Pages

Hera e tretë që Jezusi iu dëftua nxënësve të vet - E Premte 5 Prill 2013


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 4:1-12
Psalm: Psalm 118:1-2, 4, 22-27
UNGJILLI: Gjoni 21:1-14



Leximi i parë: Veprat e Apostujve 4:1-12

1 Ndërsa ata ende po i flisnin popullit, iu afruan disa priftërinj, kryetari i rojës së Tempullit dhe disa saducenj 2 të hidhëruar pse e mësonin dhe pse, në shembullin e Jezusit ‑ shpallnin ngjalljen e të vdekurve. 3 I kapën dhe i futën në burg deri të nesërmen, sepse ishte bërë natë. 4 Ndërkaq, shumë prej atyre që dëgjuan fjalën e tyre, besuan dhe numri i burrave që besuan shkoi në [rreth] pesë mijë vetë.
5 Të nesërmen në Jerusalem u bashkuan në kuvend krerët, priftërinjtë dhe skribët [6 e me ta edhe kryeprifti Ana e Kajfa, Gjoni, Aleksandri dhe të gjithë anëtarët e familjeve të kryepriftërinjve]. 7 Ata i sollën apostujt në mes dhe i pyetën: “Me çfarë pushteti dhe në emër të kujt e bëtë këtë gjë?”
8 Atëherë Pjetri, plot me Shpirt Shenjt, u tha:
“Kryetarë të popullit dhe pleq! 9 Pasi ju sot po na merrni në gjykim për një vepër të mirë që ia bëmë një të sëmuri e po na pyesni si ky njeri u shërua; 10 le ta dijë secili prej jush dhe mbarë populli i Izraelit: ky njeri qëndron para jush shëndosh në saje të Emrit të Jezu Krishtit Nazarenas, që ju e kryqëzuat, por që Hyji e ngjalli prej së vdekuri. 11 Jezusi është
‘guri që ju, ndërtues,
e qitët jashtë përdorimit,
por që u bë gur i këndit,’
12 e vetëm nëpër Të fitohet shëlbimi. Sepse, për të vërtetë, s’ka asnjë person tjetër nën këtë kupë qielli që Hyji ua dha njerëzve me anën e të cilit do të mund të shëlbohemi.”

Psalm: Psalm 118:1-2, 4, 22-27

1 ALELUJA!
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë,
sepse e amshuar është dashuria e tij!
2 Le të thotë tashti Izraeli, sepse është i mirë,
e amshuar është dashuria e tij!
4 Le të thonë tani ata që e druajnë Zotin,
e amshuar është dashuria e tij!
22 Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit,
erdhi e u bë guri i këndit;
23 Zoti e bëri këtë gjë:
sa mrekulli për sytë tanë!
24 Kjo është dita që na e dhuroi Zoti:
të galdojmë e të gëzojmë në të!
25 Ma jep, o Zot, shpëtimin tënd,
deh, o Zot, jepe të mbarën!
26 Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit!
Po ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.
27 Hyji është Zot, ai na ndriçoi:
rendituni të gëzuar në reshtin kremtor
me rrema në dorë deri në ballë të lterit!

UNGJILLI: Gjoni 21:1-14

1 Pastaj Jezusi prapë iu dëftua nxënësve në breg të detit të Tiberiadit. U dëftua kështu: 2 Ishin bashkë Simon‑Pjetri, Toma, që quhet Binjak, Natanaeli, nga Kana e Galilesë, bijtë e Zebedeut dhe dy të tjerë prej nxënësve të tij. 3 U tha Simon‑Pjetri:
Po shkoj të gjuaj peshk.”
Po vijmë edhe ne me ty!” ‑ i thanë ata.
U nisën, pra, e hynë në lundër, por atë natë nuk zunë asgjë.
4 Kur zbardhi drita, ja, Jezusi në breg. Nxënësit nuk e dinin se ishte Jezusi. 5Jezusi u tha:
“Djelmosha, a keni ndopak peshk?”
“Jo!” ‑ u përgjigjën ata.
6 Ai u tha:
“Qitni rrjetën në anën e djathtë të lundrës e do të gjeni!”
Ata e hodhën e nuk mund ta nxirrnin, aq u ngarkua me peshk. 7 Atëherë ai nxënësi, të cilin Jezusi e donte, i tha Pjetrit: “Është Zotëria!” Simon‑Pjetri, si dëgjoi se është Zotëria, u mbështoll me petkun e sipërm ‑ sepse ishte i zhveshur ‑ dhe u hodh në det. 8 Nxënësit e tjerë erdhën me lundër duke hequr rrjetën me peshk, sepse nuk ishin larg bregut ‑ reth dyqind kutë.
9 Si dolën në tokë, panë zjarrin me prush e mbi të peshk, dhe bukë. 10 Jezusi u tha:
“Bini ndonjë nga peshqit që zutë tani!” 11 Atëherë Simon‑Pjetri hipi në lundër, e nxori në tokë rrjetën plot me peshk: njëqind e pesëdhjetë e tre peshq të mëdhenj. Dhe, megjithëse ishin aq shumë, prapë nuk u shqye rrjeta. 12 Jezusi u tha: “Ejani e hani!” Askush prej nxënësve nuk pati guxim ta pyesë: “Kush je ti?”, sepse e dinin mirë se ishte Zotëria. 13 Jezusi u afrua, mori bukën e ua dha. Po ashtu edhe peshkun.
14 Ishte kjo hera e tretë që Jezusi iu dëftua nxënësve të vet pasi u ngjall së vdekuri.



Kur unë jam plotësisht i bashkuar me ty, nuk do të ketë më hidhërim apo mundime; i mbushur i tëri me ty, jeta ime do të jetë e plotësuar.

-- Shën. Agustin