Pages

Jesusi: "Ky është vullneti i Atit që më ka dërguar" - E Mërkurë 17 Prill 2013


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 8:1-8
Psalm: Psalm 66:1-7
UNGJILLI: Gjoni 6:35-40



Leximi i parë: Veprat e Apostujve 8:1-8

1. Por Sauli e kishte miratuar vrasjen e tij. Në atë kohë u bë një përndjekje e madhe kundër kishës që ishte në Jeruzalem; dhe të gjithë u shpërndanë nëpër krahinat e Judesë dhe të Samarisë, me përjashtim të apostujve.

2. Disa njerëz të përshpirtshëm e varrosën Stefanin dhe bënë gjëmë të madhe për të.

3. Por Sauli po shkatërronte kishën: hynte shtëpi më shtëpi, merrte me vete burra dhe gra dhe i fuste në burg.

4. Ata, pra, që ishin shpërndarë shkonin rreth e përqark, duke shpallur fjalën.

5. Dhe Filipi zbriti në qytetin e Samarisë dhe u predikoi atyre Krishtin.

6. Dhe turmat, me një mendje të vetme, dëgjonin me vëmendje gjërat që thoshte Filipi, duke dëgjuar dhe duke parë mrekullitë që ai bënte.

7. Frymëra të ndyra, pra, dilnin nga shumë të idemonizuar, duke bërtitur me zë të lartë; dhe shumë të paralizuar e të çalë shëroheshin.

8. Dhe në atë qytet u bë gëzim i madh.

Psalm: Psalm 66:1-7

1. Lëshoni klithma gëzimi Perëndisë, ju të gjithë banorë të tokës;

2. i këndoni himne lavdisë së emrit të tij; bëjeni zulmëmadh lëvdimin e tij.

3. I thoni Perëndisë: "Sa të tmerrshme janë veprat e tua! Për shkak të madhështisë së fuqisë sate armiqtë e tu do të të nënshtrohen ty.

4. Tërë toka do të të adhurojë dhe do të këndojë për ty, do të këndojë lëvdimet e emrit tënd. (Sela)

5. Ejani dhe admironi atë që Perëndia ka bërë; ai është i tmerrshëm në veprat tij për bijtë e njerëzve.

6. Ai e ndryshoi detin në tokë të thatë; populli i tij e kaloi lumin me këmbë të thata; le të gëzohemi, pra, bashkë me të.

7. Me fuqinë e tij ai mbretëron në përjetësi; sytë e tij këqyrin kombet. Mos lejoni që rebelët të ngrenë krye. (Sela)


UNGJILLI: Gjoni 6:35-40

35. Dhe Jezusi u tha atyre: ``Unë jam buka e jetës; kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri dhe kush beson në mua, nuk do të ketë më kurrë etje.

36. Por unë jua thashë: ju më keni parë, por nuk besoni.

37. Gjithçka që më jep Ati do të vijë tek unë; dhe atë që vjen tek unë, unë nuk do ta nxjerr jashtë kurrë,

38. sepse unë kam zbritur nga qielli jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më ka dërguar.

39. Ky është vullneti i Atit që më ka dërguar: që unë të mos humbas asgjë nga të gjitha ato që ai më ka dhënë, por t`i ringjall në ditën e fundit.

40. Ky, pra, është vullneti i atij që më ka dërguar: që kushdo që sheh Birin dhe beson në të, të ketë jetë të përjetshme, dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit``.



Ky Besim është vula shpirtërore, reflektimi i zemrës sonë dhe një mbrojtës gjithmonë i pranishëm; ai është, padyshim, thesari i shpirtit tonë.

-- Shën. Ambros