Pages

Jezusi: "Unë jam buka e jetës" - E Martë 16 Prill 2013


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 7:51 -- 8:1
Psalm: Psalm 31:3-4, 6-8, 17, 21
UNGJILLI: Gjoni 6:30-35



Leximi i parë: Veprat e Apostujve 7:51 -- 8:1

51. O njerëz qafëfortë dhe me zemër e veshë të parrethprerë, ju gjithnjë e kundërshtoni Frymën e Shenjtë; ashtu siç bënin etërit tuaj, ashtu bëni edhe ju.

52. Cilin nga profetët nuk e përndoqën etërit tuaj? Ata vranë edhe ata që paralajmeronin ardhjen e të Drejtit, për të cilin tani ju jeni bërë tradhtarë dhe vrasës;

53. ju, që e morët ligjin të shpallur nga engjëjt dhe nuk e keni respektuar!``.

54. Kur i dëgjuan këto fjalë, ata thereshin në zemër të tyre dhe kërcëllonin dhëmbët kundër tij.

55. Por ai, mbushur me Frymë të Shenjtë, i nguli sytë nga qielli, pa lavdinë e Perëndisë dhe Jezusin që rrinte në këmbë në të djathtën e Perëndisë,

56. dhe tha: ``Ja, unë po shoh qiejt e hapur dhe Birin e njeriut që rri në këmbë në të djathtën e Perëndisë``.

57. Por ata, duke lëshuar britma të forta, i zunë veshët dhe të gjithë tok u sulën mbi të;

58. dhe, si e nxorën jashtë qytetit, e vranë me gurë. Dëshmitarët i vunë rrobat e tyre te këmbët e një djaloshi, të quajtur Saul.

59. Kështu e vranë me gurë Stefanin, që i thërriste Jezusit dhe thoshte: ``O Zoti Jezus, pranoje frymën time!``.

60. Atëherë ra në gjunjë dhe bërtiti me zë të lartë: ``O Zot, mos ua ngarko atyre këtë mëkat!``. Dhe, si tha këtë, fjeti.

1. Por Sauli e kishte miratuar vrasjen e tij. Në atë kohë u bë një përndjekje e madhe kundër kishës që ishte në Jeruzalem; dhe të gjithë u shpërndanë nëpër krahinat e Judesë dhe të Samarisë, me përjashtim të apostujve.


Psalm: Psalm 31:3-4, 6-8, 17, 21

3. Sepse ti je kështjella ime dhe kalaja ime; për hir të emrit tënd më udhëhiq dhe tregomë udhën.

4. Nxirrmë jashtë rrjetës që më kanë ngritur fshehurazi, sepse ti je kështjella ime.

6. Unë i urrej ata që kanë dëshirë për t`u dukur, por kam besim te Zoti.

7. Unë do të ngazëlloj dhe do të kënaqem me mirësinë tënde, sepse ti ke parë pikëllimin tim dhe i ke kuptuar ankthet e shpirtit tim,

8. dhe nuk më dorëzove në duart e armikut, por m`i vure këmbët në një vend të gjerë.

17. O Zot, bëj që unë të mos jem i pështjelluar, pse të kam kërkuar; u pështjellofshin të pabesët dhe rënçin në heshtje në Sheol.

21. Qoftë i bekuar Zoti, sepse më është treguar shumë dashamirës, duke më vendosur si në një vend të fortifikuar.


UNGJILLI: Gjoni 6:30-35

30. Atëherë ata i thanë: ``Çfarë shenjë bën ti, pra, që ne ta shohim e ta besojmë? Ç`vepër po kryen?

31. Etërit tanë hëngrën manën në shkretëtirë, siç është shkruar: "Ai u dha të hanë bukë nga qielli"``.

32. Atëherë Jezusi u tha atyre: ``Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se jo Moisiu jua ka dhënë bukët nga qielli, por Ati im ju jep bukën e vërtetë nga qielli.

33. Sepse buka e Perëndisë është ai që zbret nga qielli dhe i jep jetë botës``.

34. Atëhere ata i thanë: ``Zot, na jep gjithmonë atë bukë``.

35. Dhe Jezusi u tha atyre: "Unë jam buka e jetës; kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri dhe kush beson në mua, nuk do të ketë më kurrë etje".



Zoti dhe Hyji im, merr prej meje gjithçka që më largon nga ty.
Zoti dhe Hyji im, më jep gjithçka që më afron me ty.
Zoti dhe Hyji im, më shkëput mua nga vetvetja për të dhënë gjithçka timen tek ty.

-- Shën. Nikolas i Flüe