Pages

Jesusi: "Predikoni Ugjillin tek gjithë njerëzit" - E Shtunë 6 Prill 2013


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 4:13-21
Psalm: Psalm 118:1, 14-21
UNGJILLI: Marku 16:9-15



Leximi i parë: Veprat e Apostujve 4:13-21

13 Krerët e pleqtë kur panë guximin e patundur të Pjetrit e të Gjonit e, pasi e dinin se janë njerëz të thjeshtë e të pashkollë, mbetën thellësisht të habitur. E dinin se kishin qenë me Jezusin, 14 por s’dinin ç’t’u thoshin, sepse e shihnin njeriun e shëruar në këmbë afër tyre. 15 Prandaj i urdhëruan të dilnin nga Këshilli e filluan të këshillohen në mes tyre. 16 Thoshin: “Çka të bëjmë me këta njerëz? Kanë bërë mrekulli të qartë, të cilën e pranojnë të gjithë jerusalemasit dhe nuk është punë që mund ta mohojmë. 17 Por, që ngjarja të mos përhapet më tepër në popull, po ua ndalojmë rreptësisht që t’i flasin më ndokujt për atë Emër.”
18 I thirrën brenda dhe i urdhëruan rreptësisht që në të ardhmen askujt të mos i flasin as të mos mësojnë në Emër të Jezusit. 19 Porse Pjetri e Gjoni u përgjigjën: “Gjykoni ju vetë a është e drejtë para Hyjit: të dëgjojmë më parë ju se Hyjin? 20 Ne, veç, nuk mundemi që të mos flasim për çka kemi parë e dëgjuar!” 21 Ata, pasi i qortuan përsëri, i lanë të shkojnë; ngase nuk gjetën ndonjë arsye pse t’i ndëshkojnë për shkak të popullit, sepse të gjithë i jepnin lavdërim Hyjit për mrekullinë që u bë. 


Psalm: Psalm 118:1, 14-21

1 ALELUJA!
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë,
sepse e amshuar është dashuria e tij!
14 Fuqia ime e lavdia ime është Zoti,
ai është shpëtimtari im.
15 Ja, britma gëzimi e ngadhënjimi
në tendat e të drejtëve:
16 “E djathta e Zotit u madhërua!
E djathta e Zotit më lartësoi!
E djathta e Zotit u madhërua”!
17 S’do të vdes, të jetoj dua,
do t’i kumtoj veprat e Zotit!
18 Me ndëshkim të rëndë Zoti më ndëshkoi,
por nuk më lëshoi në duar të vdekjes.
19 M’i hapni dyert e drejtësisë,
dua të hyj e t’i thur lavde Zotit.
20 Ja, këtu është dera e Zotit;
nëpër të do të hyjnë të drejtët.
21 Do të të falënderoj, sepse më ke vështruar,
dhe u bëre Shpëtimtari im.

UNGJILLI: Marku 16:9-15

9 Si u ngjall, pra, Jezusi, herët në mëngjes, të parën ditë të javës, më së pari iu dëftua Marisë Magdalenë, prej së cilës pati dëbuar shtatë shpirtra të ndytë.
10 Ajo shkoi e u tregoi atyre që kishin qenë me të, që tani ishin në zi dhe e qanin. 
11 Kur ata dëgjuan se është gjallë dhe se kjo e kishte parë, nuk i besuan.
12 Pastaj Jezusi iu dëftua në një trajtë tjetër, udhës, dy prej nxënësve që po shkonin në fshat. 
13 Ata u kthyen e u treguan të tjerëve. As këtyre nuk u besuan.
14 Në fund iu dëftua të Njëmbëdhjetëve ndërkohë që po ndodheshin në tryezë. I qortoi për pabesimin e tyre dhe për ngurtësinë e zemrës, pse s’u besuan atyre që e kishin parë të ngjallur prej së vdekuri. 
15 Dhe u tha: "Dilni në mbarë botën e predikojani Ungjillin të gjithë njerëzve".