Pages

Koka e prere e Gjon Pagezorit - E Shtune, 3 Gusht 2013


Leximi i parë: Levetiku 25:1, 8-17
Psalm: Psalm 67:2-3, 5, 6-7
UNGJILLI: Mateu 14:1-12

Leximi i parë: Levetiku 25:1, 8-17

1 Zoti i foli akoma Moisiut në malin Sinai, duke i thënë:
8 Gjithashtu do të llogaritësh për vete shtatë të shtuna vitesh: shtatë herë shtatë vjet; këto shtatë javë vitesh do të bëjnë për ty një periudhë prej dyzet e nëntë vjetësh.
9 Ditën e dhjetë të muajit të shtatë do t`i biesh burisë; ditën e shlyerjes do të bëni që të bjerë buria në të gjithë vendin.
10 Dhe do të shenjtëroni vitin e pesëdhjetë dhe do shpallni në vend lirinë për të gjithë banorët e tij. Do të jetë për ju një jubile; secili prej jush do të kthehet në pronën e vet dhe secili prej jush do të kthehet në familjen e vet.
11 Viti i pesëdhjetë do të jetë për ju një jubile; nuk do të mbillni dhe nuk do të korrni atë që rritet vetiu dhe nuk do të vilni vreshtat e pakrasitur.
12 Sepse është jubileu; ai do të jetë i shenjtë për ju; do të hani prodhimet që ju japin arat.
13 Në këtë vit të jubileut secili do të kthehet në pronën e vet.
14 Në rast se i shisni diçka fqinjit tuaj, ose blini diçka nga fqinji juaj, nuk do t`i bëni asnjë të padrejtë njëri tjetrit.
15 Do të blesh nga fqinji yt në bazë të numrit të viteve që kanë kaluar mbas jubileut, dhe ai do të të shesë në bazë të numrit të viteve të korrjes.
16 Sa më tepër vite mbeten, aq më tepër do ta ngresh çmimin; sa më pak vite mbeten, aq më shumë do ta ulësh çmimin; sepse ai të shet në bazë të numrit të korrjeve.
17 Asnjë nga ju të mos dëmtojë fqinjin e tij, por të keni frikë nga Perëndia juaj; sepse unë jam Zoti, Perëndia juaj.

Psalm: Psalm 67:2-3, 5, 6-7

2 me qëllim që mbi tokë të njihet rruga jote dhe shpëtimi yt midis gjithë kombeve.
3 Popujt do të të kremtojnë, o Perëndi, të gjithë popujt do të të kremtojnë.
5 Le të të lëvdojnë popujt, o Perëndi, le të të lëvdojnë tërë popujt.
6 Toka do të prodhojë frytin e vet; Perëndia, Perëndia ynë, do të na bekojë.
7 Perëndia do të na bekojë dhe tërë skajet e tokës do ta kenë frikë.

UNGJILLI: Mateu 14:1-12

1 Në atë kohë Herodi, tetrarku, mori vesh famën e Jezusit,
2 dhe u tha shërbëtorëve të vet: ``Ky është Gjon Pagëzori; ai u ngjall së vdekuri dhe prandaj fuqitë e mbinatyrshme veprojnë në të``.
3 Herodi, në fakt, e kishte arrestuar Gjonin, i kishte hedhur prangat dhe e kishte futur në burg, për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të vet.
4 Sepse Gjoni i thoshte: ``Nuk është e lejueshme të bashkëjetosh me të!``.
5 Dhe, ndonëse donte ta vriste, Herodi kishte frikë nga populli që e konsideronte Gjonin profet.
6 Kur po festohej ditëlindja e Herodit, e bija e Herodiadës vallëzoi përpara tij dhe i pëlqeu Herodit
7 aq shumë, sa ai i premtoi asaj me betim se do t`i jepte çfarëdo që t`i kërkonte.
8 Dhe ajo, e shtyrë nga e ëma, tha: ``Ma jep këtu, mbi një pjatë, kokën e Gjon Pagëzorit``.
9 Mbretit i erdhi keq, po për shkak të betimit dhe të ftuarve që ishin me të në tryezë, urdhëroi që t`ia japin.
10 Kështu dërgoi dikë për t`i prerë kokën Gjon Pagëzorit në burg;
11 dhe kokën e tij e prunë mbi një pjatë dhe ia dhanë vajzës; ajo ia çoi s`ëmës.
12 Pastaj erdhën dishepujt e tij, e morën trupin dhe e varrosën, mandej ata shkuan dhe ia treguan ngjarjen Jezusit.