Pages

Jesusi: "Po ngjitem tek Ati im dhe Ati juaj, tek Hyji im dhe Hyji juaj” - E Martë 2 Prill 2013


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 2:36-41
Psalm: Psalm 33:4-5, 18-20, 22
UNGJILLI: Gjoni 20:11-18



Leximi i parë: Veprat e Apostujve 2:36-41

36 Le ta dijë, pra, pa farë dyshimi mbarë populli i Izraelit se këtë Jezus, që ju e kryqëzuat, Hyji e bëri Zotëri e Mesia.”
37 Kur i dëgjuan këto fjalë, u tronditën në zemër dhe i thanë Pjetrit e apostujve të tjerë:“Çfarë duhet të bëjmë ne, o vëllezër?”
38 Pjetri u dha përgjigje: “Kthehuni dhe secili prej jush le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit që t’ju falen mëkatet e atëherë do ta merrni dhuratë ‑ Shpirtin Shenjt. 39 Sepse ky Premtim u bë për ju, për fëmijët tuaj e për të gjithë ata prej së largu, të gjithë ata që Zotëria, Hyji ynë, do t’i thërrasë.”
40 Por ai deklaroi edhe me shumë fjalë të tjera dhe i nxiste duke thënë:
“Shpëtohuni nga kjo brezni e mbrapshtë!”
41 Ata që e pranuan fjalën e tij, u pagëzuan e kështu, atë ditë, u kthyen rreth tre mijë vetë.

Psalm: Psalm 33:4-5, 18-20, 22

4 Sepse e drejtë është fjala e Zotit e të gjitha veprat e tij me besë.
5 E do drejtësinë e gjyqin, plot është toka me mirësinë e Zotit.
18 Ja, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë, mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij:
19 për t’i shpëtuar nga vdekja dhe për t’i ushqyer në kohën e urisë.
20 Shpirti ynë shpreson në Zotin, ai është ndihma dhe mburoja jonë.
22 Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot, sikurse ne shpresojmë në ty.

UNGJILLI: Gjoni 20:11-18

11 Maria qëndroi jashtë te varri dhe qante. Ashtu, duke qarë, u përkul e shikoi në varr. 12 Pa dy engjëj të veshur me petka të bardha ndenjur në atë vend, ku ishte trupi i Jezusit ‑ njëri te koka e tjetri te këmbët. 13 Ata i thanë: “Grua, pse po qan?” Ajo u përgjigj: “E morën Zotërinë tim e nuk di ku e vunë.”
14 Si tha kështu, u soll prapa e pa Jezusin në këmbë, por nuk dinte se ishte Jezusi. 15 Jezusi i tha: “Grua, pse po qan? Kë po kërkon?” Ajo, duke kujtuar se është kopshtari, i tha: “Zotëri, nëse e ke marrë ti, më trego ku e vure e tani po e marr unë.”
16 “Mari!” ‑ i tha Jezusi. Ajo u kthye e i tha hebraisht: “Rabbuni!” (‑ që do të thotë Mësues)17 Jezusi i tha: “Mos më prek mua, sepse ende nuk u ngjita tek Ati, por shko te vëllezërit e mi e thuaju: Po ngjitem tek Ati im dhe Ati juaj, tek Hyji im dhe Hyji juaj.”
18 Maria Magdalenë shkoi dhe u lajmëroi nxënësve se e pa Zotërinë dhe se i tha këto fjalë.


“Sa më shumë Kristjanë dhe njerëz të ndërgjegjshëm të jenë me dinjitetin e tyre dhe rolin e tyre themelor në Kishë, aq më urgjente do ta ndjejnë nevojën për priftërinj që janë priftërinj të vërtetë.”

-- Papa Gjon Pali