Pages

Jesusi ju shfaqet Apostujve ditë e tretë - E Mërkurë 3 Prill 2013


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 3:1-10
Psalm: Psalm 105:1-4, 6-9
UNGJILLI: Luka 24:13-35



Leximi i parë: Veprat e Apostujve 3:1-10

1 Pjetri e Gjoni po shkonin në Tempull për lutjen e orës nëntë. 2 Pikërisht atëherë po sillnin një njeri të çalë që prej lindjes. Atë e sillnin përditë te dera e Tempullit, te ajo që quhet “E bukura” për të lypur lëmoshë prej atyre që hynin në Tempull. 3 Ai, kur pa Pjetrin e Gjonin duke hyrë në Tempull, lypi (për të marrë) lëmoshë. 4 Pjetri atëherë, bashkë me Gjonin, ia nguli sytë dhe i tha: “Na shiko!” 5 Ai po i vërente me kujdes duke shpresuar se do të merrte ndonjë gjë. 6 Atëherë Pjetri i tha: “Unë nuk kam as argjend, as ar, por po të jap çka kam: në Emër të Jezu Krishtit Nazarenas, ec!” 7 E kapi nga dora e djathtë dhe e ngriti në këmbë. Aty për aty iu forcuan këmbët dhe nyjet; 8kërceu, u drejtua, filloi të ecë dhe hyri në Tempull: ecte, kërcente dhe lavdëronte Hyjin. 9 Mbarë populli e pa duke ecur dhe duke lavdëruar Hyjin. 10E njohën se ishte ai që ndenjur para derës “Së bukur” të Tempullit lypte lëmoshë dhe mbetën shtang të hutuar prej mbrekullisë dhe prej habisë për çka i ndodhi atij.

Psalm: Psalm 105:1-4, 6-9

1 ALELUJA!
Lavdëroni Zotin e thirreni në ndihmë Emrin e tij
shpallni mes popujsh veprat e madhërueshme të tijat!
2 Këndoni, luani në vegla muzikore për nder të tij,
kujtoni të gjitha mrekullitë e tija!
3 Mburruni me Emrin e tij të shenjtë:
le të galdojë zemra e atyre që e kërkojnë Zotin.
4 Kërkojeni Zotin dhe fuqinë e tij,
kërkojeni gjithmonë fytyrën e tij!
6 ju fara e Abrahamit, shërbëtorët e tij,
ju, o bijtë e Jakobit, të zgjedhurit e tij!
7 Ai është Zoti, Hyji ynë,
mbi mbarë tokën gjyqet e tija!
8 Ai se harron Besëlidhjen e vet askurrë,
premtimin që ua bëri një mijë breznive,
9 lidhjen që e bëri me Abrahamin
dhe përbetimin që i bëri Izakut.

UNGJILLI: Luka 24:13-35

13 Po atë ditë, dy prej tyre, po shkonin në një fshat që quhet Emaus që është larg Jerusalemit gjashtëdhjetë stadje. 14 Ata bisedonin me njëri-tjetrin për të gjitha këto ngjarje. 15 Dhe ndodhi që, ndërsa ata po flisnin dhe po bisedonin kështu, vetë Jezusi u afrua dhe po ecte me ta. 16 Por sytë e tyre ishin të penguar ta njihnin. 17 Ai i pyeti: “Ç’janë këto fjalë që ju po i flisni mes jush udhës?” Ata u ndalën të trishtuar 18 e njëri prej tyre, ai që quhet Kleofë, iu përgjigj: “A thua je ti i vetmi nga të huajt në Jerusalem që nuk di çfarë ndodhi në të këto ditë?”
19 Ai i pyeti:Po çfarë?” Ata iu përgjigjën: “Çfarë i ndodhi Jezusit prej Nazaretit, që ishte profet i madh me vepra e me fjalë në sy të Hyjit e të mbarë popullit; 20 si krerët e priftërinjve dhe këshilltarët tanë e dorëzuan të dënohet me vdekje dhe e kryqëzuan. 21 Ne shpresonim se ai do ta çlironte Izraelin. E, përmbi të gjitha këto ‑ sot është e treta ditë që ndodhën këto ngjarje. 22 Madje edhe disa gra prej tanëve na habitën: ato ishin në agim te varri 23 e, pasi nuk e gjetën trupin e tij, erdhën e na thanë se iu dukën engjëjt e u thanë se ai është gjallë. 24 Po edhe disa prej tanëve shkuan te varri dhe gjetën pikërisht ashtu si thanë gratë, por atë nuk e panë.”
25 Ai u tha: “O të pamend e të ngadalshëm që të besoni gjithçka paralajmëruan profetët!26 Po a nuk u desh që Mesia t’i pësojë të gjitha e kështu të hyjë në lavdinë e vet?”
27 E, që nga Moisiu e të gjithë profetët, u shtjelloi krejt çka flitet në Shkrimin e shenjtë për të.
28 Kur iu afruan fshatit, ku ishin nisur, ai bëri gjasme po vazhdonte udhën. 29Po ata iu vunë: “Rri me ne se u bë natë e dita po shkon në të sosur!”
Dhe hyri që të rrijë me ta.
30 Kur u ul me ta në tryezë, mori bukën, u falënderua, e theu dhe ua dha. 31Atyre iu hapën sytë dhe e njohën... Por ai u zhduk para syve të tyre. 32Atëherë i thanë njëri‑tjetrit:
Po a nuk na ndizej zemra neve ndërsa po bisedonte udhës me ne dhe na shtjellonte Shkrimin e shenjtë?”
33 U çuan menjëherë, u kthyen në Jerusalem, i gjetën të mbledhur të njëmbëdhjetët dhe ata që ishin me ta. 34 Të njëmbëdhjetët u thanë:
“Me të vërtetë u ngjall Zotëria dhe iu dëftua Simonit!”
35 Atëherë edhe këta u treguan çka u ngjau udhës dhe si e njohën kur ndau bukën.