. Por apostujt Barnaba dhe Pal, kur dëgjuan këtë, i grisën rrobat e tyre dhe u turrën në mes të turmës, duke thirrur e duke thënë:

15. ``O burra, pse bëni këto gjëra? Edhe ne jemi njerëz me të njëjtën natyrë si ju, dhe po ju shpallim lajmin e mirë, që ju nga këto gjëra të kota të ktheheni te Perëndia e gjallë që ka bërë qiellin, dheun, detin dhe të gjitha gjërat që janë në ta.

16. Në brezat që shkuan ai la që të gjitha kombet të ndjekin rrugët e tyre;

17. por nuk e la veten e vet pa dëshmi, duke bërë mirë, duke na dhënë shira prej qiellit dhe stinë të frytshme dhe duke i mbushur zemrat tona me ushqim dhe gëzim``.

18. Duke thënë këto gjëra, mundën t`i ndalin me vështirësi turmat që të mos u bëjnë flijim.

Psalm: Psalm 115:1-4, 15-16

1. Jo neve, o Zot, jo neve, por emrit tënd jepi lavdi, për mirësinë tënde dhe për besnikërinë tënde.

2. Sepse do të thonë kombet: "Ku është tani Perëndia i tyre?".

3. Por Perëndia ynë është në qiejtë dhe bën tërë atë që i pëlqejnë.

4. Idhujt e tyre janë argjend dhe ar, vepër e duarve të njeriut.

15. Qofshin të bekuar nga Zoti, që ka bërë qiejtë dhe tokën.

16. Qiejtë janë qiejtë e Zotit, por tokën ai ua ka dhënë bijve të njerëzve.


UNGJILLI: Gjoni 14:21-26

21. Kush ka urdhërimet e mia dhe i zbaton, është ai që më do; dhe kush më do mua, Ati im do ta dojë; dhe unë do ta dua dhe do t`i dëftehem atij``.

22. Juda, jo Iskarioti, i tha: ``Zot, si vallë do të na dëftehesh neve dhe jo botës?``.

23. Jezusi u përgjigj dhe i tha: ``Nëse ndokush më do, do ta zbatojë fjalën time; edhe Ati im do ta dojë dhe ne do të vijmë tek ai dhe do të bëjmë banesën tek ai.

24. Kush nuk më do, nuk i zbaton fjalët e mia; dhe fjala që po dëgjoni nuk është imja, por e Atit që më ka dërguar.

25. Ju kam thënë këto gjëra, ndërkaq jam me ju;

26. por Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t`ju mësojë çdo gjë dhe do t`ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë.


Pak shpirtra e kuptojnë se çfarë Zoti mund të sjelli tek ata, nëse do ta braktisnin veten pa rezerva tek Ai dhe nëse do e lejonin hirin e Tij t'i formonte si duhej.

-- Shën Ignatius Loyola