Pages

Mundohuni të hyni nëpër derën e ngushtë - E Djelë 25 Gusht 2013

Leximi i parë: Isaia 66:18-21
Psalm: Psalm 117:1-2
Leximi i dytë: Hebrenjve 12:5-7, 11-13
UNGJILLI: LUKA 13:22-30



Leximi i parë: Isaia 66:18-21

Fjalim eskatologjik

18 E unë, që i njoh veprat e tyre dhe synimet e tyre, do të vij për t’i bashkuar të gjitha fiset e të gjitha gjuhët; do të vijnë dhe do ta shohin lavdinë time. 
19 Unë do t’u jap një shenjë dhe do t’i dërgoj ata që prej tyre do të shpëtojnë, te popujt në Tarsis, Put, Lud, Mosok, Ros, Tubal dhe në Javan ‑ në ishuj të largët tek ata që nuk kanë dëgjuar për mua as nuk e kanë parë lavdinë time ‑ dhe këta do t’ua shpallin lavdinë time popujve. 
20 Do t’i riatdhesojnë të gjithë vëllezërit tuaj nga të gjithë popujt porsi kusht Zotit ‑ në kuaj, karroca, bartore, në mushq e gamile njëgungëshe e do t’i sjellin në Malin tim të shenjtë, në Jerusalem ‑ thotë Zoti ‑ po ashtu sikurse bijtë e Izraelit kushtojnë flinë e paraqitjes në enë të pastër në Shtëpinë e Zotit. 
21 Edhe prej tyre do të zgjedh priftërinj e levitë ‑ thotë Zoti.


Psalm: Psalm 117:1-2

1. Lëvdoni Zotin, ju gjithë kombet! Kremtojini, ju gjithë popujt!
2. Sepse e madhe është dhemshuria e tij ndaj nesh, dhe besnikëria e Zotit vazhdon përjetë. Aleluja.


Leximi i dytë: Hebrenjve 12:5-7, 11-13

5 Dhe e harruat qortimin që ju drejtohet si bijve:
»Biri im, mos e përbuz qortimin e Zotit, as mos të të lëshojë zemra kur ai të qorton, 
6 sepse atë që e do Zoti e edukon me disiplinë, e frushkullon atë që e pranon për bir«.
7 Hiqni keq për edukimin tuaj! Hyji sillet me ju si me bij. Dhe, a ka djalë të cilin i ati nuk e edukon me disiplinë? 
8 Në qoftë se nuk ndëshkoheni siç ndëshkohen të gjithë bijtë e tjerë, atëherë nuk jeni bij të vërtetë, por të paligjshëm.
11 Dhe njëmend, çdo qortim njëherë për njëherë, nuk duket se sjell gëzim, por trishtim, porse më vonë të ushtruarve në të u sjell fryt paqeje dhe drejtësie.
12 Prandaj ngritni lart duart e lodhura dhe gjunjët e molisur, 
13 dhe rrafshoni udhët për këmbët tuaja që e çala të mos gjymtohet, por më mirë të shërohet.


UNGJILLI: LUKA 13:22-30

Dera e ngushtë
(Mt 7, 13‑14; 21‑23)

22 Në udhëtim për Jerusalem kalonte duke mësuar nëpër qytete e fshatra. 
23Një njeri e pyeti: “Zotëri, a janë pak ata që shëlbohen?” Ai u tha:
24 Mundohuni të hyni nëpër derën e ngushtë, sepse, unë po ju them: shumë do të kërkojnë të hyjnë, por nuk do të munden.
25 Kur i zoti i shtëpisë do të çohet e do ta mbyllë derën, ju, po mbetët përjashta, do të filloni të trokitni në derë e të thoni: ‘Zotëri, na e hap derën!’ e ai do t’ju përgjigjet: ‘S’di nga jeni!’ 
26 Atëherë do të vijoni të thoni: ‘Po ne hëngrëm e pimë me ty e ti mësove ndër sheshet tona!’ 
27 Por ai do të përgjigjet: ‘Unë nuk di nga jeni [ju]! M’u hiqnu sysh të gjithë ju që bëni paudhësi!’
28 Atje do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh, kur t’i shihni Abrahamin, Izakun, Jakobin dhe të gjithë profetët në Mbretërinë e Hyjit e veten të hedhur përjashta. 
29 E do të vijnë nga lindja e nga perëndimi, nga veriu e nga jugu dhe do të ulen në tryezë në Mbretërinë e Hyjit. 
30 Po se, ka të prapëm që do të jenë të parët e të parë që do të jenë të prapëm!”