Pages

Jezusi: "Ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur" - E Diele, 28 Prill 2013


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 14:21-27
Psalm: Psalm 145:8-13
Leximi i dytë: Zbulesa 21:1-5
UNGJILLI: Gjoni 13:31-33, 34-35



Leximi i parë: Veprat e Apostujve 14:21-27

21. Dhe, mbasi ungjillëzuan atë qytet dhe bënë shumë dishepuj, u kthyen në Listra, në Ikon dhe në Antioki,

22. duke fuqizuar shpirtërat e dishepujve dhe duke i këshilluar që të ngulmojnë në besim, dhe duke thënë se me shumë pikëllime duhet të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë.

23. Dhe mbasi caktuan për ta pleqtë në çdo kishë, u lutën dhe agjëruan, i lanë në dorën e Zotit, në të cilin kishin besuar.

24. Dhe, mbasi e përshkuan Pisidinë, ardhën në Panfili.

25. Dhe, mbasi e shpallën fjalën në Pergë, zbritën në Atali.

26. Pastaj që andej lundruan për në Antioki, prej nga ishin rekomanduar në hir të Perëndisë për veprën që posa kishin kryer.

27. Si arritën atje, mblodhën kishën dhe treguan ç`gjëra të mëdha kishte kryer Perëndia me anë të tyre dhe si u kishte hapur johebrenjve derën e besimit.

Psalm: Psalm 145:8-13

8. Zoti është i dhemshur dhe mëshirplot, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi.

9. Zoti është i mirë me të gjithë dhe plot dhemshuri për të gjitha veprat e tij.

10. Tërë veprat e tua do të të kremtojnë, o Zot, dhe shenjtorët e tu do të të bekojnë.

11. Ata do të flasin për lavdinë e mbretërisë sate dhe do të tregojnë për fuqinë tënde,

12. për t`u bërë të njohura bijve të njerëzve mrekullitë e tua dhe shkëlqimin e madhërishëm të mbretërisë sate.

13. Mbretëria jote është një mbretëri përjet dhe sundimi yt vazhdon brez pas brezi.

Leximi i dytë: Zbulesa 21:1-5

1. Dhe pashë një qiell të ri dhe një dhe të ri; sepse qielli i parë dhe dheu i parë kishin shkuar, dhe deti nuk ishte më.

2. Dhe unë, Gjoni, pashë qytetin e shenjtë, Jeruzalemin e ri, që zbriste nga qielli, nga Perëndia, që ishte bërë gati si nuse e stolisur për burrin e vet.

3. Dhe dëgjova një zë të madh nga qielli që thoshte: ``Ja tabernakulli i Perëndisë me njerëzit! Dhe ai do të banojë me ta; edhe ata do të jenë populli i tij dhe vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta, Perëndi e tyre.

4. Dhe Perëndia do të thaijë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan``.

5. Dhe ai që rrinte mbi fron tha: ``Ja, unë i bëj të gjitha gjërat të reja``. Dhe më tha: ``Shkruaj, sepse këto fjalë janë të vërteta dhe besnike``.


UNGJILLI: Gjoni 13:31-33, 34-35

31. Kur doli ai, Jezusi tha: ``Tani Biri i njeriut është përlëvduar dhe Perëndia është përlëvduar në të.

32. Në qoftë se Perëndia është përlëvduar në të, Perëndia do ta përlëvdojë edhe në vetvete dhe do ta përlëvdojë menjëherë.

33. Djema, edhe për pak kohë jam me ju; ju do të më kërkoni, por ashtu siç u kam thënë Judenjve: "Atje ku po shkoj unë ju nuk mund të vini". Kështu tani po ju them edhe juve.

34. Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin.

35. Prej kësaj do t`ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin``.