Pages

Biri i njeriut do t’u lihet në duar njerëzve - E Hene 12 Gusht 2013

Leximi i parë: Ligji i Përtërirë 10:12-22
Psalm: Psalm 147:12-15, 19-20
UNGJILLI: Mateu 17:22-27


Leximi i parë: Ligji i Përtërirë 10:12-22

Rrethprerja e zemrës

12 “E tani, o Izrael, çfarë kërkon Zoti, Hyji yt, prej teje? Kërkon që ta druash Zotin, Hyjin tënd, të ecësh udhëve të tija, ta duash e t’i shërbesh Zotit, Hyjit tënd, me gjithë zemrën tënde e me gjithë shpirtin tënd, 
13 t’i mbash rregullat e urdhërimet e Zotit, që po t’i jap unë sot për të mirën tënde. 
14 Po, Zotit, Hyjit tënd, i perket qielli, qielli i qiellit, toka dhe gjithçka është në të. 
15 Megjithatë, Zoti u lidh ngushtë me etërit e tu, i deshi e, pas tyre, në mes të gjithë popujve, ju zgjodhi ju, d. m. th. pasardhësit e tyre, si vërtetohet edhe sot.
16 Pra, rrethpritni zemrën tuaj dhe mos e ngurroni më zverkun tuaj, 
17 sepse Zoti, Hyji juaj, është Hyji i hyjve, Zoti i zotëruesve, Hyji i madh, i pushtetshëm i tmerrshëm, që nuk bën krahambajtje, që nuk e prishin dhuratat; 
18 i jep të drejtën bonjakut dhe vejushës, e do të ardhurin, i jep ushqimin dhe veshën. 
19Kini edhe ju dashuri për të ardhurin, sepse edhe ju keni qenë të ardhur në dheun e Egjiptit.
20 Druaje Zotin, Hyjin tënd, dhe atij shërbeji, qëndroji besnik dhe në emrin e tij përbetohu! 
21 Ai është nderi yt e Hyji yt! Ai i bëri për ty këto punë të mëdha e të tmerrshme që i panë sytë e tu! 
22 Kur etërit e tu zbritën në Egjipt, nuk ishin veçse shtatëdhjetë frymë. E tani? Zoti, Hyji yt, të shumoi si yjet e qiellit!”

Psalm: Psalm 147:12-15, 19-20

12. Lëvdo Zotin, o Jeruzalem, kremto Perëndinë tënd, o Sion.
13. Sepse ai ka përforcuar shufrat e portave të tua dhe ka bekuar bijtë e tu në mes teje.
14. Ai e ruan paqen brenda kufijve të tu dhe të ngop me grurin më të mirë.
15. Dërgon mbi tokë urdhërin e tij, fjala e tij merr dheun.
19. Ai ia ka bërë të njohur Jakobit fjalën e tij, dhe Izraelit statutet e tij dhe dekretet e tij.
20. Ai nuk e ka bërë këtë me asnjë komb tjetër; dhe ato nuk i njohin dekretet e tij. Aleluja.

UNGJILLI: Mateu 17:22-27

Jezusi përsëri paralajmëron mundimin dhe ngjalljen e vet
(Mk 9, 30‑32; Lk 9, 43b‑45)

22 Kur u bashkuan në Galile, Jezusi u tha: “S’do të vonojë e Biri i njeriut do t’u lihet në duar njerëzve 
23 dhe ata do ta vrasin e të tretën ditë do të ngjallet.” Ata u pikëlluan së tepërmi.

Tagri i Tempullit

24 Kur arritën në Kafarnaum, iu afruan Pjetrit ata që mbledhin tagrin e Tempullit e i thanë: “A nuk e paguan mësuesi juaj tagrin e Tempullit?”
25 “E paguan” ‑ iu përgjigj Pjetri. Kur Pjetri hyri në shtëpi, Jezusi ia priti përpara: “Simon, çka të thotë mendja, mbretërit e dheut, prej kujt e mbledhin taksën ose tatimin? Prej fëmijëve të vet apo prej të huajve?”
26 Kur iu përgjigj: “Prej të huajve”, Jezusi i tha: “Pra, fëmijët qenkan të lirë!”.
27 Por, për të mos i shkandulluar, shko në det, hidhe grepin dhe, peshkun e parë që të zësh, merre, hapja gojën e do të gjesh një staterë. Merre dhe jepua për mua e për ty.”