Leximi i parë:
Veprat e Apostujve 13:44-52
Psalm: Psalm
98:1-4
UNGJILLI: Gjoni
14:7-14
Leximi i parë: Veprat e Apostujve 13:44-52
44. Të shtunën tjetër gati gjithë qyteti u mblodh për të dëgjuar
fjalën e Perëndisë.
45. Por Judenjtë, duke parë turmën, u mbushën me smirë dhe u
kundërviheshin thënieve të Palit, duke kundërshtuar dhe duke blasfemuar.
46. Atëherë Pali dhe Barnaba, duke folur lirisht, thanë: ``Ishte e
nevojshme që fjala e Perëndisë t`ju shpallej ju më së pari; por, ngaqë ju e
hidhni poshtë dhe nuk e çmoni veten të denjë për jetën e përjetshme, ja, ne po
u drejtohemi johebrenjve.
47. Sepse kështu na ka urdhëruar Zoti: "Unë të vura si dritë
të johebrenjve, që ti ta çosh shpëtimin deri në skajin e dheut"``.
48. Johebrenjtë, kur dëgjuan, u gëzuan dhe lëvdonin fjalën e
Zotit; dhe të gjithë sa ishin të paracaktuar për jetën e pasosur besuan.
49. Dhe fjala e Zotit përhapej në mbarë atë vend.
50. Por Judenjtë i nxitën disa gra të perëndishme të shtresës së
lartë, si dhe parinë e qytetit, dhe ngjallën një përndjekje kundër Palit dhe
Barnabës dhe i dëbuan jashtë kufijve të tyre.
51. Atëherë ata, mbasi shkundën pluhurin e këmbëve të tyre kundër
tyre, shkuan në Ikon.
52. Dhe dishepujt ishin mbushur me gëzim dhe me Frymën e Shenjtë.
Psalm: Psalm
98:1-4
1. Këndojini Zotit një himn të ri sepse ka bërë mrekulli; dora e
tij e djathtë dhe krahu i tij i shenjtë i kanë siguruar shpëtimin.
2. Zoti ka bërë të njohur shpëtimin e tij dhe ka shprehur
drejtësinë e tij përpara kombeve.
3. Ai ka mbajtur mend mirësinë e tij dhe besnikërinë e tij për
shtëpinë e Izraelit; të tëra skajet e tokës kanë parë shpëtimin e Perëndisë
tonë.
4. Dërgojini britma gëzimi Zotit, o banorë të të gjithë tokës,
shpërtheni në këngë gëzimi, ngazëlloni dhe këndoni lavde.
UNGJILLI: Gjoni 14:7-14
7. Po të më kishit njohur, do të
kishit njohur edhe Atin tim; qysh tani e njihni dhe e keni parë``.
8. Filipi i tha: ``Zot, na e trego Atin, dhe na mjafton``.
9. Jezusi i tha: ``Ka kaq kohë që unë jam me ju dhe ti nuk më ke
njohur akoma, o Filip? Kush më ka parë mua, ka
parë Atin; Si vallë po thua: "Na e trego Atin?".
10. A nuk beson se unë jam në Atin dhe se Ati është në mua? Fjalët
që po ju them, nuk i them nga vetja. Ati që qëndron në mua, është ai që i bën
veprat.
11. Më besoni se unë jam në Atin dhe se Ati është në mua; në mos,
më besoni për shkak të vet veprave.
12. Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: kush beson në mua do
të bëjë edhe ai veprat që bëj unë; madje do të bëjë edhe më të mëdha se këto,
sepse unë po shkoj tek Ati.
13. Dhe çfarëdo të kërkoni në emrin tim, do ta bëj, që Ati të
përlëvdohet në Birin.
14. Në qoftë se do të kërkoni diçka në emrin tim, unë do ta bëj``.
Siguria që
drita hyjnore jep është më e madhe se ajo që drita e arsyes natyrale jep.
-- Shën.
Thomas Aquinas