Pages

Jesusi: "Unë dhe Ati jemi një" - E Diele, 21 Prill 2013


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 13:14, 43-52
Psalm: Psalm 100:1-2, 3, 5
Leximi i dytë: Zbulesa 7:9, 14-17
UNGJILLI: Gjoni 10:27-30


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 13:14, 43-52

14. Por ata, duke vazhduar rrugën nga Perga, arritën në Antioki të Pisidisë; dhe, mbasi hynë në sinagogë ditën e shtunë, u ulën.

43. Dhe, mbasi u shpërnda mbledhja, shumë nga Judenjtë dhe nga prozelitët e perëndishëm i ndiqnin Palin dhe Barnabën, të cilët, duke u folur atyre, i bindën të ngulmojnë në hir të Perëndisë.

44. Të shtunën tjetër gati gjithë qyteti u mblodh për të dëgjuar fjalën e Perëndisë.

45. Por Judenjtë, duke parë turmën, u mbushën me smirë dhe u kundërviheshin thënieve të Palit, duke kundërshtuar dhe duke blasfemuar.

46. Atëherë Pali dhe Barnaba, duke folur lirisht, thanë: ``Ishte e nevojshme që fjala e Perëndisë t`ju shpallej ju më së pari; por, ngaqë ju e hidhni poshtë dhe nuk e çmoni veten të denjë për jetën e përjetshme, ja, ne po u drejtohemi johebrenjve.

47. Sepse kështu na ka urdhëruar Zoti: "Unë të vura si dritë të johebrenjve, që ti ta çosh shpëtimin deri në skajin e dheut"``.

48. Johebrenjtë, kur dëgjuan, u gëzuan dhe lëvdonin fjalën e Zotit; dhe të gjithë sa ishin të paracaktuar për jetën e pasosur besuan.

49. Dhe fjala e Zotit përhapej në mbarë atë vend.

50. Por Judenjtë i nxitën disa gra të perëndishme të shtresës së lartë, si dhe parinë e qytetit, dhe ngjallën një përndjekje kundër Palit dhe Barnabës dhe i dëbuan jashtë kufijve të tyre.

51. Atëherë ata, mbasi shkundën pluhurin e këmbëve të tyre kundër tyre, shkuan në Ikon.

52. Dhe dishepujt ishin mbushur me gëzim dhe me Frymën e Shenjtë.


Psalm: Psalm 100:1-2, 3, 5

1. Dërgojini klithma gëzimi Zotit, o banorë të të gjithë tokës!

2. I shërbeni Zotit me gaz, ejani para tij me këngë gëzimi.

3. Pranoni që Zoti është Perëndia; na ka bërë ai dhe jo ne vetë; ne jemi populli i tij dhe kopeja e kullotës së tij.

5. Sepse Zoti është i mirë; mirësia e tij është e përjetshme dhe besnikëria e tij vlen për të gjitha brezat.

Leximi i dytë: Zbulesa 7:9, 14-17

9. Pas këtyre gjërave, pashë një turmë të madhe, të cilën askush nuk mund ta numëronte, prej të gjitha kombeve, fiseve, popujve dhe gjuhëve; këta qëndronin në këmbë përpara fronit dhe përpara Qengjit, të veshur me rroba të bardha dhe me palma në duart e tyre.

14. Dhe unë i thashë: ``Imzot, ti e di``. Atëherë ai më tha: ``Këta janë ata që kanë ardhur nga shtrëngimi i madh, dhe i kanë larë rrobat e tyre dhe i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit.

15. Prandaj edhe janë përpara fronit të Perëndisë dhe i shërbenin atij ditë e natë në tempullin e tij; dhe ai që rri ulur mbi fron do të banojë në mes tyre.

16. Ata nuk do të kenë më uri, as nuk do të kenë etje, as nuk do t`i godasë më dielli, as kurrfarë vape,

17. sepse Qengji, që është në mes të fronit, do t`i kullosë dhe do t`i çojë te burimet e gjalla të ujërave; dhe Perëndia do të thaijë çdo lot nga sytë e tyre``.

UNGJILLI: Gjoni 10:27-30

27. Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin;

28. dhe unë u jap atyre jetën e përjetshme dhe nuk do të humbasin kurrë, e askush nuk do t`i rrëmbejë nga dora ime.

29. Ati im, që m`i dha, është më i madh se të gjithë; dhe askush nuk mund t`i rrëmbejë nga dora e Atit tim.

30. Unë dhe Ati jemi një``.


Nëse njerëzit do të bënin për Zotin çfarë bëjnë për botën, të dashur njerëz, sa numër I madh Kristjanësh do të shkonin në Parajsë! Por nëse ju fëmijë të dashur, duhet të kaloni 3 ose 4 orë duke u lutur në Kishë, ashtu si I kaloni ati në kërcim apo në kabare, sa e rëndë do të peshoj bota mbi ju.

-- Shën Gjon Vianney