Pages

Unë jam bariu i mirë - E Merkure 24 Prill 2013


Leximi i parë: Zbulesa 3:7-8, 10-12 ose 2 e Timoteut 2:8-13; 3:10-12
Psalm: Psalm 119:137-144
UNGJILLI: Gjoni 10:11-16



Leximi i parë: Zbulesa 3:7-8, 10-12 ose 2 e Timoteut 2:8-13; 3:10-12

7. ``Dhe engjëllit të kishës së Filadelfisë shkruaji: këtë thotë i Shenjti, i Vërteti, ai që ka çelësin e Davidit, ai që hap dhe askush nuk mbyll; dhe mbyll dhe askush nuk hap.

8. Unë njoh veprat e tua; ja, të vura përpara një dere të hapur që asnjëri nuk mund ta mbyllë; sepse ke pak forcë, dhe e ruajte fjalën time edhe nuk mohove emrin tim.

10. Sepse e ruajte fjalën e durimit tim, edhe unë do të të ruaj ty nga ora e sprovës që do të vij mbi gjithë botën, për të provuar ata që banojnë mbi dhe.

11. Ja, unë vij shpejt; mbaje fort atë që ke, që të mos të marrë ndokush kurorën tënde.

12. Kush fiton do ta bëj shtyllë në tempullin e Perëndisë tim, dhe ai nuk do të dalë më përjashta; dhe do të shkruaj mbi të emrin e Perëndisë tim, dhe emrin e qytetit të Perëndisë tim, të Jeruzalemit të ri, që zbret nga qielli nga Perëndia im, dhe emrin tim të ri.

Psalm: Psalm 119:137-144

137. Ti je i drejtë, o Zot, dhe dekretet e tua janë të drejta.

138. Ti i ke përcaktuar porositë e tua me drejtësi dhe me besnikëri të madhe.

139. Zelli im të tret, sepse armiqtë e mi kanë harruar fjalët e tua.

140. Fjala jote është e pastër nga çdo zgjyrë; prandaj shërbëtori yt e do.

141. Jam i vogël dhe i përbuzur, por nuk i harroi udhërimet e tua.

142. Drejtësia jote është një drejtësi e përjetshme dhe ligji yt është i vërtetë.

143. Ankthi dhe shqetësimi më kanë pushtuar, por urdhërimet e tua janë gëzimi im.

144. Porositë e tua janë të drejta përjetë; më jep mendje dhe unë do të jetoj.

UNGJILLI: Gjoni 10:11-16

11. Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë jep jetën e vet për delet.

12. Kurse rrogëtari, që nuk është bari, dhe delet nuk janë të vetat, sheh ujkun që po vjen, i braktis delet dhe ikën; dhe ujku i rrëmben dhe i shpërndan delet.

13. Rrogëtari ikën, sepse është rrogëtar dhe nuk do t`ia dijë për delet.

14. Unë jam bariu i mirë, dhe i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua,

15. ashtu siç më njeh Ati mua dhe unë e njoh Atin dhe lë jetën time për delet.

16. Unë kam edhe dele të tjera që nuk janë të kësaj vathe; duhet t`i mbledh edhe ato, dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim, dhe do të jetë një tufë e vetme dhe një Bari i vetëm.